Gjendje dëshpëruese. Sa kaq pak zëra për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë. Ose zëra të ngatërruar "instrumental" që lëshojnë aty- këtu ndonjë tingull të shurdhër.
E duam shtetin? Apo shtiremi se e duam? Mjaft me demagogji, hile, prapaskena kundër njëri-tjetrit! Mos humbni energji në përçarje. Kjo nuk çon askund. Larg nga mentaliteti fisnor- krahinor: Llap- Drenicë e Dukagjin! Të kaluarën, të bëmat e të pabëmat, lërjani historianëve dhe historisë.
Ku je Akademi e Shkencave dhe Arteve të Kosovës? Shoqata e të Burgosurëve Politik? Organizata (jo) qeveritare, Lidhje Shkrimtarësh...institute shkencore, pa shkencë etj.etj.
Pse që nga paslufta nuk u jipet vendi meritor, njerëzve të ditur, por mbahen të ndrydhur, në vartësi për një kafshatë bukë?
ASHAK mos ke mbetur vetëm për ceremoni mortore dhe dekorata? Institucion që nuk t'u ndëgjue zëri as për "gëzime" dhe "hidhërime"? Ku janë intelektualët e (kacavarur!) pavarur e të partizuar të Kosovës?
A di kush se nga po shkojmë?
Mos të harrojmë, se të gjithë ata që zhvatën shtetin, shkelën ligj dhe Kushtetutë, kot mbajnë poste partiake - shtetërore, perfeksionojnë oratorinë, "makinën" po e çojnë drejt një humnere edhe më të thellë!
Hapni krah për të diturit, të devotshmit, ata që kanë ideale për ta ndërtuar shtetin.
Sinqerisht i juaji,
Fehmi Pireva, shkrimtar