Histori tronditëse: 20 vjeçares ia shkulën dhëmbët, e torturuan derisa e çmenden dhe në fund, trupin ia hodhën në një gropë…

Historia

Histori tronditëse: 20 vjeçares ia shkulën dhëmbët, e torturuan derisa e çmenden dhe në fund, trupin ia hodhën në një gropë…

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 11:51
Foto ilustrim

Një punonjës i Sigurimit të Shtetit ka lënë dëshmi me shkrimin e tij, mbi një varg torturash makabre që janë ushtruar mbi një vajzë të pafajshme, deri sa ajo ka dhënë shpirt. Dëshmia e tij përforcohet edhe nga një dëshmitar tjetër okular, i cili e përforcon më tej përshkrimin e të parit me aktin e përdhosjes së trupit të vdekur.

Më poshtë janë të publikuara këto dy dokumente, të marra nga fondi 14 në AQSH.

Dokumenti i parë, drejtuar me 20 janar 1949, komitetit Qendror të Partisë Komuniste, është shkruar nga një punonjës i strukturave të Sigurimit të Shtetit, i quajtur Anastas Dushku. Ai dëshmon me detaje, se në sytë e tij është torturuar deri në vdekje, një vajzë e pafajshme nga oficerët e Sigurimit.

Ai dëshmon si më poshtë:

“…nga muaj Prill-Maj 1945, në ish Batalionin e IV të Brigadës I M.P. (ish Kuestura e vjetër), silleshin të burgosun prej Drejtorisë së Sigurimit dhe mbaheshin në birucat, të cilat i kishte krijuar që me kohë fashizmi. Atëhere kanë sjellë aty të arrestuar dhe një shoqe, për të cilën mësova që ishte anëtare Partie.

E torturuan derisa e çmendën

Vinin nga Drejtoria e Sigurimit çdo natë oficera dhe e mernin në pyetje duke e torturuar gjithë natën. Kështu vazhdoi mjaft kohë dhe dukej se kjo shoqe nuk tregonte gjë. Torturat vazhdonin gjithnjë, deri sa një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje çdo ditë. Nga jashtë dhomës së pyetjeve digjonja që ajo të përsërisë dendur emnin e Partisë.

Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerrshme. Atëhere më ishte dhënë rasti t’a shoh. Ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje t’a përshkruaj këtu në letër. Dhëmbët e para i kishte të thyera. Pastaj, nga që nuk ishte në ment, ndyente vetvetene. Kështu ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësira. Nuk mund t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirrte. Me këtë pamje ajo i përngjiste një shtrige dhe jo një vajze 18-20 vjeçare.

Por oficerat e Sigurimit vazhdonin t’a mernin në pyetje edhe në këtë gjendje. Me sa mësova, ajo nuk kish treguar gjë me gjithë torturat barbare që i bënin. Kështu, ata u siguruan që ajo ishte e pafajshme…

“Nënë, do të vdes nga torturat pa ditur shkakun… Aman çfarë kam bërë që më rrahin kështu… Më janë ngjitur plagët e trupit pas çarçafit të krevatit”

Pjesën tjetër të historisë tragjike të kësaj gruaje të dhunuar barbarisht, e gjejmë në dokumentin tjetër të nënshkruar nga një tjetër dëshmitar, Hamdi Sollaku. Ai zbulon se gruaja e dhunuar quhej Hatlije Tafa dhe ishte arrestuar pa asnjë provë. Në letrën e tij dëshmitari i dytë ndër të tjera shkruan:

“Hatlija u pyet dhe ngaqë ajo thoshte se s’dinte asgjë dhe mohonte çdo akuzë me këmbëngulje, u torturua. Hatlija është torturuar jashtëzakonisht rëndë, sa s’ngrihej dot nga krevati. Këtë e ka parë nga dritarja një ditë e ëma tek i shpinte ushqimin. Hatlija i kishte hedhur nga dritarja dhëmbët e shkulura nga torturat, të cilat e ëma i ruan akoma sot. Ajo i kishte thënë: “Nënë, do të vdes nga torturat pa ditur shkakun… Aman çfarë kam bërë që më rrahin kështu… Më janë ngjitur plagët e trupit pas çarçafit të krevatit”.

Një ditë Hatlijen e dërguan në spital. Kishte pirë helmin për t’u mbytur, por arritën ta shpëtonin. Rrugës tek e shpinin nga spitali në burg, ajo ishte hedhur nga karroca në vendin që kryqëzohet me rrugën që të shpie në shtëpinë e saj, Rruga e Dibrës, Shenasi Dishnica, Siri Kodra. Ishte ulur në tokë dhe duke qarë kërkonte ta shpinin në shtëpi. Kjo tregonte se ishte bërë krejt anormale.

Kufomën nuk ia dorëzuan së ëmës, por e futën në thes dhe e varrosën vetë

Pasi e shpien ku ishte më parë, e torturojnë prapë. Thuhet se një ditë e morën në pyetje lart në zyrën e katit të tretë dhe Hatlija duke parë dritaren hapur, u hodh nga ajo poshtë. Nga e rëna theu një krah dhe një këmbë dhe i humbi fare ndjenjat. E shpunë në spital ku i prenë krahun dhe këmbën, por thuhet ngaqë iu bë gangrenë vdiq. Kufomën nuk ia dorëzuan së ëmës, por e futën në thes dhe e varrosën vetë. E ëma e diktoi varrin vetëm pas një jave.

Të dy dëshmitë e mësipërme kanë rëndësi të veçantë për detajet që japin rreth mjeteve të torturës. Detaje që i ndeshim pothuajse në të gjithë dëshmitë gojore të ish të burgosurave politike të regjimit, apo ato që u mbajtën të mbyllura në kampet e internimit me tela me gjemba. Këto dy dokumente faktojnë plotësisht aktet ekstreme të dhunës ndër birucat e Sigurimit. Me këtë rast, të qenit grua, nuk përbënte stepje për këta “burra” që përdornin torturat më të përbindshme, si armë për të mbërritur qëllimet e regjimit të Hoxhës./Kujto.al

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat