Presidentja e Kosovës dhe strategjia kombëtare

Opinione

Presidentja e Kosovës dhe strategjia kombëtare

Hajro Limaj Nga Hajro Limaj Më 19 dhjetor 2020 Në ora: 17:59
Vjosa Osmani

Presidentja në detyrë Vjosa Osmani, bëri vizitën e parë në Shqipëri. Ishte një vizitë e domosdoshme dhe kuptimplotë. Nga njëra anë ish drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ,me në kryes ish presidentin Hashim Thaçi ndodhen të arrestuar për gjykim në Hagë, ndërsa nga ana tjetër Serbia me në krye Vuçiqin vazhdojnë armatosjen e gjithanshme nga Rusia, Kina dhe Turqia. Presionet amerikane dhe veçanërisht ato të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për njohjen e pavarësisë dhe të sovranitetit te shtetit të Kosovës janë shumë të dobëta dhe shpesh të harruara. Me shumë të drejtë presidentja Osmani foli hapur dhe troç në shqip deputetëve të Shqipërisë për mungesën e një strategjie kombëtare, e cila prej vitesh jo vetëm nuk është ligjëruar ,por shpesh janë në kontradikta midis interesave të dy vendeve shqiptare: Prishtinës dhe Tiranës. Çdo vend ka nevojë për strategji kombëtare. Në mungesë të strategjisë të gjitha qëndrimet dhe vendimet janë taktike dhe sjellin dështimin e saj. Me të drejtë filozofi Alvin Tofler shkruante se “..në mungesë të strategjisë një vend, shume shpejt, direkt apo në mënyrë spontane, qëllimisht apo pa e kuptuar, bëhet pjesë e strategjisë së dikujt tjetër “.Pra në rastin konkret, me dashje ose pa dashje bëhesh pjesë e strategjisë së Beogradit. Pikërisht për këto qëndrime të ndryshme vitet e fundit Kosova përjeton një krizë shumë të thellë, me fajtor kryesor ish presidentin Thaçi. Këto qëndrime me pasoja të rënda sollën edhe qëndrimet e ndryshme të liderëve shqiptarë ndaj Serbisë dhe rrugëzgjidhje të gabuara me Beogradin. Presidentja bashkëkohore Vjosa Osmani nënvizoi me forcë:

1.Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria e saj nëpërmjet një rezolute duhet të denoncojë qartë dhe të dënojnë ashpër gjenocidin e realizuar në Kosovë në kohën e Milosheviqit.

Vitet e luftës 1998-1999, në Kosovë, janë regjistruar me një numër ta madh viktimash. Mijëra shqiptarë të Kosovës, mbetën të vrarë dhe të masakruar nga trupat paramilitare, por dhe ato të rregullta të ushtrisë serbe.

Nga kjo luftë u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë dhe u vranë 15 mijë persona, nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5 mijë njerëz.

Por, edhe pse ka me qindra dëshmi që vërtetojnë gjenocidin serb në Kosovë, ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap për paditjen e Serbisë, e nga ana tjetër po trumbetohet Gjykata Speciale, për krimet që ka kryer UÇK –ja.

Është fakt, se njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe shkatërruan dhe dogjën rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, biznese, punishte zejtarie, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Faktet për gjenocid në Kosovë, çdo ditë e më shumë po shtohen.

2.Entuziazmi i madh për Minishengenin e Ballkanit Perëndimor midis presidentit Serb Vuçiq dhe kryeministrit tonë, Rama, kur Serbia nuk pranon të njohë akoma pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës është kundërshtuar nga shteti dhe politika e Kosovës. Për këtë arsye presidentja Osmani foli shqip shqiptareve të Tiranës që përpara kësaj nisme janë shume problem strategjike kombëtare për t’u zgjidhur. Ajo theksoi se pa Kosovën të njohur nga Serbia si shtet Sovran nuk duhet të vazhdojë kjo rrugë, e cila fuqizon dhe e bën lider të Ballkanit Perëndimor Serbinë.

3.Presidentja Osmani e quajti aventurë zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë me shkëmbim të territoreve. Me këtë platformë shkëmbimi u angazhua dendësisht ish president Thaçi, i cili e kishte monopolizuar në një dorë të vetme shtetin dhe politikën e jashtme të Kosovës. Disa politikanë të Kosovës kanë kritikuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Z.Rama për mbështetje e Thaçit në këtë platformë.

Kombi shqiptar, aktualisht me dy shtete shqiptare duhet të ligjërojë strategjinë kombëtare, të cilën duhet ta zbatojnë të gjitha qeveritë kalimtare. Kombi është prone shtetërore dhe jo private, prandaj atë të drejtë nuk mund ta gëzojë asnjë individë me çfarë do pushteti të ketë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat