Degët e shkencave ekzakte mbeten bosh në Shkodër dhe Elbasan

Shqipëria

Degët e shkencave ekzakte mbeten bosh në Shkodër dhe Elbasan

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 22:09
Foto ilustrim

Vetëm 9 studentë rezultojnë të regjistruar në degën e fizikës në Universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, për këtë vit të ri akademik. Të dhënat për braktisjen e degëve të shkencave, ngrenë alarmin se vendi do të mbetet pa mësues të fizikës e matematikës brenda pak viteve.

Shqipëria rrezikon që në një të ardhme të afërt të vuajë për mësues matematike e fizike. Të dhënat e regjistruara në Universitetin "Luigj Gurakuqi" në Shkodër tregojnë se vetëm 6 studentë kanë preferuar degën e fizikës dhe një numër kaq i ulët është edhe te matematika.

Program i fizikës në Universitetin e Shkodrës ka 25 kuota të lira, ndërsa ai i matematikës 35.

Edhe nëse deri më 26 tetor, kur përfundon faza e fundit e regjistrimeve, asnjë student nuk paraqet interes, degët e Matematikës e Fizikës në Shkodër nuk do të mbyllen, pasi drejtuesit e universitetit nuk kanë përcaktuar kuota minimale.

Një panoramë krejt tjetër kanë degët që lidhen me mjekësinë të cilat që në raundin e parë i kanë plotësuar kuotat e pranimit të studentëve.

Më alarmante është situatë në universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasanit.

Nga burime jozyrtare mësohet se vetëm 3 studentë rezultojnë të regjistruar ndërkohë që për t'u hapur si program duhen të paktën 11.

Siç tregojnë edhe pamjet, pavarësisht se ka një javë që ka filluar viti akademik sallat dhe laboratorët e universitetit për degët e shkencave ekzakte janë bosh.

Drejtuesit e Universitetit të Elbasanit refuzojnë të komentojnë këtë situatë, por në nisje të vitit të ri akademik rektori Skënder Topi konfirmoi se veç programeve  të mjekësisë të tjerat kanë ende shumë kuota të lira.

"Patjetër që ka kuota të lira sepse ne kemi realizuar rreth 55-60% të kuotave në nivel universiteti," tha ai.

Braktisja e shkencave ekzakte nga studentët shqiptarë ka nisur vitet e fundit, ndërsa një prej shkaqeve është edhe rritja e mesatares në 7.5 për degët e mësuesisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat