Anëtari i Guxo-s, Luan Gacaferi, ka reaguar ndaj deklaratës së Nasim Haradinajt për deputeten e LDK-së, Vjosa Osmani, të cilës i kishte thënë: “Të flasë për babin e vet, veç se di a guxon”.
Gacaferi ka thënë se, pavarësisht mospajtimeve politike me Osmanin, është e papranueshme që asaj t’i bëhet ligjëratë për patriotizëm.
Ai ka theksuar se Osmani ka mbrojtur interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa ka rikujtuar edhe pjesëmarrjen e saj në protestën për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Gacaferi ka kritikuar ata që, sipas tij, dikur e pranuan Osmanin në protestë, ndërsa sot e sulmojnë për deklaratat e saj.
Reagimi i plotë:
Nuk ka çka flet ish-presidentja për babanë e vet, sepse nuk ka njeri në botë që mund të më bindë se ti je më patriot se zonja Osmani!
Mund t’i kem 1001 mospajtime politike me zonjën Osmani, por t’i mbahet ligjëratë për patriotizëm Vjosa Osmanit, kjo është e papranueshme dhe e padurueshme.
Zonja Osmani nuk ka "privatizuar" mijëra hektarë tokë të Kosovës as në emër të luftës e as në emër të patriotizmit. Përkundrazi, ajo i ka mbrojtur interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare si pak kush tjetër.
Gabimi i saj fatal ishte që ju bashkua juve në atë protestë për ish-presidentin, i cili dikur nëpër studio televizive i thoshte se babai i saj paska qenë "milic i Millosheviqit".
Pse e pranuat në protestë ju "patriotët", nëse e dinit kush paska qenë babai i saj? Pse nuk i thatë atëherë: "Ik, se nuk na duhet vajza e filanit"?
Dhe ja ku jemi sot, prapë të njëjtit njerëz e sulmojnë në momentin e parë që nuk u pëlqen një deklaratë e saj! Kur doli në protestë për ata në Hagë, ishte e mirë, tani e njëjta grua u bë e keqe!