94 Vjet më parë Greqisë i kërkohej hapja e shkollave shqipe / Vlera e tokave të shqiptarëve në Greqi në vitin 1928 ishte rreth 60 milionë franga ari

Historia

94 Vjet më parë Greqisë i kërkohej hapja e shkollave shqipe / Vlera e tokave të shqiptarëve në Greqi në vitin 1928 ishte rreth 60 milionë franga ari

Nga: Nasho Bakalli Më: 5 qershor 2022 Në ora: 09:51
Çamët e dëbuar nga Greqia, iu mor e gjithë pasuria dhe nuk iu njoh prona dhe riatdhesimi

Duke lexuar me kujdes faqet e gazetës “Shekulli i Ri” të vitit 1928, që botohej në Durrës dhe shpërndahej në tërë Shqipërinë, më tërhoqi vëmendjen fakti se gjatë muajve tetor, nëntor, dhjetor të vitit 1928 ishin botuar 23 shkrime dhe njoftime të shtypit shqiptar dhe të huaj me objekt pasuritë e shqiptarëve në Greqi, dhe të drejtën e tyre për arsimim edhe në gjuhën shqipe. Për t’ua bërë më të lehtë njohjen e përmbajtjes të këtyre informacioneve ju ofroj të lexoni dy prej tyre, që më poshtë vijojnë.

I. Pasuritë e shqiptarëve në Greqi dhe marrëveshjet e Tiranës

Durrës, 3 nëntor 1928

“Midis Ministrisë të Punëvet të Jashtme të Shqipërisë dhe Legatës Greke në Tiranë kanë filluar, para pak ditësh, bisedimet për rregullimin e çështjes të pasurive të Shqiptarëve në Greqi

Ȅshtë e afërme koha e bisedimeve që u çelën në Lidhjen e Kombeve - me kërkesën e Qeverisë tonë - mbi pasuritë Shqiptare në Greqi. Duhet me e përmend edhe sot. në mënyrë të gjatë, se me sa nxehtësi dhe përkujdesje qeveria shqiptare i kërkoi Lidhjes të Kombeve përkrahjen e interesave të nënshtetasve të saj, si dhe, detyrimin e qeverisë të Greqisë për me u marë në marrëveshje direkte me Shqipërinë në bazë të verdiktit të Aeropagut të Gjenevës.

Me inaugurimin e një politike të re plot sinqeritet dhe miqësi prej të famshmit politikan Kret kundrejt Shqipërisë, dhe me po atë vullnet e miqësi edhe nga ana e Qeverisë Mbretërore të Shtetit tonë jemi më shumë se të bindur se marrëveshjet që janë duke vazhduar, në atmosferën e qetë të kryeqytetit të Shqipërisë, do kurorëzohen me një sukses të plotë dhe e drejta e shqiptarëve do të çmohet në një shkallë të logjikshme dhe të arsyeshme.

Çështja e pasurive të shqiptarëve në Greqi ka një rëndësi të posaçme jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por me bisedimet aktuale në Tiranë ato po marrin edhe një ngjyrë politike - jo më pak interesante se sa ajo ekonomike.

Vlefta e tokave të shqiptarëve në Greqi kalkulohet përafërsisht deri në 60.000,000 franga ari (buxheti i Lidhjes të Kombeve për vitin 1928 ishte 27 milionë franga ari. Shënim i autorit) sipas informacioneve të mara nga burime të sigurta, shumë kjo që ka një rëndësi jo të vogël duke marë parasysh gjëndjen ekonomike dhe financiare të Shqipërisë.

Kjo është rëndësia kryesore, nga pikpamja ekonomike, që prezanton çështja e pasurisë të shqiptarëve në Greqi.

Pastaj, sa u takon arësyeve politike që përmbajnë bisedimet e Tiranës ato duhen gjetur në fushatën oportuniste të gazetave Jugosllave, dhe sidomos te fletorja “Politika”, të cilat me rastin e njohjes të regjimit Monarkik Shqiptar nga ana e Greqisë më parë se shtetet e tjerë, përveç Italisë, pretendonin dhe insistonin në pikëpamjen se njohja e Greqisë i kushtoi shtetit shqipëtar 60.000,000 franga ari, aq sa edhe përfaqëson vlefta e pasurive Shqiptare në Greqi. Po sipas gazetave jugosllave - qeveria Greke propozoi që për me njoftë regjimin e ri Shqipëria të hiqte dorë nga pretendimet e pasurive propozim të cilin qeveria shqiptare e pranoi.

Bisedimet aktuale me Greqinë, në Tiranë, përgënjeshtrojnë në mënyrë indirekte, të qetë, dhe të prerë shpifjet e shtypit Jugosllav.

Po përsëritim edhe një herë shpresën tonë se nën atmosferën e qetë

të Kryeqytetit, të drejtat e shqiptarëve do të gjejnë mbrojtjen dhe përkrahjen që meritojnë.”

II. Për herën e parë një fletore Greke kujton Qeverinë me u çel Shqiptarve shkolla, edhe pranon se Grekët gëzojnë të drejta.

Selanik, 30 nëntor 1928

“Fletorja greke “Fox” që del në Selanik boton një korespondencë mbi gjëndjen e Shqipnis dhe kryesisht mbi relacionet Shqiptaro-Greke, dhe në mënyrë të veçantë mbi detyrat e Greqisë kundrejt Shqipnisë si shpërblim të shërbimeve që Shqipëria i ka sjellë elementit grekofon.

Ȅshtë e para herë që botohen ne fletoret greke artikuj për Shqipnin me të tillë frymë, prandaj e konsiderojmë të arsyeshme me ju transmetue disa pjesë nga kjo korespondencë që gazetës Greke i dërgohet nga një redaktor shëtitës i saj në Shqipëri.

Korespondeti i gazetës të Selanikut “To Fox” - duke komentuar disa korespondenca që zoti Kraniotakis, dërgues i fletores greke “Eleniki” në Shqipëri, kishte botuar disa ditë më parë në fletoren e vet - shkruan se:

‘Informacionet e zotit Kraniotakis se funksionimi i shkollave greke në Shqipëri në këtë vit janë problematike, nuk janë të vërteta. Përkundrazi jemi në pozitë të dimë se këto shkolla këtë vit do të funksionojnë tepër rregullisht. Bile në disa nga këto personeli përbëhet nga mësues grekofonë, përveç njërit nga këto që e emëron Shteti Shqiptar për me dhënë mësim në gjuhën zyrtare. Masandaj, në një kohë të shkurtët do të ngrefet edhe një internat në qarkun Gjirokastër për çunat e vobektë grekofonë në të cilën drejtor do të jetë një grekofon, por edhe gjuha greke do të mësohet me shpenzime të Shtetit. Ky lakmim i Shtetit Shqiptar për mos me shmang nga drita e arsimit çunat e vobekët të grekofonëve të Shqipërisë difton çiltazi kujdesin e mirë kundrejt grekofonëve. Duke marë këto parasysh, a’ nuk kujton qeveria Greke se erdhi më në fund koha me zbatue edhe kjo po atë politikë kundrejt Shqiptarofolësve të Çamërisë të cilët nuk kanë asnjë Institut Arsimor?’”

Përfundim, i autorit

Edhe sot, kur kanë kaluar 94 vite nga botimi i shkrimeve të cituara më sipër etj., situata politike e Shqipërisë me Greqinë, dhe anasjelltas, vazhdon të jetë e paqartë. E vërteta është se ka përpjekje të paprera për mirëmbajtjen e saj, dhe se këto përpjekje gjejnë shfaqjen e tyre më të gjallë në takimet që bëhen kohë pas kohe midis ministrit të jashtëm, dhe, kryeministrit të Greqisë me kryeministrin e Shqipërisë. Më i fundit takim ishte ai i para pak ditëve, 23 maj 2022, kur N. Dendias, ministër i jashtëm i Greqisë, bisedoi në Tiranë me kryeministrin e vendit tonë. Por, me gjithë pompën që i shoqëroi takimet zyrtare, dhe me gjithë shpresat që u varën te ato takime nuk duket që të kenë patur ndonjë efekt serioz për fatin e pasurive të Çamëve, dhe të drejta të tjera të mohuara Çamëve. Nuk e di se çfarë numri ka vizita e përmendur më lart në serinë e vizitave të dështuara midis udhëheqësve të Shqipërisë dhe të Greqisë nga 28 Nëntori i vitit 1912 deri në maj të vitit 2022; sikurse nuk e di se sa pak apo shumë nuk mundi vizita më e fundit e Dendias të sjellë frutat e shumëpritura për palën tonë. Nuk kam si ta di, sepse krerët e popullit shqiptar dhe ata të popullit grekë nuk na thonë nëse konditat e vjetruara për çështjen Çame, Ligjin e Luftës, naftën dhe gazin në Detin Jon… kanë apo nuk kanë ndryshuar, dhe, nëse situata e pritme e të dy shteteve do të jetë dëshpëruese apo besimndjellëse.

Nga ana tjetër di fort mirë se problemet që lihen pa zgjidhje për një kohë të gjatë, 94 vite, ka shumë mundësi që të kthehen në kriza; se jeta shtetërore e Shqipërisë dhe Greqisë po ndërron krejt dhe përditë prej shkakut të luftës në Ukrainë; se sanksionet afatgjata për naftën dhe gazin Rus kanë vënë në pikëpyetje shumë projekte, për të mos thënë se kanë përmbysur shumë projekte, të miratuara ato jo vetëm në parim.

Sot në Shqipëri dhe në Greqi është i mbyllur zëri politik i udhëheqësve shtetërore, i medias, dhe ai i opinionit publik. Paçka se mbretëria e politikanëve ka vetëm një kohë dhe një vend, ndërkohë që interesat e opinionit publik janë të gjithanshme dhe të përjetshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat