Real Madridi kërkon dorëheqjen e presidentit të LaLigës

Futboll

Real Madridi kërkon dorëheqjen e presidentit të LaLigës

Më: 16 tetor 2026 Në ora: 16:54
Real Madridi

Real Madridi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Javier Tebasit nga posti i presidentit të LaLigës dhe ai i zëvendëspresidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, pas deklaratave të tij lidhur me strategjinë mediatike të klubit madrilen.

Në një komunikatë zyrtare, klubi ka reaguar ashpër ndaj krahasimeve që, sipas tij, Tebasi i ka bërë mes strategjisë së Real Madridit përmes televizionit të klubit, RMTV, dhe metodave të propagandës naziste të Joseph Goebbelsit.

Real Madridi i ka cilësuar këto deklarata si “absolutisht të papranueshme” dhe tejet serioze, duke vlerësuar se ato synojnë të diskreditojnë klubin, drejtuesit e tij dhe kanalin televiziv.

“Real Madridi konsideron absolutisht të papranueshme dhe tejet serioze që një person që mban dy pozitat me përgjegjësinë më të lartë në futbollin spanjoll të përdorë krahasime të tilla me qëllim diskreditimin e klubit tonë”, thuhet në reagimin e klubit.

Më tej, gjiganti spanjoll ka kritikuar atë që e konsideron mungesë të neutralitetit, respektit dhe paanshmërisë nga ana e Tebasit, duke theksuar se një sjellje e tillë nuk përputhet me përgjegjësitë e tij institucionale.

Për këtë arsye, Real Madridi ka kërkuar largimin e menjëhershëm të tij nga të dyja pozitat drejtuese në futbollin spanjoll.

Përplasjet mes Real Madridit dhe Javier Tebasit kanë qenë të shpeshta për çështje që lidhen me drejtimin e futbollit spanjoll. Ky reagim i fundit shënon një tjetër kapitull në raportet e tensionuara mes klubit madrilen dhe drejtuesve të LaLigës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat