Modeli i dinjitetit Berisha!

Opinione

Modeli i dinjitetit Berisha!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 29 maj 2021 Në ora: 08:27
Sali Berisha

Sali Berisha deklaroi mbrëmë në një intervistë televizive se "Gjithçka mund të jap, por dinjitetin nuk e jap"! Madje ai vu në dukje se në periudhën e diktaturës nuk i mungonte ndonjë gjë thelbësore tjetër përveç dinjitetit, duke përmendur faktin se pikërisht mungesa e dinjitetit e bëri atë të reagonte kundër komunizmit si regjim dhe si ideologji e të vihej në krye të lëvizjes demokratike në Shqipëri.

Ndërkaq, po mbrëmë një ekspert i spikatur i mediave amerikane, gazetari i "Washington Post", Tod Wood, pa e ditur se çfarë thoshte Sali Berisha në një studio tjetër televizive, pohoi të njëjtën gjë gjatë një interviste në Syri TV. Duke folur për rastin Berisha Wood u shpreh se "Çdo kush që kërkon liri, demokraci, liberalizëm, çdo gjë që përfaqëson të kundërtën e socializmit, modelit komunist, marksist, do të demonizohet". Dhe demonizimin e Berishës ai e sheh si një akt politik të Departamentit të Shtetit Amerikan.

Vendimi i sekretarit Blinken është trajtuar si një akt politik edhe nga analistë shqiptarë, të cilët njëkohësisht kanë ngritur dollitë e shampanjës kur lajmi u përhap në Shqipëri. Dhe derisa e pranojmë se vendimi i DASH ishte një akt politik, atëherë automatikisht na rezulton se kemi të bëjmë me një lloj hakmarrjeje politike. Është e dhimbshme kjo, por në këtë rast na duhet ta pranojmë se politika amerikane në Shqipëri dhe rajonin tonë qenka një politikë e dhunës dhe jo e lirisë. Dhe Wood e thotë hapur se administrata e sotme amerikane nuk e do demokracinë. "Ata nuk duan demokraci, nuk duan liri në Shqipëri, duan të kenë kontroll mbi të, duan të trafikojnë drogë, njerëz në vend"! Dhe sipas gazetarit amerikan, Berisha shihet si pengesë e këtyre operacioneve të përbashkëta amerikano-shqiptare.

Do të doja që deklarimet e zotit Wood të ishin të pavërteta. Por rasti Berisha dhe mënyra si ai u shpall non-grata nga sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blink, të bën të kuptosh se ka një ngjashmëri gati identike me konceptin dhe praktikën e linçimit dhe demaskimit të kundërshtarëve nga regjimi komunist në Shqipëri. Diktatori shqiptar, kur piketonte ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij për ta ndëshkuar dhe dënuar, më së pari llogariste se si ai duhej linçuar e denigruar! Demaskimi publik ishte mënyra e vetme e mbijetesës së diktaturës, kur ajo shpikte "armiq" të brendshëm e të jashtëm.

Ne shqiptarët që e njohim diktaturën jemi më të aftë se vetë amerikanët të dallojmë këtë lloj qasjeje në sjelljet politike të regjimit të sotëm të Edi Ramës, por edhe të disa ambasadorëve, përfshirë disa prej amerikanëve në Shqipëri. Këta ambasadorë nuk na demonstrojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë, siç edhe nisi ndihma e SHBA-ve me Bejkerin në Shqipëri. Ata po na demonstrojnë forcën dhe imponimin deri te linçimi, demaskimi dhe thyerja e dinjitetit njerëzor. Vendimi dhe akuza kundër ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, shënon kulmin e kësaj arrogance. Por shënon njëkohësisht fillimin e një linçimit kolektiv të shqiptarëve.

Në fakt ky lloj linçimi ka filluar të duket qartë. Ambasadorja amerikane, zoti Palmer dhe të tjerë diplomatë amerikanë, përfshirë departamentin e Shtetit, janë shprehur që të dielën e 25 prillit se "zgjedhjet parlamentare ishin të lira, të rregullta dhe të drejta"! Ende pa investiguar, ende pa një raport dhe pa dëgjuar ankimimet e palëve, ata i certifikuan këto zgjedhje. Nuk i dëgjuan thirrjet e kryeministrit për presion ndaj administratës, mësuesve e policëve të shtetit! Nuk dëgjuan kur kryeministri deklaroi se ai ishte kryepatronazhisti dhe se do t'i ndiqte kundërshtarët e tij politikë deri në vrimën e miut. Nuk e dëgjuan telefonatën e kreut të mazhorancës me Damjan Gjiknurin, kur i urdhëroi të "bënte tërmet në Vlorë". Nuk panë kriminelët në krah të Edi Ramës, Taulant Ballës dhe eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste. Shkurt, nuk deshën së paku të investigojnë ose të thonë një fjalë të vetme pse Qifja e Doshi morën më shumë vota sesa liderët politikë të partive kryesore në vend! Jo! Thjesht thanë: "Ok! Tani pranojeni rezultatin"! Që do të thotë pranojeni varësinë tuaj nga krimi i organizuar dhe rrjeti mafioz I Edi Ramës!

Të gjitha këto i ka kundërshtuar ashpër Sali Berisha. Veprimtarinë mafioze e kriminale të organizatës së Rilindjes ai e ka denoncuar me fakte dhe argumente të plota! E ndërkohë që DASH do të duhej ta falënderonte Sali Berishën për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në funksion të lirisë, ai e ndëshkoi atë me një vendim arbitrar të iniciuar nga rrjeti i organizatave të Sorosit, nga qeveria shqiptare dhe mediat e saj, si dhe nga ambasadori i korruptuar amerikan në Shqipëri, Donald Lu. Në vend që t'i jepte Sali Berishës dekoratën e lartë të luftës për lirinë, DASH dekoroi ata që përgatitën dosjen e shpifjeve kundër ish-liderit të demokratëve!

Tod Wood është amerikan. Madje ish-oficer i forcave amerikane. Nuk ka dyshim se ai e do atdheun e tij. Por është gjithashtu në kërkim të lirisë e të së vërtetës. Ndaj ai nuk pajtohet me politikat e imponimit, diskriminimit dhe linçimit arbitrar të administratës së vendit të tij. Ndërkohë a mundet të arsyetojmë pse ndodh kjo? Për shkak të dinjitetit dhe integritetit, për shkak të lirisë dhe dëshirës për të shprehur të vërtetën e tij.

Të njëjtën gjë pohon ish-kryeministri Berisha kur ai flet për marrëdhëniet me SHBA-të e kur dëshmon se si ambasadori kërkonte t'i imponohej për të zgjedhur president një gjeneral të dështuar në ushtri, si dhe në detyrat e mëvonshme nën qeverisjen e rilindjes! Në mbrojtje të integritetit shtetëror dhe dinjitetit të tij njerëzor Doktor Berisha pa guxuar të mos i nënshtrohet presionit të kësaj kategorie diplomatësh.

Tani ai është i detyruar të përballet me hakmarrjen e Sorosit dhe bashkëpunëtorëve të tij në diplomacinë amerikane. Hakmarrjen e favorizon ligji amerikan, ndërkohë që e aplikon një kategori që urrejnë lirinë në emër të forcës, imponimit dhe arrogancës. Dhe derisa shpallja non-grata e zotit Berisha klasifikohet si akt politik, atëherë edhe arroganca është shoqëruese e këtij akti! Ku ka politikë nuk ka drejtësi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat