ILINKA DIMASHI, me profesion ka qenë MJEKE PEDIATRE dhe tani është në pension. Sado në pension, ajo nuk është si ujë i ndenjur. Përkundrazi, ajo e shfrytëzon kohën racionalisht. Shkruan poezi edhe prozë dhe, siç pohon vetë: “Këto që lexoni në këtë libër (libri i parë i saj, ‘Kohë pa celuar në mes’), janë veç disa. Ndaj dhe unë, metaforikisht, them: – U hap ‘Kutia e Pandorës’”. Ma dhuroi librin e porsadalë dhe, unë, pasi e lexova, po shkruaj përshtypjet e mia për librin. Libri ka rreth 20 poezi dhe 10 skica letrare: që të gjitha mbresa e kujtime nga jeta e saj, gati 80-vjeçare.
Në vështrim të përgjithshëm, me autoren ka ndodhur ajo që thotë NOBELISTJA FRANCEZE ANNIE ERNAUX: “Të kesh jetuar diçka, çfarëdo qoftë ajo, të jep të drejtën për ta shkruar atë.” Jo vetëm që shkruan, por herë shprehet me poezi dhe herë me prozë. Brenda shpotive, ILINKA DIMASHI ka “kapërcyer ylberin” dhe më kujton IS BOLETININ me dy kobure. “Çdo libër, – thotë CARLOS RUIS ZABAN, – ka shpirtin e njeriut që e ka shkruar dhe atij që e lexon dhe ëndërron me të”. Duke e pasur hobi të shkruarit (ajo ka një sënduk plot), sipas PHYLLIS McGINLEY, e mban larg plogështinë. Ndaj është vitale dhe plot optimizëm.
Si në prozë dhe në poezi, ajo jo vetëm është e përpiktë, por plot mbresa që të induktohen edhe ty si lexues. “Përpiquni të shkruani mbi ato që keni provuar vetë në jetë, por pa fshehur asgjë, sepse librat më të mirë, që janë shkruar deri sot, janë pikërisht librat biografikë”. Kjo porosi e FAN NOLIT është deviza që u rri gjithë shkrimeve, si në prozë e poezi.
Tek i shoh poezitë një për një, bindem në ato që thonë MJESHTËRIT E MËDHENJ të kësaj GJINIE LETRARE: “Poezia, para së gjithash, është art. Një libër me poezi është libër formimi”, thotë LASGUSHI. LORENC FALINGER: “Poezia është grafit i përjetshëm i shkruar në zemrën e gjithkujt.” Poezitë e ILINKA DIMASHIT janë relaksuese dhe, do apo nuk do, ti si lexues, futesh mes këtyre mbresave dhe mendon sikur edhe ti mund të shkruash si ajo. E dini pse ndodh kështu? Se poezitë e saj janë shkruar me një stil të thjeshtë, plotësisht të lexueshëm nga çdo “stomak lexuesish” dhe besoj se jam brenda të së vërtetës, kur them se secili, duke parë poezinë, vërtitet t'i ngjasojë. “Qartësia dhe thjeshtësia në shkrime është vlerë intelektuale”, thotë RALFE WALDO EMERSON. Kur vjen puna për stilin, dihet kritika e NIÇES kundër HEGELIT e KANTIT: “Kanë stil akademik dhe sikur shkruajnë për veten e tyre. Ja, sikur bëjnë ‘sfllatë’ para lexuesit”. “Fëmijëria”, “Bulevardi i Tiranës”, “Nuk të pranoj”, “Shokët e gjimnazit” dhe, edhe tek ndonjë poezi tjetër, secili prej lexuesve sikur gjen dhe veten. Natyrisht, aty ka dhe përjetime krejt intime që veç ta shtojnë simpatinë për autoren. Po të qëndrojmë tek poezia “Fëmijëria”, secili, përmjet rreshtave, kujton fëmijërinë e vet: me dëshirat (të realizuara, të parealizuara) dhe plot pasazhe të tjera. Poeti, shkrimtari dhe publicisti i madh francez e fillon kështu poezinë për fëmijërinë: “Fëmijëria, më erdhi dhe më mori për dore...” Një tjetër poet i drejtohet të dashurës: “Erdhi fëmijëria dhe a të kujtohet, kur shkuam të zinim zogj me lak...!” Dhe fëmijëria e POETES ILINKA DIMASHI është gjithë fëmijëria e brezit të saj (fill pas çlirimit) dhe kushdo gjen fëmijërinë e tij. E di që do të thoni: – Po si e quan poete dhe shkrimtare, kur vetëm këtë libër ka botuar?
E kam gjetur “mbrojtjen” tek një poet e shkrimtar rumun (të më falin për emrin, se kujtesa po më lë në baltë), i cili thotë: “Po botove një libër, po mbolle një pemë dhe, po bëre, një fëmijë”, atëherë je poet dhe shkrimtar. Të tri këto atribute i ka poetja dhe shkrimtarja, ILINKA DIMASHI. Pemë jo një, po me duzina në “aksionet” e asaj kohe; fëmijë i ka dhe t'i rrojnë nga një shekull dhe, sa për librat, do të shihni së afërmi me libër tjetër; tjetër se, si mjeke që është, ajo e di: “Oreksi vjen duke ngrënë”. Siç vë re, duke e ndjekur në fcb-në e saj, ajo ka “sindromën” e asaj që, me kohë, e ka thënë GËTE: “Është mirë, që çdo ditë, të dëgjojmë një këngë të bukur, të shohim një pikturë të bukur apo të lexojnë një poezi të bukur”. Pikërisht, atje në sënduk (nuset e dikurshme në to ruanin pajat e qendizmat e tyre) është “Kutia e Pandorës” dhe ajo veç i shton dhe i freskon shkrimet e saj, në prozë e poezi. Nuk po qëndroj tek poezitë e tjera që kanë intimitete që, tek i ndajnë me të tjerët, tregojnë emancipim e qytetari.
Kur lexoj tregimet e autores, më vjen ndërmend ajo që ka thënë FROJDI: “Të shkruarit është një shkarkesë, një çlirim që sikur të shtypë, të çon peshë, të entuziazmon, të mahnit”. Befasia në ndonjë prej tregimeve të saj është se ti, si lexues, jo vetëm informohesh, por dhe të formon. Unë jam gati 85-vjeç dhe kam dëgjuar për “Levën e Arkimedit”, por paska dhe “Rëra e Arkimedit”. Tregimet, vërtet janë mbresa e përjetime të autores, por të vijnë pranë dhe ty me “Shtatorët nëpër vite” dhe, po ta lexosh me kujdes, nuk janë vetëm të saj, por dhe të kujtdo që ka shkuar nëpër shkolla apo në auditorë universitetesh. Kur lexon “Shtëpia ime”, të kujtohet ajo thënia proverbiale e popullit: “O shtëpi, o shtëpi! Të kem një varr si ti!”
Në të gjitha tregimet, ajo është vetvetja. Ajo sikur plotëson një nga kushtet që “Çdo shkrimtar nuk duhet të ngutet që të shkruajë për ndjenja që nuk i ka provuar vetë, se, në fund të fundit, çdo krijues përjeton vetveten e vet. Kur e pyetën autorin e romanit ‘Madamë Bovari’: ‘Zotëri, kush është Madamë Bovari?’, dhe ai, pa u menduar dy herë, tha: ‘Po. Unë jam dhe askush tjetër’”. Në këto tregime gëlon jetë, në kohë të ndryshme: aty gjen dashuri për gjyshërit, për prindërit, për miqtë që, tani në tranzicion, janë ndjenja që, për fat të keq, po humbin fare. Ka pastaj intimitete, si: “Dasma”; “Rrengu” apo dhe ndonjë tjetër. Në vështrim të përgjithshëm, këto tregime, po të hidheshin në “disteka të veçanta” dhe, po t'i futësh në një kaleidoskop, atëherë shikoji ato me nge dhe ke për t'u shkrirë së qeshuri (tek “Rrengu” apo “Dasma”), por dhe ndonjë lot brenge, si për “bahçen e bilbilave”, për atë gjyshin tek ajo “bahçeja e vogël ku s'hynte njeri”; për Vangjel Pooçarin apo për “Dy ILINKAT”.
Dhe, duke e mbyllur: “Suksese librit dhe gati tjetrën!” Krijimtari të mbarë e të bardhë!
Tiranë, 23 nëntor 2026