“Akademikët” komentues të sistemit të drejtësisë!..

Opinione

“Akademikët” komentues të sistemit të drejtësisë!..

Nga: Ismail Muçiqi Më: 17 prill 2025 Në ora: 21:59
Ismail Muçiqi

Partitë politike dhe deputetët, të cilët edhe sot e bllokuan konstituimine Parlamentit të Kosovës duke u barikaduar për interesa personale dhe karrieriste, gjatë tërë ditës janë shndërruar në komentues të ligjeve, rregulloreve dhe Kushtetutës së Kosovës. Kjo mendësi e kësaj klase politike, që po dëshmon çdo ditë se është larg nivelit të dijes, kulturës dhe përgjegjësisë, tani ka filluar të fajësojë rivalët politikë, duke i komentuar e interpretuar rregulloret Parlamentare, ligjet e Qeverisë deri tek akti më i lartë – Kushtetuta e Kosovës. Kjo çmenduri që po i ndodh vendit ka marrë përmasa shqetësuese, jo vetëm te partitë politike dhe te deputetët, por edhe te disa organizata të Shoqërisë Civile, të cilat pretendojnë se janë Institute për mbrojtjen e Drejtësisë. Fati i rregullativës ligjore tashmë është bërë temë diskutimi i përhershëm nëpër ekranet televizive, të cilat po krijojnë vetëm konfuzion dhe kaos në shoqërinë kosovare. Gjendja në Sistemin e Drejtësisë, i cili prej vitesh është përfolur nga të gjitha shtresat e shoqërisë, është pasqyra më e qartë se kemi shume probleme sistemore që kërkojnë reforma të patjetërsueshme. Sot, rolin e Sistemit të Drejtësisë e kanë marrë pseudo-gazetarët dhe pseudo-analistët, tashmë të njohur për opinionin Kosovar, të cilët me komentet dhe analizat e cekëta po e mjegullojnë edhe më shumë realitetin juridik dhe institucional. Të gjitha këto që po i ndodhin Kosovës janë padyshim pasojë e mungesës së dinjitetit, integritetit, kulturës së komunikimit dhe etjes patologjike për pushtet. Ndërkohë qytetarët e Kosovës pjesa dërrmuese e tyre çdo ditë e më shumë po ballafaqohen me gjendje të rëndë socialo-ekonomike, me rritjen e çmimeve dhe inflacionin që po troket në dyert e qdo familje, klasa politike po vazhdon betejen e mjerimit për ta marrur pushtetin. Koha po tregon se shoqëria kosovare ka probleme kronike në ndërtimin e një identiteti të qëndrueshëm politik dhe shoqëror. Gjuha e komunikimit të politikanëve dhe deputetëve është shndërruar në mollë sherri, e padurueshme, me plot nxitje dhe tensione, që në thelb kanë urrejtje patologjike ndërmjet Shqiptarëve. Kosova përballet me probleme të shumta që kërkojnë zgjidhje urgjente – jo përçarje dhe urrejtje – të cilat tashmë janë bërë karakteristikë e politikës të mjerë që mbahet peng nga parti me liderë të konsumuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat