Historiani Martin Segoni: Skënderbeu u quajt mbret i gjithë Maqedonisë dhe krahinës së tij!

Historia

Historiani Martin Segoni: Skënderbeu u quajt mbret i gjithë Maqedonisë dhe krahinës së tij!

Nga: Anisa Papleka Më: 21 korrik 2022 Në ora: 16:31
Pikturë me motive lufte të Skenderbeut kundër turqve

Për të ndriçuar në përgjithësi, një epokë të caktuar apo një personalitet të veçantë, të shquar në histori, siç është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, domosdo duhet mbështetur në burime dokumentare që ruhen nëpër arkiva të ndryshme, qofshin ato të botuara, pjesërisht të botuara apo të pabotuara; të cilat janë si një hallkë ndërlidhëse në mes historisë kombëtare shqiptare, me historinë e vendeve të Ballkanit, Lindjes së Afërme dhe Evropës në veçanti. Shumë herë, një gjë e tillë është e pamundur, për shkak të mungesës së burimeve të shkruara; por në raste të caktuara, edhe kur ato ekzistojnë, faktori njeri, me veprimet e tij, të njëanshme, tendencioze dhe të mbrapshta, ka bërë që shumë fakte, ngjarje e data, të shtrembërohen, të keqinterpretohen, deri në skajshmëri ekstreme, për qëllime të caktuara.

Ballafaqimi i studiuesve me raste të tilla është i shpeshtë, shkakton vështirësi të shumta dhe herë-herë krijon rrëmujë të vërtetë, duke nxitur debate të ashpra, për saktësimin dhe vlerësimin kritik të një burimi a dokumenti, i cili është botuar e ribotuar në edicione të ndryshme. Është tashmë e njohur se botimi i parë i një burimi zakonisht shfrytëzohet, nga studiues e krijues të fushave të ndryshme, si akt i kryer, d.m.th., i saktë dhe preciz, pa pasur mundësi që të konsultojnë burimin e dorës së parë, përkatësisht origjinalin, respektivisht të krahasojnë dhe ballafaqojnë, atë që u është servirur, me dorëshkrimin apo dokumentin e vërtetë.

Kohëve të fundit është shkruar disa herë se janë zbuluar dorëshkrimet e Martin Segonit nga Agostino Petrusit! Pohime të tilla kanë bërë disa historianë, të cilët kanë shfrytëzuar burime të tërthorta, pa u thelluar në studime dhe kërkime shkencore, duke mos pasur në dorë asnjë nga dorëshkrimet e M. Segonit, pos atyre gjërave që kanë botuar /servirur/ të tjerët dhe kryesisht sllavët, duke u shtuar këtyre edhe hipotezat e tyre fantastike, të cilëve si duket u duhet treguar ajo përralla "e fëmijëve me dhëmbë të arit".

Dorëshkrimet e Martin Segonit kanë qenë të njohura dhe të botuara, kështu që nuk kishte nevojë që ato "të zbuloheshin" në ndonjë arkiv ose bibliotekë, ngase për to dihej, të paktën që nga viti 1522, kur ato i boton në veprën e tij: Ioannis Cuspiniani, De Caesaribus atque Imperatoribus Romanis opus insigne..., Vienae: Ioannes Singrenius Chalcographus. Cum gratia et priuilegio Imperiali ac Regio. 1522; por me emër tjetër, përkatësisht të Felice Petantio, që në të vërtetë është kroati Feliks Petançiq. Kroati F. Petançiq boton me emrin e tij disa nga dorëshkrimet e Martin Segonit, me titull: "De Itineribus in Turciam libellus". Ndonjë historian, duke mos njohur F. Petançiqin dhe veprat e tij, pohon se ai ishte austriak!!! Gjë që ngatërron edhe më shumë të vërtetën për dorëshkrimet e M. Segonit.

Studimet dhe shkrimet e autorëve të ndryshëm për M. Segonin mund t’i kategorizojmë në tre grupe, duke pasur për kriter qëndrimet e tyre, posaçërisht ndaj dorëshkrimeve të tij. Në grupin e parë bëjnë pjesë të gjithë ata autorë, të cilët nuk dëshirojnë të pranojnë se dorëshkrimi i botuar nga Feliks Petançiq është plagjiat, përkatësisht përvetësim i punës së Segonit, duke fshirë vetëm emrin e autorit të vërtetë [M. Segonit] dhe duke vënë emrin e tij; në grupin e dytë mund të llogarisim ata autorë, të cilët vënë në dyshim dorëshkrimet e M. Segonit, si p.sh., K. Frashëri në veprën e tij "Skënderbeu", Tiranë, 2002, f. 11, referenca nr. 2, duke pohuar se: "prifti italian i fundit të shek. XVI nuk është përkthyes /është fjala për S. Razzin/ por autor (...) dhe e ka hartuar përmbledhjen duke u mbështetur te M. Barleti, të cilin na ka servirur si vepër origjinale të M. Segonit" e disa të tjerëve, të cilët as nuk kanë arritur të konsultojnë dorëshkrimet origjinale e as të studiojnë literaturën dhe studimet e botuara që nga fillimi i shekullit XVI e deri më sot; si dhe grupin e tretë, të cilët, duke shfrytëzuar dorëshkrimet origjinale dhe ato të përkthyera, mbështesin autorësinë e M. Segonit.

Është menduar se studimi i Agostino Petrusit, "Martino Segono di Novo Brdo vescovo di Dulcigno. Un umanista serbo-dalmata del trado Quatrocento. Vita e opere", Romë, 1981, fasc. 128-130, të "Studi Storici" i botuar post-mortum, përfundimisht i ka zgjidhur të gjitha dilemat dhe problemet si për figurën e ipeshkvit Martin Segoni, ashtu edhe për dorëshkrimet e tij! Megjithatë, A. Petrusi, përkundër një pune të çmuar, të vëllimshme dhe mjaft serioze, duke përdorur kritere shkencore dhe metodat e reja hulumtuese kritike, nuk ka arritur të bëjë shumë, përkatësisht, nuk ka arritur të zbërthejë enigmën e personalitetit të Martin Segonit dhe veprës së tij në dorëshkrim. Ky është njëri nga shkaqet që disa historianë, kryesisht shqiptarë dhe sllavë, nxjerrin përfundime të gabuara si për M. Segonin, ashtu edhe për veprën e tij.

Kush është ipeshkvi i Ulqinit, dr. Martin Segoni dhe përkatësia e tij kombëtare

Për jetën dhe veprën e ipeshkvit Martin Segoni, nuk ka shumë të dhëna. Nuk dihet me saktësi viti i lindjes, por vendlindja është Novo Bërda. Mund të pohojmë me siguri se i ati tij quhej Joanini de Segonis dhe ishte banues në Novo Bërd të Kosovës.

Në lidhje me përkatësinë e tij kombëtare, Martin Segoni flet vetë dhe nuk lë vend për hamendësime, edhe pse historianët shqiptarë e serbë përpiqen që ta përvetësojnë atë si autor të tyre. Në dorëshkrimin origjinal autograf që ruhet në bibliotekën Ambrosiana të Milanos, në fillim të dorëshkrimit ai shkruan: "Opusculum reverendi domini Domini Martini de Segonis natione Catharensis origine autem Serviani ex Novomontio aliter Novobardo dicto Dei gratia episcopi Olchinensis". (Mss. Q. 116, f. 157v).

Nga ky pohim është e qartë që ai ishte me prejardhje nga Kotorri, pra nuk ishte shqiptar. Nuk mund të ishte as serb, sepse përndryshe do të ishte i ritit ortodoks. As prindërit e tij nuk mund të kenë qenë të ritit ortodoks, sepse po të ishte kështu, sipas të Drejtës Kanonike të Kishës Katolike, ai nuk do të mund të bënte karrierë kishtare. Si rezultat, Martin Segoni mbetet që të ketë qenë dalmatinas nga Kotorri. Në favor të këtij pohimi shkon e dhëna tjetër se në asnjë nga regjistrat e ndryshëm të regjistrimit të popullsisë, ku gjejmë të dhëna për Novo Bërden, nuk haset mbiemri Segoni, gjë që tregon se ata ishin të ardhur në Novo Bërd. Nga ana tjetër, mbiemri Segoni ndeshet në Kotorr në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, gjë që përforcon idenë e prejardhjes së tij nga Kotorri.

Për sa i përket aktivitetit të Martin Segonit, të dhënat më të hershme i kemi nga viti 1474, ku thuhet që Segoni shërbente tashmë si presbyter dhe kanonik në kishën e Shën Mërisë në Novomonte (Novo Brdo). Nga ana tjetër, po në vitin 1474, përkatësisht më 11 qershor, ai përmendet se ishte ende student në "Collegio Campionis" në Padovë "Die XI Iunni 1474, presbitero Martino de Novomonte studenti in collegio Campionis civitatis Paduae", ndërsa më 18 shkurt të vitit 1475 doktoron në të Drejtën Kanonike: "Die sabbati XVII mensis Februarii in loco examinum consueto: Licentia privati examinis et publica doctoratus in iure canonico venerabilis ac doctissimi viri domini presbiteri Martini de Novomonte (...) canonici Sancte Marie de Novomonte". Temën e mbron përpara: dominium Joannem de Roma; vicarium rectoris Joannis Scroffa, domino Angelo de Castro, domino Alexandro del Nexo, domino Batholomeo de Capitibusliste et domino Georgio de Priolis. [Arch. Cur. Acivesc. Padova dhe Petrusi]. Pas marrjes së titullit të doktoraturës, qëndroi për ca kohë në Padovë dhe në Venedik, për t’u kthyer më vonë në Ulqin, ku shërbeu si vikar i ipeshkvit të Ulqinit, Paganinus (2. VI. 1441-26. V. 1481), i cili në vitet e fundit të shërbimit të tij, nuk qëndroi në Ulqin, (Shuteriqi, Petrusi) në selinë ipeshkvnore, por në Bresha të Italisë. Pas vdekjes së Paganinus, Martin Segoni emërohet ipeshkëv i Ulqinit më 20 mars të vitit 1482, nga papa Sixti IV. Vdiq në Ulqin, në tetor të vitit 1485. (Eubel, Petrusi, Gams, Ahmeti, etj).

Meqenëse Segoni ishte tashmë presbyter në vitin 1474, mund të llogarisim me përafërsi vitin e lindjes së tij, duke u mbështetur në rregullat e të Drejtës Kanonike të Kishës Katolike që ishin të detyrueshme për emërimet në hierarkinë kishtare. Sipas Koncilit të Katërt Lateran (1215), rregullat e të cilit ishin të vlefshme deri në Koncilin e Trentit (1545), pra edhe gjatë gjithë shekullit të pesëmbëdhjetë, mosha minimale për t’u emëruar presbyter ishte 30 vjeç. Nëse do të supozojmë që Martin Segoni është emëruar presbyter, më së voni në vitin 1474, atëherë, sipas të Drejtës Kanonike, në këtë vit ai duhet detyrimisht të ketë qenë të paktën 30 vjeç. Nga një llogaritje e thjeshtë, na del që Martin Segoni duhet të ketë lindur jo më vonë se viti 1444. Nëse pranojmë që ka lindur më së voni në vitin 1444, atëherë del që ai ka vdekur 41 vjeç, d.m.th., shumë i ri. Sido që të jetë, është e sigurt që kur Skënderbeu vdiq, Segoni ka qenë të paktën 24 vjeç. Koncepti i shkrimit për Skënderbeun që na është ruajtur në përkthimin italisht në katër faqe është shkruar nga Segoni, i cili duhet të ketë qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i ngjarjeve dhe luftërave të Skënderbeut.

Vëllimet me dorëshkrime të Martin Segonit që ruhen në biblioteka të ndryshme të Evropës: Budapest, Firencë, Dubrovnik, Kotorr, Milano dhe Vjenë

Deri më sot, dorëshkrime origjinale /autografe/ të njohura, të ipeshkvit të Ulqinit, Martin Segonit na janë ruajtur vetëm në Bibliotekën Ambrosiane të Milanos, ndërsa në bibliotekat e tjera, kemi vetëm kopje të dorëshkrimeve origjinale ose përkthime të tyre.

Pas botimit të studimit të A. Petrusit, në vitet e fundit, kur na është dhënë mundësia, kemi bërë hulumtime dhe kërkime shkencore në arkiva dhe biblioteka të ndryshme, me qëllim të kompletimit të biografisë së M. Segonit dhe informacioneve për dorëshkrimet e tij. Nuk kemi arritur të bëjmë kërkime vetëm në Kotor, ku sipas një informacioni të një kolegeje studiuese, atje në një arkiv ruhen dorëshkrimet origjinale, në pergamenë, autografe të Martin Segonit, të cilat at Serafino Razzi i përktheu nga latinishtja, në italisht në vitin 1589.

Është një situatë tjetër me dorëshkrimet e M. Segonit, për të cilat ekzistojnë informacione për vendin ku ruhen, edhe pse jo të sakta dhe me gabime të shumta, qoftë për vendndodhjen e tyre, signaturat apo titujt dhe përshkrimin fizik si të dorëshkrimeve, ashtu edhe të vëllimeve ku ato ruhen.

Dorëshkrimi në italisht për Gjergj Kastriot Skënderbeun që ruhet në Firence

Fillimisht, dorëshkrimet e Martin Segonit kanë qenë të shkruara në latinisht, në pergamenë dhe të lidhura në një vëllim. Këtë kodik [vëllim] në pergamenë që ruhej në bibliotekën e Giovanni Battista Drago [Gjon Drago], e kishte në dorë Serafino Razzi, kur i përshkroi ato, në Kotorr në vitin 1589. Sot, dorëshkrimi i Serafino Razzi-t, ruhet në Bibliotekën Nacionale Qendrore të Firences, në signaturën Conv.

Dorëshkrimi ka kopertina kartoni gjysmë të fortë, të bardha. Në kopertinën e parë ka të shënuar: Angeli N. 1003. Tetë faqet e para janë boshe dhe të papaginuara. Në f. 1r është titulli: "Dell’origine, della Miliziia e delle Costumi dei Turchi. Narrazioni de Monsg. Martino Segonii Vescovo di Dulcigno. A’Sixto quarto. Fatte di latine volgari da fra Serafino Razzi dell’Ordine dei Predicatori, e Theologo, della Provincia Romana nell M.D.LXXXIX. /1589/".

I tërë dorëshkrimi është shkruar nga një dorë, përkatësisht është autograf i at Serafino Razzit. Paginimi përfundon në f. 88r. Mirëpo tekst të dorëshkrimit ka deri në f. 85v. Çdo faqe ka nga 21 rreshta me shkrim lehtësisht të lexueshëm. I tërë dorëshkrimi është në italisht. Paginimi është lart në të djathtë, në këndin e sipërm të faqes recto.

Meqenëse kemi pasur në dorë të gjitha dorëshkrimet e njohura deri me sot të Martin Segonit, qofshin ato autograf, qofshin përshkrime apo përkthime, mendojmë se përkthimi në italisht nga at Serafino Razzi në vitin 1589, është më i kompletuari, më i sakti, i cili pothuajse është i njëjtë me dorëshkrimet autografe të M. Segonit. Ne mendojmë se Agostino Petrusi është gabuar kur nuk ka marrë si tekst kryesor për botim kritik këtë vëllim me dorëshkrime, por është shërbyer me pjesë të ndryshme, të cilat, assesi nuk përbëjnë një tërësi, sikurse dorëshkrimi i Firences. Përveç kësaj, botimi i A. Petrusit vuan edhe nga gabime të shumta, të cilat i kemi vënë në dukje gjatë krahasimeve të bëra me dorëshkrimet që ai i ka botuar. Kësaj radhe nuk do merremi me këto gabime-lëshime të tij.

Mesa na është e njohur deri më sot, nëse nuk llogarisim informacionin që kemi për kodikun me dorëshkrime autograf të M. Segonit në njërin nga arkivat e Kotorrit, vëllimi me dorëshkrime i Firences është i vetmi që ka një skicë-studim për jetën dhe bëmat e Gj. K. Skënderbeut.

Jemi plotësisht të sigurt se ky dorëshkrim është i Martin Segonit, jo vetëm prej pohimeve të A. Petrusit, por prej analizave dhe krahasimeve të bëra me dorëshkrimet e tjera të njohura të M. Segonit dhe të atyre të botuara nga autorët e tjerë. Rezervat e shfaqura me këtë rast për autorësinë e këtij teksti, se gjoja është i përkthyesit, janë qëllimkëqija, tendencioze dhe pa asnjë mbështetje, qoftë burimore, qoftë nga literatura apo nga ndonjë rrugë tjetër. Pohime të tilla janë si rezultat i mosnjohjes së tërësishme të krijimtarisë së M. Segonit.

Martin Segoni - njëri ndër autorët e parë që shkroi biografinë e Gjergj Kastriot Skënderbeut

Biografia e Gj. K. Skënderbeut e shkruar nga Martin Segoni, është njëra ndër të parat, por më e sakta dhe pothuajse më e kompletuara.

Studimet dhe analizat e mëvonshme për këtë shkrim të Segonit për Skënderbeun nga autorë eminentë si: Petrusi, Buda, Shuteriqi, Ahmeti, etj, kanë nxjerrë në dritë mjaft momente interesante dhe të dhëna me vlerë, të cilat janë rezultat i studimeve krahasuese me shkrimet, librat dhe studimet e botuara më vonë.

Nuk ka fije dyshimi se Marin Barleti ka shfrytëzuar dorëshkrimet e Martin Segonit. Po ashtu, këto dorëshkrime, natyrisht edhe atë për Gj. K. Skënderbeun, i kanë shfrytëzuar autorët shqiptarë si: Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu, Gjon Muzaka, etj., të cilët veprat e tyre i kanë shkruar në mërgim, ndërsa M. Segoni, sipas të gjitha gjasave, pjesën më të madhe të dorëshkrimeve të tij e shkroi në Ulqin e ndoshta edhe në Novobërdë. Është interesante se nga koha e Martin Segonit, ne kemi edhe inkunabulën e parë nga territoret shqiptare të njohur deri më sot. Kjo inkunabulë nga ipeshkvi i Tivarit, Shtjefni /Stephanus, 1473-1485/ mban titullin: "Stephani archiepiscopi Antibarensis sermo habitus in materia fidei contra Turcorum persecutionem ex solennitate gloriosi apostoli et evangeliste Johannis". Ajo është botuar në vitin 1481 dhe origjinali i saj ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Sot mban signaturën: Incun. IV/543, int. 7.

Tekstin origjinal të përshkruar në gjuhën italiane dhe përkthimin në gjuhën shqipe po i sjellim në vazhdim:

Tregim nga turqit për Gjergj Kastriotin, në gjuhën e tyre i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh

Gjergj Kastrioti, zot i Shqipërisë, [që ishte] pjesë e Maqedonisë në detin Adriatik, lindi nga Gjoni. Ky zotëri, Gjoni, duke mos mundur t’u qëndronte armëve turke, bëri paqe me Muratin me disa kushte, njëra prej të cilave ishte, që ai (Gjon) t’i jepte djemtë e tij peng, e në mes tyre edhe Skënderbeun. Ky i fundit, i rritur në oborrin e turkut, dhe i arsimuar në literaturën turke e në ushtrimin e armëve, përfitoi kaq shumë saqë në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare u bë sanxhakbej, domethënë udhëheqës i një njësiti kalorësish.

Meqë kishte një pamje mbretërore të fytyrës, u pëlqye shumë nga Murati, i cili në fillim e dërgoi në Azi, (për të luftuar) kundër mbretit të Siçilisë, në të cilën luftë fitoi nam të madh, duke luftuar trup me trup me një tartar të shquar të cilin e vrau dhe me një kalorës persian. Pas kësaj, Murati bëri zakon të pohonte publikisht që ai (Skënderbeu) ishte krahu i tij dhe syri i tij i djathtë, si dhe mbrojtësi i papërsëritshëm i shtetit të tij.

Ndërkaq, pasi i erdhi vdekja të atit të tij, Gjonit, ushtritë turke pushtuan atë mbretëri, për të cilën Skënderbeu i dëshpëruar u ngushëllua nga Murati me dhënien e shpresës se së shpejti do ta pajisë (investojë) personin e tij me të, (mbretërinë). Por, (Murati) duke mos bërë asnjë veprim më tej në këtë drejtim, përkundrazi, duke bërë që vëllezërit e tij të vdisnin të helmuar, ai (Skënderbeu) me shkathtësi dhe letra të falsifikuara, u kthye në Shqipëri dhe u bë zot i disa kështjellave kryesore, pastaj, pasi u mblodhën në kuvend, popujt e provincës në fjalë dhe të tërë Maqedonisë, u njoh prej tyre princ i ligjshëm dhe u quajt mbret. Pastaj, ai preu copë-copë ata turq që nuk dëshiruan të pagëzoheshin dhe kështu pati një fitore të famshme kundër Muratit dhe të birit, Mehmetit. Ai mundi shtatë pashallarë; si prijës, së bashku me ushtrinë e tij shqiptare, i shkoi në ndihmë Mbretit të Napolit, Ferrantes, i cili ishte i sulmuar nga Anzhuinët, dhe me dëshirën e tij, e shpëtoi atë mbretëri duke mundur francezët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat