Mitrovica fituese e Kupës së Kosovës 

Futboll

Mitrovica fituese e Kupës së Kosovës 

Më: 17 maj 2023 Në ora: 19:54
Mitrovica

Futbollistet e Mitrovicës e kanë fituar trofeun e parë të këtij edicioni për futbollin e vajzave.

Ato në finalen e Kupës së Kosovës e kanë mundur skuadrën e EP Hajvalisë, me rezultat 2:1.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, solli rivalitet dhe lojë interesante nga të dyja ekipet.

Image

Të parat në epërsi kaluan mitrovicaset, të cilat realizuan përmes Edona Kryeziut, në minutën e 10-të. E njëjta futbolliste paraprakisht qëlloi tërthorësen pas gjuajtjes me kokë në minutën e 4-t.

Skuadra e drejtuar nga Suad Keqi pati mundësi të mirë për të barazuar shifrat në minutën e 34-t, por Fortesa Berisha në një përballje direkte me portieren Viona Rexhepi nuk doli e suksesshme.

Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë ishte Qëndresa Krasniqi, e cila i barazoi shifrat, duke çuar skuadrat në pushim me shifrat e barabarta, 1:1.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës ishte më i dobët, pasi të dyja ekipet luanin më me kujdes.

Mirëpo, për fitoren e skuadrës së Mitrovicës, të drejtuar nga Fahrudin Duraku, u përkujdes Donjeta Halilaj, e cila në minutën e 79-të shënoi për rezultatin përfundimtar 2:1.

Në fund, medaljet për të dyja ekipet finaliste dhe trofeun për kapitenen e Kaltrina Biqkaj e ndanë Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së, Përparim Drini, drejtor i Sigal Uniqa dhe Valbona Gashi Uka, menaxhere e futbollit të vajzave në FFK.

Nga afër këtë ndeshje e ndoqën edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtarë të KE të FFK-së si dhe zyrtarë nga MKRS dhe KOK-u.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat