Trajneri i Real Madridit, José Mourinho, ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës në pjesën e dytë ndaj PSV-së, duke veçuar ndikimin e Jude Bellinghamit në përmbysjen e rezultatit. Portugezi foli edhe për bisedën me futbollistët gjatë pushimit, duke theksuar se ajo që ndodh në dhomën e zhveshjes duhet të mbetet aty.
Reali triumfoi me rezultat 5:1 ndaj PSV-së në Ligën e Kampionëve, pas një pjese të parë zhgënjyese, në të cilën skuadra holandeze kishte treguar lojë shumë të mirë.
Trajneri madrilen nuk i kurseu elozhet për mesfushorin anglez, i cili pati ndikim vendimtar pas hyrjes në lojë.
“Bellingham zhvilloi një ndeshje absolutisht fantastike. Ai e ndryshoi rrjedhën e lojës, shënoi një gol të jashtëzakonshëm dhe i dha skuadrës atë që i mungonte në pjesën e parë
Kam menduar se mund të fitonim edhe pa të dhe jam përpjekur ta ruaj sa më shumë, por prania e tij në stol ishte vendimtare”, deklaroi Mourinho për “Movistar”.
Biseda në dhomën e zhveshjes mbetet sekret
I pyetur për atë që u tha gjatë pushimit, Mourinho u përgjigj me humor, duke përdorur një krahasim të njohur.
“Dhoma e zhveshjes është si Las Vegasi: ajo që ndodh në Las Vegas, mbetet në Las Vegas. Kemi biseduar, jemi miq dhe kemi folur”, u shpreh trajneri portugez.
Ai shpjegoi se skuadra kishte ndryshuar dukshëm qëndrimin në pjesën e dytë, duke ushtruar presion më të lartë dhe duke fituar më shumë duele individuale.
“Në pjesën e parë nuk gjetëm ritmin, nuk ushtruam presion dhe nuk fituam duelet individuale. Në pjesën e dytë presuam lart dhe mbajtëm vijën mbrojtëse shumë përpara. PSV-ja pothuajse nuk arriti më të dilte nga gjysmëfusha e vet me topin nën kontroll”, theksoi ai.
Mourinho: Bellingham është mesfushori më i mirë në botë
Në konferencën për shtyp, Mourinho e vlerësoi edhe më shumë yllin anglez, duke kritikuar faktin se ai nuk ishte përfshirë në dhjetëshen e parë të garës për Topin e Artë.
“Për mua, ai është futbollisti më i mirë në botë në mesfushë. Mund të luajë si numër 10, por edhe si numër 8.
Ka gjithçka: vizionin e lojës, inteligjencën taktike dhe cilësitë e nevojshme. Është skandaloze që nuk ishte në dhjetëshen e parë të Topit të Artë”, deklaroi Mourinho.
Trajneri pranoi se nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në 45 minutat e para dhe se kishte analizuar me stafin teknik disa situata për t'ua treguar futbollistëve gjatë pushimit.
“E pashë pjesën e parë dhe ishte shumë e dobët. Së bashku me analistët gjetëm tri ose katër pamje që tregonin gabimet tona. Një pamje vlen sa një mijë fjalë dhe kështu ishte shumë më e lehtë për futbollistët të kuptonin se çfarë po bënin gabim”, shpjegoi ai.
Në fund, Mourinho theksoi se Bellingham është një lider i natyrshëm, i cili kërkon shumë nga vetja dhe i motivon edhe bashkëlojtarët.