Balli Kombëtar në kujtimet e oficerëve britanikë me mision në Shqipëri gjatë Luftës

Historia

Balli Kombëtar në kujtimet e oficerëve britanikë me mision në Shqipëri gjatë Luftës

Nga: Xhemil Meço Më: 3 mars 2021 Në ora: 16:17
Partia Balli Kombëtar

Pasi e tradhëtuan Marrëveshjen e Mukjes nën presionin e partisë komuniste jugosllave, komunistët shqiptarë në Konferencën e dytë të Labinotit më 4 shtator 1943 morën vendimin t’i hapnin luftë totale Ballit Kombëtar duke filluar kështu Luftën Civile. Hapi i parë që ndërmorën komunistët shqiptarë ishte një propagandë e gjerë e cila do ta cilësonte Ballin si një organizatë “tradhetare” e cila bashkëpunonte me fashistët italianë, kundër të cilëve në realitet Balli Kombëtar kishte zhvilluar shumë beteja të përgjakshme. Kjo propagandë e gënjeshtërt vazhdoi gjatë gjithë Luftës, por edhe më pas gjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste. Kjo propagandë vazhdon edhe sot, në vitin 2021, në shtypin shqiptar, ku të ashtuquajtur “historianë” të dalë nga shkolla komuniste vazhdojnë të propagandojnë kundër Ballit Kombëtar, por kësaj radhe duke u përpjekur të vërtetojnë gënjeshtrat komuniste me gjoja raporte nga arkivat anglo-amerikane, të cilat i keqinterpretojnë qëllimisht dhe i lexojnë me syzet marksiste.

Por çfarë thonë në të vërtetë oficerët britanikë për Ballin Kombëtar? Disa prej tyre kanë botuar kujtime të kohës kur kanë qenë në Shqipëri duke na lënë një dëshmi të qartë dhe një pamje të kthjellët të asaj që ndodhi në Shqipëri në vitet 1943-1944.

Dy oficerët e parë britanikë që hynë në Shqipëri në muajin maj të vitit 1943 ishin David Smajli (David Smiley) dhe Billi Maklin (Billy McLean). Misioni i tyre ishte të merrnin kontakt me të gjitha grupimet luftarake shqiptare dhe t’i ndihmonin që të luftonin forcat italiane dhe më pas gjermane.

Në librin e tij “Me mision në Shqipëri”, David Smajli tregon se grupi i parë i oficerëve britanikë ishte hedhur me parashutë në Greqi në muajin prill 1943 dhe prej aty, forcat komuniste greke të ELAS i kishin shoqëruar tek partizanët në Shqipëri. Që në fillim komunistët ishin përpjekur të mos i lejonin oficerët britanikë të merrnin kontakt me Ballin Kombëtar duke e akuzuar këtë të fundit se bashkëpunonte me fashistët italianë. Në një kohë kur Balli Kombëtar kishte zhvilluar shumë beteja të përgjakshme me italianët, të cilat janë të dokumentuara nga shtypi i Ballit Kombëtar të asaj kohe: Lufta e Gjormit 28 dhjetor 1942 – 2 janar 1943 nën komandën e Hysni Lepenicës, Lufta e Greshicës (Mallakastër) 5 shkurt 1943, Lufta e Selenicës (01/04/1943), Lufta e Ruzhdijes, Lufta e Gjinoqarit (18/06/1943), Lufta e Beratit në qershor 1943 etj.

Megjithë pengesat e nxjerra nga komunistët, David Smajli tregon se u takua me Safet Butkën, i cili drejtonte Ballin Kombëtar në zonën e Korçës. Smajli thotë se “Ballistët nuk ishin ashtu siç pretendonin partizanët” dhe “ata nuk kishin bashkëpunuar me italianët”. Smajli tregon gjithashtu se në datën 12 gusht 1943 një çetë prej 200 vetash e Ballit Kombëtar e dërguar nga Safet Butka dhe nën komandën e kapiten Qemal Burimit dhe me pjesëmarrjen e oficerëve anglezë organizoi pranë fshatit Barmash një pritë ndaj një autokolone gjermane. Forcat partizane nuk deshën në asnjë mënyrë që prita të realizohej dhe u përpoqën me çdo kush ta pengonin duke dërguar Petrit Dumen që gjoja do bënte dhe ai një pritë. Vetëm kërcënimi i Smajlit se anglezët do të ndërprisinin ndihmat i largoi komunistët. Si përfundim prita u realizua me sukses nga Balli Kombëtar dhe “23 gjermanë mbetën të vrarë, u shkatërruan 1 kamion i madh trupash, 1 top 88mm dhe 3 kamionë të tjerë”. 

Smajli në librin e tij tregon edhe për një sulm tjetër të një çete të Ballit ndaj gjermanëve ku kishin mbetur 7 të vrarë dhe 3 ishin zënë rob .

Atëherë lind pyetja, si mund të pretendojë historiografia komuniste se Balli Kombëtar nuk luftoi kundër gjermanëve? Si mund të thonë historianët komunistë se anglezët “për afro 6 muaj pasi erdhën në Shqipëri tentuan ta mobilizojnë Ballin në luftë por nuk arritën t’i bindnin”?! Kur vetë oficerët anglezë ishin dëshmitarë të luftimeve të Ballit Kombëtar kundër gjermanëve.

Duket qartë se kemi të bëjmë këtu, si zakonisht, me gënjeshtrat e propagandës komuniste.

Por është e vërtetë që Anglia ndihmoi me armatim, veshmbathje dhe trajnim thuajse vetëm partizanët. Madje Radio Londra dhe më vonë ajo e Barit flisnin vetëm për Lëvizjen Nacional-çlirimtare. Arsyet janë disa. Profesor Abas Ermenji e shpjegon kështu: “Anglezët vepronin në këtë mënyrë jo vetëm për t’i bërë volltën Rusisë, po edhe sepse duke e ditur që komunistët s’kishin asnjë ndërgjegje kombëtare dhe asnjë qëllim tjetër veç marrjes së fuqisë, i shtynin me ato mjete për t’a hedhur popullin shqiptar pa kursim në luftën kundër Gjermanëve”

Kurse Julian Amery, një tjetër oficer britanik, thotë se “forcat partizane ishin të përbëra kryesisht nga të rinj, përfshirë edhe disa njësi vajzash. Të organizuar dhe pajisur keq, ata kishin një moral të lartë”. Për këto arsye Maklini kishte rekomanduar që të merrnin ndihmën britanike, e cila u dha në formën e armatimit, pajisjeve, por edhe me stërvitjen e dy brigadave komuniste që u bënë boshti i ushtrisë nacional-çlirimtare Kurse forcat e Ballit Kombëtar Maklinit dhe Smajlit iu dukën “më të dobta në numër, organizim dhe moral” Prandaj atyre iu dha pak ndihmë, kurse “pjesa më e madhe e punës së tyre iu kushtua përgatitjes dhe furnizimit të partizanëve”.

Kjo tregon qartë se vendimi i britanikëve për të ndihmuar partizanët dhe jo Ballin Kombëtar nuk ka të bëjë me faktin se a ishte i gatshëm të luftonte Balli kundër gjermanëve, se për këtë oficerët anglezë kishin prova të qarta, por kishte të bënte vetëm me efikasitetin e kësaj lufte.

Një arsye tjetër e rekomandimit të Maklinit për të ndihmuar komunistët duket të ketë qenë fakti se këta ishin të parët që u kontaktuan nga oficerët anglezë. Kjo sepse kur u futën nga Greqia në Shqipëri oficerët britanikë u përcollën nga komunistët grekë të EAM-it, të cilët natyrshëm i drejtuan tek komunistët shqiptarë. Këta u përpoqën t’i izolonin nga Balli Kombëtar dhe për t’iu provuar britanikëve se luftonin kundër italianëve, në datat 15-16 maj 1943 organizuan një sulm kundër garnizonit italian të Leskovikut nën komandën e Nexhip Vinçanit. Ndonëse siç pamë më sipër Balli Kombëtar kishte realizuar tashmë një seri sulmesh të armatosura kundër italianëve duke filluar nga dhjetori 1942 e deri në qershor 1943 në aksin Vlorë-Mallakastër-Berat, oficerët britanikë ndoshta nuk ishin në dijeni të tyre dhe kishin parë me sytë e tyre vetëm betejën e Leskovikut të organizuar nga komunistët. Kjo duhet të ketë ndikuar në vendimin e Maklinit për të drejtuar ndihmën britanike tek partizanët.

Më vonë, megjithëse britanikët patën provën se Balli Kombëtar luftoi kundër gjermanëve, nuk e ndryshuan politikën e tyre. Mund të ketë disa hipoteza për këtë : ndoshta kur panë se filloi Lufta Civile në jugun e Shqipërisë, nuk deshën që ndihma angleze të përdorej në këtë luftë, çka do ta zgjaste këtë luftë dhe energjitë nuk do të shkonin në luftën kundër gjermanëve, që ishte qëllimi kryesor i britanikëve.

Një arsye tjetër mund të ketë qenë refuzimi kategorik i komunistëve që të ndihmohej dikush tjetër përveç tyre, dhe kjo u pa mjaft qartë kur britanikët deshën të ndihmojnë Abaz Kupin kundër gjermanëve: komunistët nxorrën patrulla për të kapur dhe ekzekutuar oficerët anglezë të atashuar pranë zogistëve. Shtabi aleat në Bari mund të ketë druajtuar edhe ekzekutimin e oficerëve të tjerë anglo-amerikanë të atashuar pranë partizanëve në rast se ndihmat do të shkonin edhe diku tjetër.

Një hipotezë tjetër mund të jetë se në nivele të larta, politika britanike nuk dëshironte të përkrahte një forcë nacionaliste shqiptare e cila kërkonte Shqipërinë Etnike dhe mund t’u nxirrte probleme me Jugosllavinë e Titos, me të cilën kishin interesa më të mëdha.

Natyrisht komunistët vendimin britanikëve për të ndihmuar vetëm ata e përdorën politikisht kundër Ballit Kombëtar.

Por oficerët britanikë u penduan shpejt për këtë zgjedhje të tyre. David Smajli tregon se pasi u krijua Brigada e Parë në gusht 1943 me ndihmën britanike, i kishin kërkuar komandantit të saj, Mehmet Shehut që të fillonte aksionet kundër gjermanëve. Për çudi Shehu kishte refuzuar. Oficerët britanikë, të habitur ishin përpjekur gjatë gjithë ditës ta bindnin dhe nuk ia kishin arritur. “Në atë kohë menduam se kishin frikë”, – shkruan Smajli. “Por për të qenë të drejtë me Shehun,i cili ishte guximtar dhe me vetë partizanët, ne në atë kohë nuk e dinim se Shehu kishte marrë urdhër që të mos luftonte italianët dhe gjermanët por t’i ruante forcat për të luftuar me kundërshtarët politikë”. Provën e këtij urdhri oficerët britanikë e gjetën më vonë në formën e një dokumenti origjinal (qarkore) të Komitetit Qendror të LNC që çetat e një prej drejtuesve të Ballit Kombëtar, Prof. Abas Ermenji, ua kishin kapur partizanëve. Në këtë dokument, që mbante datën 9 shtator 1943, thuhej:
“Në rast zbarkimi të forcave aleate, Këshillat Nacional-Clirimtarë duhet të jenë pushteti i vërtetë. Ata duhet të mobilizojnë të gjithë popullin rreth tyre dhe të mos lejojnë forcat e tjera si Balli Kombëtar të ushtrojnë influencë në popull… Forcat nacional-çlirimtare tani e tutje duhet të afirmohen kudo dhe kur të ndodhë zbarkimi duhet të paraqiten para Aleatëve nëpërmjet këshillave nacional-çlirimtarë si i vetmi pushtet i popullit shqiptar…Qeverisja e Shqipërisë duhet të jetë tërësisht në duart e këshillave nacional-çlirimtarë.”

Ky dokument tregon më së miri se komunistët kishin vendosur ta merrnin të vetëm fuqinë. Qëllimi i tyre ishte në të vertetë të bënin revolucionin komunist nën maskën e luftës çlirimtare. Por për këtë iu duhej më parë të mposhtnin Ballin Kombëtar të cilit i hapën luftë në shtator të vitit 1943 pasi prishën marrëveshjen e Mukjes, nën presionin e delegatëve jugosllavë, ngaqë në Mukje ishte vendosur të luftohej për Shqipërinë Etnike, pra për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me krijimin e dy brigadave parizane me ndihmën britanike, komunistët ndiheshin edhe më të fortë dhe filluan goditjet ndaj Ballit Kombëtar duke filluar Luftën Civile, dëshmitarë të së cilës ishin edhe oficerët britanikë.
David Smajli tregon se kur shkonte drejt bregdetit për të kthyer në Itali në fund-vjeshtën e vitit 1943 kishte kaluar në “dy fshatra që ishin në flakë, jo nga gjermanët kësaj radhe, por nga partizanët që digjnin fshatrat ballistë : lufta civile kishte filluar seriozisht”. 

Brenda disa muajve komunistët thuajse e shkatërruan Ballin Kombëtar, i cili tashmë ishte dobësuar nga humbja e Safet Butkës në Korçë më 19 shtator 1943 dhe e Hysni Lepenicës me 34 komandantë çetash të vrarë në Grehot të Gjirokastrës nga italianët më 13 shtator 1943. Goditjet komuniste u bënë jo vetëm me përpjekje të armatosura por edhe me atentate, rrëmbime dhe vrasje masive të antarëve të Ballit Kombëtar, të shoqëruara këto me një propagandë të shfrenuar kundër nacionalistëve.

Megjithatë forcat e Ballit Kombëtar mundën të qëndronin në disa krahina të Shqipërisë së jugut deri në gusht 1944. Por me vrasjen e Skënder Muços (antar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar) nga gjermanët dhe të vendosura midis dy zjarresh nga komunistët dhe gjermanët, forcat e Ballit që kishin mbetur, nën komandën e Abas Ermenjit, u detyruan të lëviznin drejt Shqipërisë së Mesme duke shpresuar në një bashkim me “Legalitetin” dhe krerët e veriut për t’iu rezistuar sulmeve komuniste dhe për të goditur trupat gjermane.

David Smajli i cili ishte rikthyer në Shqipëri kësaj radhe me misionin që të ndihmonte luftën e armatosur kundër gjermanëve në veri të Shqipërisë, tregon se duke filluar nga data 9 shtator 1944 një seri sulmesh u kryen nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti kundër gjermanëve.”Në fillim një çetë e madhe Ballistësh, e komanduar nga Abas Ermenji, pranë së cilës ishin atashuar (oficerët britanikë) Merret, Jenkins dhe Corsentino, sulmuan në rrugën kryesore një kolonë gjermane, duke shkatërruar 15 kamiona, duke vrarë 35 gjermanë dhe duke zënë shumë material”. 

“Natën e 12-13 shtatorit një forcë e kombinuar Ballistësh dhe Zogistësh nën komandën e Kupit dhe Ermenjit, me Maklinin dhe Ejmerin të atashuar pranë tyre, sulmuan një kolonë gjermane prej 9 kamionësh në rrugën Tiranë-Shkodër. Të gjithë kamionët u dogjën dhe gjermanët ikën ose u vranë, përfshirë dy oficerë të vrarë. U kap shumë material, përfshirë dhe korrespondencën midis shtabit të Divizionit 181 dhe Korpusit Alpin, nga ku u nxorën më vonë informacione shumë të çmuara. Për fat të keq kolona ishte e vogël dhe 200 forcat Zogiste dhe 100 forcat Balliste kishin shpresuar për një objektiv më të madh.”

Edhe njëherë del qartë nga këto dëshmi se Balli Kombëtar, luftoi kundër gjermanëve përkrah aleatëve britanikë. Prandaj pretendimi i komunistëve se Balli Kombëtar bashkëpunoi me gjermanët nuk është i vërtetë dhe është vetëm propagandë për të justifikuar hapjen e luftës kundër Ballit dhe nacionalizmit shqiptar nga partia komuniste me qëllimin për të marrë pushtetin e vetme.

Madje komunistët arritën deri aty sa të kërkonin largimin e oficerëve britanikë nga Shqipëria dhe “t’i dënonin ata në mungesë me vdekje si ‘armiq të popullit'”, vetëm sepse ndihmonin forcat nacionaliste për të luftuar gjermanët, duke rrezikuar kësisoj pushtetin dhe revolucionin komunist.

Duhet thënë këtu se disa oficerë britanikë dhe amerikanë të atashuar pranë shtabit të përgjithshëm komunist, ishin influencuar nga propaganda komuniste, dhe disa e herë e patën përcjellë këtë propagandë edhe në radiogramet e tyre në Bari. Eshtë e vështirë të mendohet që të kishin mbajtur një qëndrim tjetër edhe sikur të kishin dashur.

Ja çfarë thotë Smajli për këtë çështje: “U gëzuam që Bari tregoi besim tek ne, sepse mesazhet e oficerëve të atashuar pranë partizanëve përsërisnin akuza për bashkëpunim të Kupit me gjermanët, duke nënkuptuar se ne e dinim dhe e mbanim të fshehtë këtë. Kjo nuk tregonte një nivel të lartë të mentalitetit të atyre oficerëve, sepse të akuzosh oficerët vëllezër për tradhëti vetëm duke u mbështetur tek fjalët e komunistëve shqiptarë, tregonte një mungesë të madhe gjykimi. Megjithatë ne e kuptonim Enver Hoxhën dhe metodat e tij ndoshta më mirë se oficerët tanë që ishin pranë tij…”

Si përfundim David Smajli thotë se komunistët shqiptarë morën shumë ndihma nga Britanikët duke përfshirë armë, municione, mina, eksplozivë, veshmbathje, ushqim, para, pajisje komunikimi, trajnim dhe këshillim ushtarak, sikurse dhe publicitet në BBC. “Pa këtë ndihmë, duke patur parasysh se nuk morën asgjë nga rusët, ata nuk do t’i kishin mposhtur dot Ballistët dhe Zogistët në Luftën Civile. Sikur Britanikët të kishin vepruar ndryshe, Shqipëria do të ishte sot një demokraci pro-perëndimore”. [14] Por ndoshta Smajli e tepron rolin e kësaj ndihme, sepse pati edhe faktorë të tjerë që ndikuan në fitoren e komunistëve.

Nga dëshmitë e oficerëve britanikë del qartë se Balli Kombëtar jo vetëm nuk bashkëpunoi me gjermanët, por përkundrazi luftoi me armë kundër tyre. Po përse komunistët shqiptarë e kanë akuzuar dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite ta akuzojnë Ballin Kombëtar si bashkëpuntor të gjermanëve? Në kohën e luftës arsyeja ishte se komunistët po realizonin revolucionin komunist dhe Balli Kombëtar i pengonte që ta bënin këtë, sepse nacionalizmi që ai përfaqësonte është diametralisht i kundërt me internacionalizmin komunist. Për këtë arësye komunistët e luftuan me tërbim Ballin Kombëtar duke i dhënë nacionalizmit shqiptar një goditje vdekjeprurëse nga e cila edhe sot ende nuk e ka marrë veten.

Po sot, cila është arsyeja që kjo propagandë ende mbahet gjallë nga elita post-komuniste e Tiranës? A është thjesht një refleks i kushtëzuar që vjen nga epoka komuniste, apo një projekt për ta goditur sërish nacionalizmin shqiptar nga frika se mos ai rizgjohet?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat