Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar me shqetësim pas përshkallëzimit të dhunshëm të protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore europiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Përfaqësia diplomatike europiane u bën gjithashtu thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të angazhohen në dialog.
“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.