Lushaku-Sadriu: Kurti është kundërthënës, LDK konsistente në qëndrimet e saj

Aktuale

Lushaku-Sadriu: Kurti është kundërthënës, LDK konsistente në qëndrimet e saj

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 18:01
Jehona Lushaku-Sadriu

Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, njëherit anëtare e Kryesisë së kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mënyrën e qeverisjes.

Ajo ka thënë se kryeministri është kontrovers, ndërsa sipas saj, LDK-ja është konsistente në qëndrime.

“Kryeministri nuk është aspak konsistent në deklaratat e tij. Është kontrovers. Shpeshherë në diskursin e tij kemi parë lëvizje në qëndrimet e tij, duke u munduar ta kamuflojë…Preokupimi i tij kryesor është si ta ‘shesë’ për qytetarët. Ai po brengoset dhe po e përdor diskursin për të qenë i pranueshëm për qytetarët”, është shprehur Lushaku-Sadriu.

Duke e arsyetuar këtë, ajo ka thënë se LDK-ja e mbështetë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, pasi vetë e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë por se kjo duhet të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Ndërsa, LDK-ja është konsistente në qëndrimet e saj për atë që ka thënë më herët kur ka qenë në pozitë. Edhe Asociacionin edhe temat e vështira që kanë qenë të papranueshme për LVV-në në opozitë, ne tani i mbështesim për aq sa i kemi nënshkruar dhe qëndrojmë prapa tyre duke i respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Sa i përket dialogut, Lushaku-Sadriu ka kritikuar ekzekutivin për mungesë transparencë, ikje nga përgjegjësia dhe moskoordinim me aleatët ndërkombëtarë.

“Ne si parti qëndrimet tona i kemi pasur shumë të qarta. Kemi ndërtuar disa parime të cilat kemi kërkuar që të respektohen nga Qeveria. Kemi kërkuar njohje reciproke me Serbinë, respektim të Kushtetutshmërisë së Kosovës dhe koordinim me aleatët. Kemi kërkuar që të na ofrohet një qasje e qartë nga kryeministri”, ka deklaruar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat