Pse Edi u tregua kaq i pabesë ndaj Albinit?

Aktuale

Pse Edi u tregua kaq i pabesë ndaj Albinit?

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 13:02
Albin Kurti dhe Edi Rama

Ajo që ka ndodhur ditët e fundit ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës është një precedent i rrezikshëm, që historikisht nuk është parë në marrëdhënieve mes dy shteteve.

Edi Rama, në mënyrë publike, sulmoi Kurtin jo vetëm nga BBC, por edhe në mediat e Tiranës, kur bëri të ditur se nuk donte ta këshillonte homologun e tij që të mos acaronte situatën, ngaqë ai nuk ja ka kërkuar. Një cinizëm i hapur, e pabesi në të gjitha drejtimet ndaj një partneri që Shqipëria e konsideron prej 33 vjetësh si më i ngushti.

Asnjëherë, edhe kur ka pasur mospajtime mes krerëve të Tiranës dhe Prishtinës nuk ka ndodhur një sjellje të tillë, kaq poshtë brezit mes njëri tjetrit.

Ramiz Alia, nuk e kishte fare simpatinë e Ibrahim Rugovës apo Bujar Bukoshit në fillimet e viteve 90, por duke u nisur nga rëndësia për bashkëpunimin Tiranë-Prishtinë, ata punuan për mrekulli së bashku e pa asnjë pengesë.

Ashtu edhe në vitet në vijim, e deri te pavarësia. Tirana e Prishtina nuk kanë ndalur mekanizmin e krijuar ndër vite ndërmjet dy shteteve për të dhënë e marrë që nga këshillat, te informacioni, inteligjenca e klasifikuar, por edhe ndihma të tjera. Kurse në momentin që Albin Kurti është bërë kryeministër, Rama e ka prishur mekanizmin e ingranazheve shtetërore të bashkëpunimit, e gjithçka e ka fiksuar në nivelin personal. Duke krijuar kështu këtë absurditet të një marrëdhënieje të bllokuar Tiranë-Prishtinë.

Në gjendjen e rëndë, në të cilën ndodhej veriu i Kosovës, Edi Rama, mundej që të këshillonte Albinin, edhe nëse ky i fundit nuk do ‘ja kërkonte’.

Tirana, ka mundësi që nëpërmjet shërbimit sekret e diplomacisë, të jetë në dijeni të zhvillimeve, për të cilat Prishtina do të ishte e interesuar. Rama, mund të shprehej publikisht duke i kërkuar Aleksandër Vuçiçit që të tërhiqte elementët e dhunshëm të dërguar nga Beogradi në veriun e Kosovës. Por në vend të kësaj, kryeministri i Shqipërisë bëri edhe më keq.

Në samitin e Bratislavës, as u takua fare me Albin Kurtin, ndërsa në samitin e Moldavisë, bëri paradë me Aleksandër Vuçiç, duke u thekur në kafe, ndërkohë që nuk u takua me Vjosa Osmanin, mërinë ndaj të cilës e mban si një anadollak i babaqemos, pasi sipas tij ka mbështetur Metën e Berishën dikur në fushatë.

Kjo nuk është asgjë tjetër veçse shkelje e Kushtetutës së Republikës, e cila detyron qeverinë e Shqipërisë që të kujdeset për çdo shqiptar që jeton jashtë kufijve zyrtarë.

Kjo sjellje e Ramës, është një precedent që sipas të gjitha gjasave nuk do të kalojë kollaj, por do të lërë një vragë të madhe në relacionin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Prishtinës. Pasi është rritur edhe helmi në klimen mes njerëzve, që të ndikuar nga politika po i bëjnë keq njëri-tjetrit me furinë e komenteve negative në rrjete sociale e media.

I takon Bajram Begajt, që si kryetar shteti të ndërhyjë menjëherë sa nuk është vonë. Nuk ka nevojë publikisht, por si President t’i kërkojë Edi Ramës t’i japë fund goditjeve poshtë brezit ndaj Albinit, e të riaktivizojë ingranazhet diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Është absurde që ambasadori i Kosovës në Tiranë, nuk është prezent në asnjë forum të qeverisë shqiptare, ndërkohë që ambasadori Minxhozi në Prishtinë del thuajse çdo javë nën shoqërinë e Albin Kurtit.

Bajram Begaj, me mekanizmat kushtetues mund ta zhbllokojë situatën menjëherë. E nëse nuk ja arrin, duhet të dalë publikisht e të dënojë fajtorin. /Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat