Kosova shënon sot Ditën e Tokës

Kosova

Kosova shënon sot Ditën e Tokës

Më: 22 prill 2022 Në ora: 06:50
Ilustrim

Me rastin e 22 Prillit, “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me MASHT, UNDP,  OJQ- të: Ecokos Women, Pamkos dhe shoqërinë civile do të shënojmë këtë ditë në platonë e Sheshit  “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Fushata nisi me një ngjarje në të cilën 30 vajza dhe djem nga gjashtë shkolla publike do të mbjellin kopshte vertikale në Sheshin Zahir Pajaziti.

Çdo vit, Dita e Tokës shënohet për të rritur ndërgjegjësimin për krizën klimatike dhe sfidat që ndërlidhen me mirëqenien e planetit. Është përgjegjësi e jona kolektive t'u sigurojmë brezave të ardhshëm një planet të shëndetshëm.

Një sërë aktivitetesh, nën ombrellën e Kosovo Earth Days ("Ditët e Tokës") që udhëhiqen nga UNDP në Kosovë së bashku me partnerët tanë, do të zhvillohen në prill dhe maj për të promovuar dhe për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe me nevojën urgjente për ndryshimin e sjelljeve në mënyrë që ta shpëtojmë shtëpinë tonë.

Të pranishëm në ngjarjen e së premtes do të jenë Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Larissa Bruun, Zëvendës-shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, nxënës dhe mësimdhënës nga shkollat në Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë, si dhe publiku i gjerë.

Edhe Komuna e Prishtinës ka lancuar një fushatë vetëdijësuese për pastrimin e qytetit dhe ruajtjen e ambientit me motot “Vepro Gjelbër” dhe “Duaje Çdo Ditë’”.

Drejtoria e Shërbimeve Publike si dhe Drejtoria e Parqeve janë angazhuar intensivisht që nga 9 Prill për largimin dhe pastrimin e deponive ilegale në të gjithë territorin e Prishtinës dhe përgatitjen e terrenit për mbjellje të reja, si dhe një sërë aksionesh për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.

Po sot edhe Komuna e Gjilanit dhe ajo e Rahovecit do të organizojnë aktivitet të ndryshme për pastrimin e qytetit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat