Të shtëna vdekjeprurëse në Gjermani, arrestohet 60-vjeçari i dyshuar për vrasjen e dy zyrtarëve

Të shtëna vdekjeprurëse në Gjermani, arrestohet 60-vjeçari i dyshuar për vrasjen e dy zyrtarëve

Nga: A.M. Më: 9 tetor 2026 Në ora: 10:22
Fotoilustrim / The Associated Press.

Policia gjermane ka arrestuar një person të dyshuar pas të shtënave vdekjeprurëse në Berngau, në rajonin e Palatinatit të Epërm, në Gjermani, ku humbën jetën dy punonjës të Zyrës së Qarkut Neumarkt.

I dyshuari, 60-vjeçar, akuzohet se ka qëlluar për vdekje një punonjës dhe një punonjëse gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit.

Sipas policisë, operacioni për arrestimin e tij u zhvillua rreth orës 02:20, kur forcat e rendit ndërhynë në një shtëpi ku ai ishte barrikaduar, raporton Euronews, transmeton "Bota sot".

Një zëdhënës i policisë bëri të ditur se ndërhyrja u realizua duke përdorur mjete shpërthyese. Gjatë operacionit, i dyshuari u plagos lehtë nga një plumb në këmbë.

Ai është dërguar për trajtim mjekësor, konfirmoi zëdhënësi.

Ngjarja kishte ndodhur të enjten, rreth orës 14:00, kur banorët e zonës raportuan në polici se kishin dëgjuar të shtëna armësh. Pas raportimeve, autoritetet u kërkuan banorëve të fshatit dhe zonave përreth që të mos dilnin nga shtëpitë e tyre.

Sipas informacioneve fillestare, të shtënat ndodhën gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit, të kryer nga dy punonjës të autoritetit të qarkut Neumarkt. Ata po kontrollonin një person kur u qëllua me armë zjarri.

Pas të shtënave, i dyshuari u barrikadua brenda një ndërtese. Forcat speciale rrethuan vendin dhe tentuan të negocionin me të, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Megjithatë, përpjekjet e tyre nuk patën sukses.

Banorët ruajnë qetësinë pas ngjarjes së rëndë

Kryetari i komunës së Berngaut, Thomas Meier, deklaroi për gazetën lokale Die Mittelbayerische se banorët po e përballonin situatën me qetësi.

Ai vlerësoi gjithashtu solidaritetin mes banorëve, të cilët komunikojnë rregullisht përmes aplikacioneve të mesazheve dhe rrjeteve sociale.

Komuna e Berngaut ka rreth 2.600 banorë. Pas ngjarjes, aktivitetet lokale, përfshirë takimet e shoqatave dhe seancat stërvitore, janë anuluar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat