La Patrie (1920) / Imzot Luigj Bumçi : “Populli shqiptar, me vullnetin e tij, nuk do ta lëshojë kurrë Vlorën.” – shkresa drejtuar konferencës së paqes në Paris

Historia

La Patrie (1920) / Imzot Luigj Bumçi : “Populli shqiptar, me vullnetin e tij, nuk do ta lëshojë kurrë Vlorën.” – shkresa drejtuar konferencës së paqes në Paris

Nga: Aurenc Bebja Më: 1 korrik 2022 Në ora: 09:14
Imzot Luigj Bumçi (1872 – 1945)

“La Patrie” ka botuar, të enjten e 22 janarit 1920, në faqen n°4, shkresën e delegacionit shqiptar të firmosur nga Imzot Luigj Bumçi, dërguar asokohe Konferencës së Paqes në Paris me qëllim ndalimin e copëtimit dhe ndarjes së Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ndarja e Shqipërisë

Protestë në Konferencën e Paqes

Image
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Delegacioni shqiptar i drejtoi Konferencës së Paqes këtë protestë :

“Delegacioni shqiptar do të dështonte në detyrën e tij nëse nuk do të ngrihej edhe një herë kundër copëtimit dhe ndarjes së Shqipërisë mes italianëve, serbëve dhe grekëve.

Vetë jugosllavët thonë se duan të ruhet integriteti dhe pavarësia e Shqipërisë: prandaj refuzojnë atribuimin e rrethit të Shkodrës deri në Drin që Këshilli i Lartë kërkon t’u japë atyre, si kompensim për humbjet që pësojnë gjetkë.

Dhënia e territorit tonë serbëve do të pasohet nga ai i krahinave jugore grekëve, ndërsa grekët, me gojën e zotit Venizelos, deklarojnë se “janë të prirur të mos pretendojnë popullsinë e Epirit të veriut nëse Shqipëria përbën një shtet të pavarur me ndihmën e një fuqie që nuk do të kishte asnjë interes në Gadishullin Ballkanik”.

Jugosllavët thonë: “Nëse shtetet e tjera pretendojnë një pjesë të Shqipërisë, edhe kufiri i Serbisë duhet të shtrihet mbi Drin.”

Prandaj është zotërimi i Vlorës nga Italia dhe kërkesa e saj për të pasur një mandat mbi Shqipërinë që çon në ndarjen tonë. Por si mundet Shqipëria, e cila e gjen veten pa asnjë mbështetje të jashtme, ta detyrojë Italinë të evakuojë Vlorën ?

Image
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Populli shqiptar, me vullnetin e tij, nuk do ta lëshojë kurrë Vlorën. Me peticionet tona të shumta drejtuar Konferencës, ne nënvizuam këtë dëshirë dhe, me 22 dhjetor 1919, patëm nderin t’i dërgonim asaj një shkresë nga banorët e Vlorës dhe të rrethinës, me firmat e parisë dhe vulat e të gjithë komunave kundër pushtimit të Vlorës nga Italia.

Nuk mund të besojmë se Asambleja e Lartë, këtu në Paris, në vitin 1920, mund të vazhdojë me copëtimin e një vendi duke ia ofruar njërit apo tjetrit thjesht sepse nuk është në gjendje që ta evakuojnë atë nga italianët që u vendosën atje në mënyrë arbitrare.

Shpresojmë që z. Clemenceau, z. Lloyd George, si dhe z. Nitti nuk do të duan të marrin vendime që janë në kundërshtim me misionin e lartë historik të vendeve të tyre të mëdha dhe që do të dënoheshin nga ndërgjegjja universale. Për më tepër, Delegacioni Shqiptar mendon se këto kombinime, në kundërshtim me barazinë, nuk mund të shmangin pasojat katastrofike që vendimet e Asamblesë së Lartë duket se duan t’i shmangin.

Ju lutem pranoni, zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”

Presidenti i Delegacionit shqiptar, (Nënshkruar) : Bumçi

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat