“Spiunët” serbë si skenar i përçarjes në Kosovë!

Opinione

“Spiunët” serbë si skenar i përçarjes në Kosovë!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 5 gusht 2024 Në ora: 20:11
Foto ilustrim

Ish-kryeministri Haradinaj akuzon kryeministrin Kurti si “spiun të Serbisë”! Ndërsa ish-zv.kryeministri Behgjet Pacolli, kërcënon presidenten Osmani me informacione kundër saj, duke shkruar se ai di shumë. Pra, në një farë mënyre edhe Pacolli kërcënon presidenten e vendit me akuza të kësaj natyre. Emisionet televizive në Kosovë gjithashtu janë shumëfishuar me temën e spiunëve dhe të spiunazhit. Çfarë po ndodh në fakt nw Kosovë? Nuk do ta shtroj pyetjen se a paguan Serbia për të ringjall armiqësitë e brendshme në Kosovën ende të pa definuar ndërkombëtarisht si shtet sovran dhe të pavarur për të përfituar dhe sabotuar këtë shtet. Por, jam i bindur se përfituese e këtij diskursi mediatik dhe politik në Kosovë është Serbia.

Nëse shohim personazhet që janë angazhuar në këtë skemë perfekte të përçarjes brenda shqiptare, atëherë nuk është zor të shohim se këto personazhe kanë qenë pjesë e shërbimit sekret të Serbisë. Këta mund të flasin pa e ditur qëllimin e editorial të emisioneve. Por ama ata përdoren e keqpërdoren me një qëllim të caktuar, duke shfrytëzuar gatishmërinë e tyre për të thënë disa të vërteta. Dhe e vërteta në parim duhet thënë. Por kur e vërteta thuhet pjesërisht, jo e plotë, çka bëhet vetëm përmes dokumenteve dhe për të gjithë, ajo shndërrohet në mjet përçarjeje, diversioni dhe deri diku hakmarrjeje mediatike ose politike. Asnjë dëshmitar i shërbimeve sekrete nuk mund ta përçojë të vërtetën bindëse për atë që thotë. Bindëse janë vetëm dokumentet. Derisa këto qëndrojnë të kyçura, atëherë duhen ndaluar spekulimet që përçajnë shqiptarët.

Pse tani po ushqehet intervistimi i nëpunësve dhe agjentëve të sigurimit jugosllav?! Pse pikërisht në këtë kohë janë shpeshtuar akuza të paprovuara e të pa dokumentuara për lidershipin e sotëm të Kosovës?! Unë besoj se në këtë proces linçimi dhe denigrimi është investuar Beogradi, po aq edhe shërbimi sekret rus. Nuk ka mundësi që debati të ndikojë edhe Ramush Haradinajn për etiketime ndaj kryeministrit të vendit, pa dhënë asnjë provë dhe asnjë fakt. Nuk ka mundësi që një ish funksionar i lartë i shtetit, si zoti Pacolli, të lëshojë kërcënime ndaj lidershipit të sotëm thjesht për shkak të një statusi të një këshilltari të presidentes së vendit.

Vjeshtën e kaluar kur në Fushë – Kosovë do bëhej promovimi i librit tim  “Gjeopolitika Ruse në Evropën Lindore dhe Juglindore, një farë Kajtazi, më duket nga Gjilani, i shkruante publikisht drejtorit të komunës së Fushë-Kosovës dhe i kërkonte të mos bëhej ky promovim, sepse “autori (pra unë) isha i dyshuar për lidhje me serbët dhe rusët”!  Për momentin, nja 10 a 20 sekonda u revoltova. Por pas pak thashë me vete “Ky duhet të ketë një problem me veten e tij. i kompleksuar nga problem i vet, kërkon ta transferojë atë tek të tjerët”! Kësisoj mendova se ky Kajtazi do bënte të njëjtën gjë edhe me dike tjetër, mjafton që të qetësojë veten e tij nga vuajtja që ndjen”! Dhe për pasojë nuk e vrava më trurin. M’ u kujtua ky rast, për të thënë se kur dikush shpif, nuk është problemi yt, është i shpifësit. Edhe zoti Pacolli, nëse nuk është filorus, kishte dhe ka mundësi ta tejkalonte situatën me një arsyetim të tillë. Nuk është gjithashtu e mundur që emisionet me spiunë qw akuzojnë të tjerët për spiunë, të mbushin programet televizive në këtë masë e çdo ditë, nëse nuk dalin përfitime personale e politike nga kjo fushatë.

Serbia është përpjekur dhe përpiqet që të nxisë, sidomos në Kosovë përçarjen fetare. Qëllimi është i shumëfishtë. Por duke qenë se besimi islam mbizotëron, ajo përpiqet të nxitë ekstremizmin tek myslimanwt e më pas t’i thotë Perëndimit se këta shqiptarët janë “ekstremistë islamikë” e madje “terroristë islamikë”! Përçarja, etiketimi, iniciativat e nxitura politikisht për gjoja “kthim në fenë e të parëve”, tw gjitha këto janë mekanizma provokimi që nxisin mazhorancën fetare kundër besimeve të krishtera në Kosovë e në shqiptari. Jo rastësisht ngacmohet shumica, sepse vetëm ajo ka potencialin e hakmarrjes. Harmonia fetare te shqiptarët ka qenë dhe është gjithmonë arma e suksesshme e luftës kundër synimeve serbe në Kosovë. Prandaj ajo e dëshiron mundësisht një luftë fetare në këtë vend.

Pas kësaj Beogradit i mbetet mundësia e përçarjes me spiunë. Dikush ka marrë në dorë skenarin serb dhe e zbaton pikë për pikë në këtë mision anti-shqiptar. Mund të jetë nga atë mediume që shkruan titullin sensasional “Serbët në veri festojnë madljen e Gjokoviçit”, e kur sheh videon të dalin vetëm tri vetura me flamuj serbë, të shfaqura në plane të ndryshme. Dikush tjetër beson se përfiton politikisht nga kjo skemë dhe nuk e vret trurin aq gjatë sa të mendojë se ku fillon e ku përfundon loja serbe e përçarjes së shqiptarëve. Ka nga ata që janë indiferentë ose partizanë e fanatikë partiakë që as duan t’ia dinë nëse dëmtohet apo jo Kosova me kësi qëndrimesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat