LDK e Kosovës sot, si Partia Komuniste e Shqipërisë, të kujton parullën komuniste për ta kthyer humbjen në fitore. Kjo duket nga entuziazmi Osmani–Abdixhiku, që LDK, e cila doli përsëri e treta në këto zgjedhje, binomi Abdixhiku–Osmani po e feston si fitore, dhe, për absurd tjetër, Vjosa Osmani i kërkon LVV-së që ta zgjedhë përsëri si Presidente.
Lidhja Demokratike e Kosovës përfundimisht ka përfunduar në një parti inerciale, një organizatë politike e dobët, e paralizuar nga plogështia, pa forcë dhe pa guxim për të ndryshuar, një organizatë e çorganizuar dhe pa alternativë.
Atë po e mban vetëm konkurrenca se kush të duket më shumë si rugovist i së shkuarës së tretur tashmë. Ajo që ra në sy gjatë fushatës elektorale, ajo që artikulonte Vjosa me thirrjet “Rugova, Rugova” dhe duke kërkuar mbështetje nga rugovistët, të kujton thirrjet dhe brohoritjet në Shqipëri: “Parti–Enver jemi gati kurdoherë”, edhe pse Enveri kishte vdekur.
Në LDK askush nuk e ka autoritetin dhe aftësinë për të qenë një lider i besueshëm dhe serioz.
LDK e ka treguar veten si një parti e kapur nga një elitë politike, ku politika e saj është gara për të marrë e siguruar privilegje, korrupsion dhe pasuri; si një parti servile dhe satelit i çdo force politike në Kosovë që del e para në zgjedhje.
Shembulli më i mirë që e vërteton këtë është binomi i sotëm Abdixhiku–Osmani, sidomos kjo e fundit që bën akrobacira politike: herë krijoi një parti “Guxo”, pastaj kërkoi ndihmën e LVV për t’u bërë Presidente duke e tradhtuar dhe braktisur LDK-në, e pastaj krijoi një parti “Shpresa”, dhe më pas u rikthye, me demek, në shtëpinë politike për ta shpëtuar gjoja LDK-në, por me qëllimin dhe shpresën e vetme për të marrë edhe njëherë postin personal si Presidente. Shikojeni se tani përsëri i kërkon LVV-së dhe Kurtit që ta bëjnë Presidente. Ja pra në çfarë derexheje ka rënë LDK-ja.