Lufta prapa perdeve

Opinione

Lufta prapa perdeve

Nga: Valdrin Nuredini Më: 4 mars 2022 Në ora: 11:38
Lufta në Ukrainë

Dikur, bota e njihte vetëm luftën territoriale. Për shkak të historisë njerëzit e kanë shikuar luftën si përpjekje për të pushtuar dhe fituar territor. Por me kalimin e kohës, ka ndryshuar përceptimi sa i përket arsyeve se pse ndodhin konfliktet mes shteteve.

Nëse bota do ta përjetojë një luftë të tretë botërore, atëherë padyshim se ajo do të ndodhë për arsye ekonomike. Përpjekja në rritje e shteteve të fuqishme, për ta shtuar ndikimin e tyre, vetëm sa i jep kuptim idesë se ekonomia e kontrollon botën.

Territori, feja, kultura i takojnë të kaluarës.

E një luftë për arsye ekonomike tashmë veçse ka filluar. Ukraina është viktima e këtij sistemi dhe shteti i sakrifikuar i luftës në distancë, prapa syrit të mediave, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.

Rusia nuk është e interesuar për territor, nuk ka qenë asnjëherë. Shteti më i madh në botë, sa i përket aspektit territorial, nuk ka nevojë për tokë. Rusia do pushtet, të cilin ia jep vetëm fuqia ekonomike.

Traseja e tendencës për rritjen e fuqisë ekonomike të Kremlinit, fatkeqësisht do të kalojë përmes Ukrainës.

Pse Rusia po e bombardon pikërisht Ukrainën, e mbi të gjitha pse sot?

Përveç tjerash, Rusia është shteti që e furnizon më së shumti evropën më gaz. Arma më e fortë e Rusisë ndaj shteteve evropiane është gazi. Varshmëria, anipse nuk pranohet nga shtetet e evropës, është prezente dhe në tëndencë për të marr përmasa edhe më të mëdha.

Tubacionet përmes të cilave Rusia e shpërndanë gazin në evropë kalojnë në disa shtete ose trajektore. Kryesorja është NORD STREAM 1, që kalon në pjesën lindore të evropës, përkatësisht rreth shteteve baltike. Një pjesë e madhe e gazit kalon edhe përmes Polonisë, e që sigurisht se rëndësi të madhe ka edhe trajektorja që kalon përmes Ukrainës.

Në vitin e kaluar ka përfunduar ndërtimi i një prej projekteve më të rëndësishme në evropë. Marrëveshja e Gjermanisë dhe Rusisë, për ndërtimin e një rrjeti tubacionesh për ta sjellur gazin nga Rusia në Evropë. Projekti i përfunduar, me kosto mbi 10 miliard euro, quhet NORD STREAM 2.

Tubacionet e këtij projekti janë paralel me ato të NORD STREAM 1, që kalon përmes shteteve baltike, me orientim Gjermaninë. Përmes këtij sistemi Rusia është në gjendje të dërgojë sasi shumëfish më të madhe të gazit për evropë, për shkak të sistemit të avancuar të tubave.

Por ky projekt ende nuk është lëshuar për qarkullim, anipse punimet kanë përfunduar.
 

Image
Tubacionet e projektit NORD STREAM 2

 



Përtej atyre se çka shkruhet dhe se çka paraqitet në opinion, bllokuesi i vërtetë i këtij projekti, anipse për momentin nuk është definitiv, janë SHBA-të.

Washingtoni përmes të dërguarve special në evropë, vazhdimisht ka bërë thirrje që të bojkotohet projekti i gazit rus sepse në këtë formë vetëm faktorizohet edhe me shumë Rusia, duke e rritur varshmërinë e shteteve evropaine përmes furnizimit me gaz.

Një ndihmë të madhe muajt e fundit ka ardhur edhe nga vet shteti gjerman. Si pjesë e koalicionit qeverisës në Gjermani është edhe Partia e Gjelbërt. Këta të fundit janë shprehur se projekti është shumë i dëmshëm në aspektin ekologjik dhe se janë krejtësisht kundër këtyre politikave.

Këto ngjarje, shënuan fillimin e një lufte në distancë në mes të SHBA-së dhe Rusisë.

Rregullat e lojës ndryshuan, shtetit rus i duhej një arsye që ta destabilizonte rajonin. Sigurisht Ukraina, shtetit që ia kishte aneksuar Krimenë dhe që asnjëherë nuk ia kishte pranuar pavarësinë e plotë.

Një fuqi ekonomike e stagnuar e Rusisë, përmes bllokadave që i vinin sa i përket projektit të gazit, nuk mund të qëndronte indiferente dhe të ishte spektatore e një rënie të lirë. Problemet e shfaqura në NORD STREAM 2, ishin qershia mbi tortë. Akumulimi i krejtë mllefit ndër vite, po zbraset mbi kokat e pafajshme të popullit Ukrainas.

Putin do pushtet, ai vuan nga ndjenja e të qenurit inferior në aspektin ekonomik. Kundërshtari i tij i vërtetë është Amerika dhe se Ukraina po përdoret fatkeqësisht për të arritur qëllimet e tij.

Putin nuk e ka problem as antarësimin e Ukrainës në NATO dhe BE. Ashtu siç nuk e kishte as për Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Ambiciet e sëmura të një politikani me prirje autoritare, e kanë sjellur botën para një krize që po e rrezikon dhe cenon sistemin e rregulluar të një rendi botëror.

Rusia është nisur me idenë se krizat prodhojnë rezultate. Përdorimi i Ukrainës, për të sulmuar Amerikën i ka dështuar. Sipas të dhënave të fundit, ekonomia ruse është në prag të falimentimit.

Përderisa humbjet e Rusisë po vazhdojnë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm sa e kanë forcuar pozitën e shtetit më të fuqishëm ekonomikisht në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat