Sa po kujtohet e respektohet figura e prof. Dr.Xhavit Ahmetit

Opinione

Sa po kujtohet e respektohet figura e prof. Dr.Xhavit Ahmetit

Nga: Sabri Morina Më: 23 janar 2023 Në ora: 15:17
Autori Sabri Morina

Që në nismë shtroj pyetjen, përse harrohen figura të rëndësishme të kombit?

Njëra nga figurat më të rëndësishme që fare pak ka pasur nderim e dedikim institucional, pa dyshim se është ajo e profesor doktor Xhavit Ahmetit, i cili vdiq tragjikisht duke e kryer detyrën e këshilltarit për arsim të Presidentit Rugova. Vdiq në një mision rrugës për të negociuar rikthimin e nxënësve dhe studentëve në objektet e tyre arsimore. Në makinën e aksidentuar ndodheshin edhe presidenti ardhshëm Fatmir Sejdiu si dhe deputeti në vazhdimësi Hydajet Hyseni-Kaloshi. Atëbotë, vdekja e tij pati shkaktuar dhembje të madhe gjithkah ku jetonin shqiptarët. Vetëm varrimi i tij prej qindra e mijëra vetash, ishte dëshmi për vlerat e mëdha intelektuale e njerëzore që i kishte profesor Xhaviti! Me të jo vetëm familja, por Kosova humbi njërin prej protagonistëve të së ardhmes sonë!

Po ç’ndodhi pas luftës?

Menjëherë, filloi ndërtimi i hovshëm i lapidarëve të dëshmorëve, por edhe të viktimave, filloi riemërtimi i shesheve, rrugëve, institucioneve kulturore e arsimore. Ishte një ngarendje e çuditshme, emërtimesh pa iu nënshtruar kritereve gjuhësore e shkencore. Ndoshta ishte mirë, por kjo çështje duhej të shtrihej në debat rrafshor! Kjo qasje jo e drejtë, nuk i amniston as institucionet lokale as ato shtetërore. Kemi shembuj absurd të emërtimeve, të cilat nuk i përshtaten as karakterit, as jetës së figurës me të cilat është bërë emërtimi. Si ka mundësi që një rrugicë në Kamenicë, të emërtohet me emrin e Akademik Fehmi Aganit, si ka mundësi që rrugicës sime t’i hiqet emri i dëshmorit Selver Kryeziu e të zëvendësohet me emërtim tjetër, aq më tepër si ka mundësi që asnjë institucion i lartë shkencor, të mos emërtohej me emrin e profesor Xhavit Ahmetit! Harresa e këtij të fundit nuk ka justifikim. Për të shkruar për të u intrigova edhe nga RTK-ja, ku protagonist ishte Adnan Merovci- ish këshilltar i Presidentit Rugova. Me atë rast atij iu shtrua pyetja, për harresën e Xhavit Ahmetit! Këtë harresë e pata veneruar, menjëherë pas lufte dhe kështu në koordinim me familjen e tij (vëllanë Qemajlin) më 2004 filluam procesin e emërtimit të një shkolle fillore të komunës sonë, me emrin “Xhavit Ahmeti”. Ky emërtim u tumir me kënaqësi nga të gjithë përfaqësuesit legjitim, të shkollës, ata lokal, komunal e të MASHT-it! Shumë vjet më pas u bënë edhe nja dy emërtime në Gjilan e Prishtinë! Kjo është fare pak për një figurë kaq me vlerë, për një visar kaq të madh kombëtar! Ndaj tij borxhi politik i LDK-së është i madh (Merovci tha: “...e ka dashur fort Presidenti Rugova”), por edhe më shumë ai institucional!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat