Assomo dhe Cardozo në listën e Bayernit për sfidën ndaj Hamburgut

Futboll

Assomo dhe Cardozo në listën e Bayernit për sfidën ndaj Hamburgut

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 13:38
Talenti i ri i sulmit: Bastian Assomo mund të marrë mundësinë e tij te ekipi i parë i Bayernit.

Bayern Munihu do të ketë dy talente të rinj në dispozicion për transfertën ndaj Hamburgut.

Për shkak të mungesave të shumta në repartin ofensiv, trajneri Vincent Kompany është detyruar të kërkojë alternativa në akademinë e klubit, duke përfshirë në listën e skuadrës sulmuesin 16-vjeçar Bastian Assomo dhe talentin braziliano-tajlandez Maycon Cardozo.

Sipas mediumit gjerman “Kicker”, Assomo është një nga talentet më premtues të akademisë së Bayernit. Sulmuesi 1.90 metra i gjatë ka tërhequr vëmendjen me para qitjet e fundit, veçanërisht me përfaqësuesen U17 të Gjermanisë, për të cilën realizoi tetë gola në tri ndeshje.

Ai gjithashtu ka shënuar gjashtë gola në 12 paraqitje me ekipin e dytë të Bayernit në Regionalliga Bayern, ndërsa të mërkurën realizoi edhe në fitoren 3:2 ndaj Lille në UEFA Youth League.

I lindur në Berlin, Assomo kishte marrë pjesë edhe në përgatitjet verore me ekipin e parë. Ai konsiderohet një talent me potencial të madh, por drejtuesit e klubit dhe trajnerët besojnë se është ende herët që t'i besohet roli i zëvendësuesit të Harry Kane.

Megjithatë, mundësia për të marrë disa minuta në Bundesligë nuk përjashtohet. Sipas raportimeve të Kicker, Kompany e ka përfshirë në listën e lojtarëve për ndeshjen në Hamburg.

Cardozo rikthehet pas mungesës së gjatë

Një tjetër emër interesant në listën e Bayernit është Maycon Cardozo, 18-vjeçari që mund të ofrojë alternativa në krahët e sulmit.

Braziliano-tajlandezi kishte regjistruar dy paraqitje në Bundesligë sezonin e kaluar, por më pas u detyrua të qëndronte për disa muaj jashtë fushave për shkak të një problemi në shpatull, që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale.

Cardozo mund të aktivizohet në të dy krahët e sulmit, por edhe pas sulmuesit kryesor. Ai pritet ta nisë ndeshjen ndaj Hamburgut nga banka rezervë, ndërsa rikthimi në skuadër përbën një lajm të mirë për Kompanyn.

Kompany përballet me mungesa të shumta

Problemet e Bayernit në repartin ofensiv janë shtuar edhe më shumë pas dëmtimit të ri të Jamal Musialës, i cili do të mungojë për një periudhë të gjatë.

Përveç tij, ndaj Hamburgut nuk do të jenë në dispozicion as Harry Kane, Michael Olise dhe disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm.

Në dispozicion të trajnerit janë edhe dy të rinj të tjerë, Tim Binder dhe Noah Codjo-Evora, të dy 19-vjeçarë, të cilët mund të jenë alternativa për sfidën e radhës.

Pavarësisht problemeve me dëmtimet, Bayerni udhëton drejt Hamburgut me objektivin e qartë për të marrë tri pikët dhe për të mos humbur kontaktin me Borussia Dortmundin në garën për kreun e Bundesligës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat