Modriç kërkon largimin

Futboll

Modriç kërkon largimin

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 14:42
Luka Modriç

Luka Modriç ka marrë një ofertë joshëse nga Arabia Saudite prej 120 milionë eurosh neto për tri sezone.

Kroati e ka informuar Real Madridin për qëllimin e tij për ta pranuar atë, sipas “Ok Diario”, pavarësisht faktit se kishte rënë dakord të vazhdonte edhe një vit në “Bernabeu”. Klubi i bardhë i kapërceu dyshimet për performancën e tij, edhe pse mbush 38 vjeç në shtator, edhe pse nuk hoqi dorë nga kombëtarja e tij, që do të thotë një ngarkesë e dyfishtë ndeshjesh, që kushtëzojnë fizikun e yllit kroat.

Kroati iu bashkua Real Madridit në sezonin 2012-2013 nga Tottenham për 40 milionë euro.

Sapo mbërriti u bë një nga referencat e “Los Blancos”, me të cilët ka fituar gjithçka qysh atëherë.

Ai ka fituar 23 tituj në 10 sezone me të bardhët, mes tyre 5 Champions League, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm për Real Madridin në dekadën e fundit.

Kroatit i përfundon kontrata më 30 qershor dhe dëshira e tij ishte të vazhdonte edhe një vit “vetëm për meritë”. Performanca e tij ka qenë edhe një herë kyçe në bërthamën e skuadrës së Ancelottit për të bindur klubin, por tani është ai që kërkon të largohet, i tunduar nga ajo ofertë arabe.

Modric mund ta mbyllë karrierën me skuadrën madrilene në ditët në vijim, për të luajtur në një kompeticion më miqësor dhe më pak konkurrues, duke pranuar një ofertë miliona dollarëshe, që do t’i jepte një shpërblim të majmë financiar karrierës së tij të gjatë. Mesfushori e ka informuar klubin se do ta pranojë ofertën saudite, përkundër marrëveshjes për ta vazhduar kontratën në “Bernabeu” edhe një sezon, siç po ndodh me Benzema.

Lajmi nuk e ka befasuar Real Madridin, i cili prej muajsh e dinte ofertën, megjithëse priste që ajo të refuzohej. Tani, duke pasur parasysh largimin e Modric, klubi është fokusuar në vazhdimin e kontratës së Ceballos, e cila po ashtu përfundon më 30 qershor, dhe thirret për të marrë “stafetën” nga kroati.

Andaluziani është më afër rinovimit, pavarësisht se vetëm një javë më parë kishte një këmbë më shumë jashtë se brenda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat