Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, ka kritikuar Michael Olisen pas kartonit të kuq të marrë në barazimin dramatik 3-3 ndaj Viking Stavangerit në Ligën e Kampionëve.
Momenti vendimtar ishte përjashtimi i Olises në minutën e 74-të, pasi francezi mori kartonin e dytë të verdhë për sjellje josportive.
Ylli i Bayern Munichut, pas një përplasjeje me kapitenin e Vikingut, Zlatko Tripic, humbi qetësinë dhe e gjuajti topin në drejtim të kokës së kundërshtarit, duke u ndëshkuar nga gjyqtari.
“Ky karton i kuq ishte shumë budallallëk. E kemi diskutuar qartë këtë çështje. Michael duhet ta kontrollojë më mirë veten në situata të tilla. Ai e di këtë”, deklaroi Kompany.
Trajneri belg shtoi se Olise e kishte kuptuar gabimin e bërë dhe se ishte i vetëdijshëm për ndikimin që përjashtimi i tij pati te skuadra.
“E patë se i vinte keq për ekipin. Kjo nuk ishte një finale apo gjysmëfinale, por momente të tilla mund të jenë vendimtare gjatë një sezoni”, theksoi Kompany.
Edhe sulmuesi Harry Kane, i cili realizoi dy gola në këtë përballje, kërkoi që bashkëlojtari i tij të marrë përgjegjësinë për veprimin e bërë.
“Michael është absolutisht i shkatërruar, por duhet të marrë përgjegjësi. Ai duhet të mësojë nga kjo”, u shpreh Kane.
Si pasojë e përjashtimit, Olise do të mungojë në përballjen e ardhshme të rëndësishme të Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve kundër Arsenalit, e planifikuar për të mërkurën e ardhshme.