Kryengritja e « Rebelëve » të Haxhi Qamilit

Historia

Kryengritja e « Rebelëve » të Haxhi Qamilit

Nga: Abas Ermenji Më: 14 gusht 2022 Në ora: 17:39
Autori Abas Ermenji

Ndërsa Princ Vidit dhe qeverisë së Durrësit po iu vinin protesta nga shumë anë të Shqipërisë kundër vendimeve të Korfuzit, shpërtheu e papritur kryengritja e fanatikëve myslimanë të Shqipërisë së Mesme ose e Rebelëvet, siç u quajtën n’atë kohë. Në fillim u pandeh se kjo ishte e shtytur prej Esad Toptanit, dhe se prapa këtij qëndronte Italia, për të përzënë Vidin prej Shqipërie. Prandaj, me urdhër të Princit, shtëpia e Esadit u rrethua prej gjindarmërisë së Durrësit, e komanduar nga oficerë holandezë, natën ndaj të gdhirë më 19 Maj 1914. Esadi nuk desh të dorëzohej, po kur shtëpia e tij u qëllua me top, ai nxori menjëherë flamurin e bardhë. Pasi u arrestua, ndërhyri ministri italian në Durrës, baron Aliotti, për ta marrë ndën mprojtje dhe për ta hequr n’Itali me një luftanije. Vidi ia dorëzoi, dhe Esadi u prit në Romë me nderime.


Pas kësaj ngjarjeje, qeveria shqiptare dha dorëheqjen, por u formua përsëri nën kryesinë e Turhan Pashës, me fort pak ndryshime: vendin e Esadit si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës e zuri atdhetari i njohur, Aqif Pashë Biçaku (Elbasani); Midhat Frashëri u emërua ministër i Punëve Botore; dhe, pak më vonë, Petro Poga zëvendësoi Dr. Mihal Turtullin si ministër i Arësimit.

Ndërkaq, kryengritja e Rebelëvet po merrte përpjesëtime të mëdha. Ajo nisi në rrethin e Tiranës, më 17 Maj, me një sulm kundër batalionit të vullnetarëvet Tiranas, që po shkonte në Durrës për t’i vajtur në ndihmë Shqipërisë jugore kundër Grekëvet. Batalioni i vullnetarëvet u shpartallua shpejt te Ura e Limuthit, afër Tiranës, dhe kryengritësit hynë në qytet. Kjo plasje pushke u hap si një kushtrim nëpër fshatrat rreth e qark. Të nesërmen, më 18 Maj, grumbuj t’armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit. Më 19 Maj u arrestua Esad Toptani. Fuqitë e para qeveritare që u nisën në drejtim të Shijakut, u thyen, dhe një oficer hollandez i gjindarmërisë u zu rob prej Rebelëvet. Më 23 Maj, këta sulmuan Durrësin duke u hedhur përpara me guxim fanatikësh, por u prapsën me humbje gjer në kodrat e Rrashbullit. Atdhetarët civilë rrëmbyen armët për t’i ndihmuar gjindarmërisë në mprojtjen e kryeqytetit.

Cili ishte shkaku, ose shkaqet e këtij tërbimi? – Sigurisht turkomania dhe fanatizmi fetar.
“Historianët” e regjimit komunist kanë dashur t’a paraqisin kryengritjen e Rebelëvet si një lëvizje të fshatarësisë së shtypur kundër bejlerëve e çifligarëve, dhe kundër Vidit që përfaqësonte “ndërhyrjet e jashtëme imperialiste dhe reaksionin e brendshëm feudal”. Dhe si hero prototip t’asaj “lëvizjeje fshatare me karakter social-agrar” mbajnë Haxhi Qamilin. Dialektika marksiste e “luftës së të kundërtavet” iu ka vlejtur këtu më tepër se kudo gjetkë për të vënë kundër Haxhi Qamilit dhe masavet fshatare myftiun e Tiranës, Musa Qazimin, me turkomanët. E kështu në çdo mbledhje e në çdo rast, janë këta të fundit që kërkojnë bashkimin me Turqinë dhe që ecin me flamurin e saj përpara! Të shkretat masa fshatare dhe i shkreti Haxhi Qamil që, ndonëse ka në dorë kumandën e tyre dhe i bën shpalljet sociale e patriotike të denja për një marksist, bjenë gjithmonë viktimë e kësaj pakice turkomane!

Që komunistët kanë nevojë të pjellin nga fantazia lëvizje fshatarësh a punëtorësh të kohës së shkuar, me “karakter social”, për t’i dhënë luftës terroriste të tyre rrënjë të largëta në histori, është e kuptuarshme. Që si hero prototip t’asaj lëvizjeje të zgjedhin Haxhi Qamilin (i cili iu ngjante komunistëvet nga çrregullimi psikik megjithëqë, si fanatik fetar, nuk ishte aq mizor dhe nuk hante njerëz sikurse fanatikët marksistë), edhe kjo është e kuptuarshme. Por të këtilla fshehtësira të historisë mund t’i zbulojë, siç thamë, vetëm dialektika marksiste, që ka arritur t’a tregojë – të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Kurse logjika e zakonshme detyrohet t’i paraqiti gjërat dhe ngjarjet ashtu si i pranon mendja e njeriut. Dhe mendja e njeriut nuk mund të pranojë që Haxhi Qamili me shokë u ngritën për reforma ekonomike, kur ata vetë thërrisnin “duem Babën!” (domethënë Sulltanin), ecnin përpara me flamurin e Turqisë, dhe s’u dëgjua tjetër fjalë prej tyre përveç parullave fetare që i përhapnin nëpër fshatra me anën e hoxhëvet. As e merr mendja që kryengritësit të shpresonin reforma ekonomike prej këthimit nën Turqinë, i cili ishte qëllimi i luftës së tyre.

Është për t’u shënuar se Rebelët nuk u ngritën kundër feudalizmit si klasë shfrytëzonjëse, por kundër nacionalistëvet myslimanë dhe atyre bejlerëve që bashkëpunonin me Vidin, princin “kaur”, e që pranonin shkëputjen nga Turqia. Disa djegie shtëpish e rrëmbime drithi i kryen vetëm mbi pronat e këtyre bejlerëve dhe jo kundër të gjithëve. Bejlerët turkomanë që u bashkuan me Rebelët, si Dervish Biçaku nga Elbasani, u bënë miqtë e tyre. Në Berat, për shembull, u pushkatuan prej Rebelëvet Baki Gjebreja, Muharrem Leshi, Ismail Klosi dhe Hajredin Fratari. Asnjëri prej këtyre nuk ishte bej as çifligar, por vetëm nacionalistë shqiptarë që kishin luftuar për shtetin e pavarur nën Vidin, si gjithë atdhetarët e asaj kohe. Në të vërtetën, kryengritja e rebelëvet ishte më fort një sëmundje turkomanie se sa luftë fetare, sepse ata nuk vranë e nuk trazuan asnjë të Krishter, me sa dihet, jashtë luftimevet me vullnetarët e Vidit. Kurse grekomanët e Epirit bënë kërdi mbi popullsinë myslimane, pa kursyer as gra e fëmijë. Rebelët nuk vranë popull, si komunistët e sotshëm, por vetëm disa nacionalistë myslimanë, të cilët, sipas tyre, ishin shkaku i shkëputjes ose pengesa e bashkimit me Turqinë.

Lëvizje fshatare në kuptimin e klasës nuk ka pasur kurrë në Shqipëri gjer me sot; përndryshe nuk do të kishte mundur komunizmi t’a bluante ndën thundra fshatarësinë e t’a bënte skllave të partisë, siç e ka bërë.

E kemi parë më sipër sesi Turqia nuk desh t’a njihte pavarësinë e Shqipërisë dhe se Turqit e Rinj, kur zunë t’afrohëshin me Bullgarët, i shtuan përpjekjet për t’a tërhequr n’anë të tyre popullin shqiptar, duke i premtuar çlirimin e krahinavet të robëruara dhe autonominë ndën një princ mysliman. Beqir Grebeneja dhe agjentët e tij, përveç ndër turkomanët, u përpoqën t’a bënin të pranuarshme këtë politikë edhe në qarqet e atdhetarëvet që nuk shihnin tjetër udhë-daljeje nga gremina ku e hodhën Shqipërinë Lufta ballkanike dhe Konferenca e Londrës. Mirëpo ngjarjet rrodhën ndryshe, alianca turko-bullgare mbeti gjë e vakët Shqipëria u vu ndën kontrollin ndërkombëtar dhe si princ i saj u caktua Vidi. Me kokëfortësinë e tyre djallëzore dhe duke i ditur ndjenjat e një pjese të Shqiptarëvet, Turqit e Rinj nuk hoqën dorë nga përpjekja për t’a futur përsëri Shqipërinë në rrethin e Perandorisë Otomane. Por këtë radhë puna e agjentëvet të tyre u kufizua ndër turkomanët, sidomos të Shqipërisë së Mesme, ku ata kishin organizuar me kohë komitete të fshehtë dhe ku fanatizmi fetar mbahej m’i fortë. Idenë dhe ndjenjat për një “princ mysliman” i kishte nxitur në këtë krahinë edhe Esad Toptani, me qëllim që t’i shfrytëzonte n’interes të tij. Po kur ky shkoi t’i shpinte kurorën Vidit dhe u bë ministër i këtij princi “kaur”, e humbi besimin tek fanatikët myslimanë. Ndryshe, “lëvizja fshatare” e komunistëvet do të kishte pasur në krye Esad Toptanin, çifligarin më tiranik të Shqipërisë. Pra megjithse Esadi kishte ndihmuar në pregatitjen psikologjike të kryengritjes, nuk ishte ai që e shtyti. Ajo u shtyt e u drejtua prej agjentëvet turq dhe prej turkomanëvet. Pastaj u bë shesh intrigash për të gjithë armiqtë e Shqipërisë që donin shkatërrimin e shtetit shqiptar. Ndonëse prapa skenës vepronin agjentët turq dhe aventurierë t’ardhur prej visesh të ndryshme (në Tiranë, për shembull, organizonjësi i lëvizjes ishte Arif Hiqmeti nga Tetova), në krye të rebelizmit u dukën myftiu i Tiranës Musa Qazimi, Mustafa Ndroqi dhe Haxhi Qamili nga katundi Sharrë i Tiranës.
Më 3 Qërshor 1914, Rebelët bënë një mbledhje në Shijak, ku caktuan programin e tyre dhe ndanë detyrat. Ata donin largimin e Vidit, këthimin e Shqipërisë ndën Turqinë ose ardhjen e një princi mysliman i varur prej Sulltanit, ngritjen e flamurit të Turqisë, futjen e turqishtes si gjuhë zyrtare ose shqipja të shkruhej me abecenë arabe, dhe emërimin e kryemyftiut të Shqipërisë nga Sheh-yl-Islami. Si kryetar i lëvizjes, ose i qendrës së përgjithshme, u zgjodh Mustafa Ndroqi, dhe si kumandar i fuqivet t’armatosura, Haxhi Qamili. Por kryetari i vërtetë i lëvizjes rebele ishte myftiu i Tiranës, Musa Qazimi.
Mbasi nuk e muarën dot Durrësin me sulmin e parë, Rebelët u shtrinë brenda pak ditësh në Kavajë, Krujë, Peqin. Qeveria e Durrësit nuk kishte fuqi të mjafta për t’i hedhur kundër tyre në mësymje të përgjithshme. Princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa fuqi të pakta. Shqipëria e jugës ishte e zënë kundër Grekëvet. Në Durrës, përveç gjindarmërisë dhe disa atdhetarëve që rrokën armët si vullnetarë, kishte vetëm një forcë Kosovarësh me Isa Buletinin dhe Bajram Currin e nja 600 Mirditas me Prenk Bib Dodën. Në një sulm që bënë këta të fundit, patën mjaft humbje. Qeveria provoi të merrej vesh me Rebelët dhe dërgoi një komision në Shijak. Por ata vinin si kusht zëvendësimin e Vidit me një princ mysliman dhe këthimin e Shqipërisë nën mvarësinë e Sulltanit. Luftimet rifilluan nga mesi i Qërshorit. Rebelët e sulmuan Durrësin me tërbim nja dy herë, por u prapsën duke pasur mjaft humbje. Në një nga këto përpjekje u vra Koloneli holandez Thomson i gjindarmërisë shqiptare.
Duke parë se s’mund t’a merrnin dot Durrësin, Relebët u shtrinë n’anë te tjera të Shqipërisë, nga veriu e nga juga. Pushtuan Elbasanin, më 23 Qërshor, pastaj Lushnjën, Beratin, Fierin dhe, nga ana e lindjes, arritën gjer në Pogradec. Aty u përpoqën me çetën e vullnetarëvet Kolonjarë, dhe n’ato luftime u vra Gani Butka, i biri i Saliut. Por n’atë kohë Grekët, duke përfituar nga rrëmuja, e shkelën Protokollin e Korfuzit dhe u vërsulën mbi krahinat e Tepelenës, Përmetit, Korçës. Prej qendrës së tij në Pogradec, Haxhi Qamili bëri një marrëveshje me “Vorio-Epirotët”, që të dy palët të mbanin caqet e tyre.
Në lëvizjen e Rebelëvet, përveç agjetëvet turq që e drejtonin prapa skenës, futën hundët dhe duart të gjithë armiqtë e Shqipërisë. Italia e shtynte dhe e përkrahte me qëllim që të përzinte prej Shqipërie Princ Vidin, të cilit ia kishte bërë qëndresën mjaft të vështirë në Durrës. Serbia e ndihmoi edhe me armë e municione, që iu vinin Rebelëvet përmes liqenit t’Ohrit, sepse n’atë mënyrë mendonte t’a prishte shtetin shqiptar dhe t’i mbyllte rrugën e ndërhyrjes Austrisë. Greqia e shtyti sa mundi, për të paralizuar me anën e saj qëndresën shqiptare dhe për t’ua treguar Orthodoksvet si një lëvizje fetare myslimanësh kundër të Krishterëvet, në mënyrë që këtyre të mos iu mbetej tjetër udhë përveç bashkimit me Greqinë. Të gjithë këta armiq kishin agjentët e tyre pranë Rebelëvet. Kur Kolloneli anglez G. Philips, ish-kumandari i forcës ndërkombëtare të Shkodrës, vajti në Tiranë si ndërmjetës për t’i bindur Rebelët që t’i nënshtrohëshin Vidit dhe qeverisë së Durrësit, u takua me pesë veta, prej të cilëvet njëri iu duk si një prift grek, tjetri si një Turk, dhe asnjë prej të pestëvet, tha ai, nuk ngjante me Shqiptar. Një përshkrim të tollovisë s’asaj kohe e gjejmë në shënimet e Sekretarit të Legatës rumune në Durrës, princi Sturdza, i cili ishte mik i Shqipërisë aq sa luftoi me pushkë në dorë bashkë me Shqiptarët për mprojtjen e Durrësit. “Sot në Shqipëri çdo nismë e mirë, konstruktive, është e dënuar të dështojë- thotë ai. Çfarëdo rruge që të ndjekish, fqinjët e afërm dhe të largët do të t’a bëjnë të pamundur për t’i dalë në krye. Edhe po të jesh i butë e i shtruar, agjentët e huaj do të bëjnë çmos që të t’a prishin mendjen gjer sa të rrëmbesh pushkën e të hidhesh në kryengritje. Mjete, armë e të holla hyjnë nga çdo anë e kufijvet për t’iu shërbyer qëllimevet shkatërronjëse të të huajvet. Vetëm po të duash të luftojsh për çështjen kombëtare si atdhetar i ndershëm, s’të vjen kurrkush prapa, do të gjejsh pengesa nga të katër anët, dhe përpjekja jote do të dështojë në rrëmujën e përgjithshme”.
Ky shikim i drejtë i diplomatit rumun përmban një të vërtetë të hidhur, të tmerrshme, që rëndon akoma si një mallkim fatal mbi të mjerën Shqipëri. Të gjitha intrigat e botës gjejnë shesh të lirë n’atë vend, vetëm për atdhetarët nuk ka rrugë-daljeje. Ngado që të këthehen këta, iu duhet t’i bjenë murit me kokë ose të vdesin udhëvet të mërgimit.
Pas largimit t’Esad Toptanit dhe pas intrigavet që lozi në kryengritjen e Rebelëvet, Italia desh të gjente një figurë të rëndësishme për të bërë politikën e saj në Shqipëri, kundër Vidit. Dhe i hodhi syt, si duket, mbi Ismail Qemalin. Ky e theu heshtjen që kishte mbajtur disa muaj në Zvicër dhe dolli përsëri në skenë për t’iu dhënë ca këshilla Shqiptarëvet. Pas një bisedimi që pati me ministrin e Punëve të Jashtëme t’Italisë, San Giuliano-n, Ismail Qemali erdhi përsëri në mendimin e tij të vjetër, që Shqipëria të ndahej në tri kantone, në shembull të Zvicrës, dhe qeverimi i vendit t’i lihej në dorë Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Ndoshta Ismail Qemali, duke parë se Shqipëria e jugës po kalonte në duart e Grekëvet dhe e Mesmja u zhyt në rrëmujën e turkomanëvet, mendoi se zgidhja m’e mirë ishte ndarja e saj në kantone, të vetqeverisura sipas dëshirës të tyre, nën mprojtjen e Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit që përfaqësonte të gjashta fuqitë e mëdha. Në këtë mënyrë, me largimin e Vidit, merrte fund edhe rivaliteti austro-italian në Shqipëri. Mirëpo në të vërtetën, ndarja e Shqipërisë në kantone donte të thoshte n’atë kohë, e në çdo kohë, zhdukja e saj përgjithmonë nga radha e shtetevet. Sepse kantoni i jugës do t’i bashkohej menjëherë Greqisë, ai i mesit do të binte ndën Italinë dhe i veriut, ndën Austrinë (më vonë, ndën Jugosllavinë). Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit nuk do të bëhej, sigurisht, bariu besnik i kopesë shqiptare të ndarë më trish. Sidomos kur kishte dhënë provën, me Protokollin e Korfuzit, se nuk e hante fort malli për Shqipërinë e për Shqiptarët. Bashkimi i Shqipërisë, n’atë kohë, nuk mund të bëhej veçse rreth fronit të Vidit, i cili simbolizonte përpara botës shtetin shqiptar të pavarur. Prandaj qeveria e Durrësit dhe atdhetarët përgjithësisht nuk ia dëgjuan këto mendime Plakut të Vlorës, dhe bënë shumë mirë.
Kur panë se Rebelët e hodhën vendin në rrëmujë, Grekët e shkelën menjëherë Protokollin e Korfuzit edhe u derdhën mbi krahinat e Shqipërisë së jugës si egërsira t’etshme për gjak e mish njeriu. Në një t’ashtuquajtur “kongres panepirot” që mbajtën në Delvinë, më 6 Korrik, për të ratifikuar Protokollin e Korfuzit, Grekët e “qeverisë” së Zografit vendosën jo vetëm t’i kërkonin të tjera kushte Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit, po edhe të hynin me ushtëri në tokat e shtetit shqiptar, për të mprojtur gjoja Orthodoksit e “persekutuar” prej Myslimanëvet. Atëhere kriminelët e “kompanivet të shenjta”, bandat e Orthodoksvet grekomanë dhe njësi të rregullta t’ushtërisë greke ranë si stuhi e vdekjes mbi Shqipërinë e jugës duke djegur e vrarë ç’gjenin përpara, burra, gra, fëmijë e pleq. Shqiptarët provuan t’iu bënin qëndresë në Tepelenë, Kolonjë, Skrapar e Tomorricë, por u thyen prej rrebeshit. Kështu filloi shpërngulja e popullsisë myslimane në masë për të gjetur shpëtim në pjesët e pashkelura të Shqipërisë. Rrethet e Tepelenës, Dangëllisë, Leskovikut, Kolonjës, u zbrazën pothuajse krejt; popullsia e tyre, me dhjetra mijë, zbriti në drejtim të Vlorës. Grekët ose “Vorio-Epirotët” arritën gjer në Berat. Në furinë e këtij shpërthimi barbar, dogjën shkrumb e hi 314 fshatra myslimanësh. Të vrarët mizorisht nuk numërohëshin. Kush u kap, u ther pa mëshirë. Njëqind Shqiptarë myslimanë me gra e fëmijë ishin mbyllur në kishën e Hormovës, duke kujtuar se atje do të gjenin mprojtje; por bandat e Zografit i vranë që të gjithë, pa kursyer as një grua, as një fëmijë. Një dram si ky ngjau në Panarit të Korçës ku u therën si bagëti 24 burra, e në shumë fshatra të tjera. I tërë ai vend u bë një ikni-kush-do-të-shpëtojë-gjallë !
Mizoritë që punuan Grekët në Shqipërinë e jugës u dëgjuan gjer n’Evropë. Në Londër, Markezi Lansdowne ngriti zërin kundër Greqisë në Dhomën e Lordavet, duke e paditur atë për krimet, djegiet dhe mizoritë më të neveritshme kundrejt Shqiptarëvet. Ndërsa miku i vlefshëm i Shqipërisë, Aubrey Herbert, protestoi me të njëjtin shpirt në Dhomën e Komunevet. Ky këndoi përpara deputetëvet edhe një letër që kishte marrë nga një miku i tij filogrek, dëshmonjës me sy i ngjarjevet të tmerrshme të Shqipërisë, i cili shkruante: “Vajtimi i gravet, ulërimat e fëmijëvet dhe të foshnjavet të njoma në gji të mëmavet është gjëja më rrënqethëse që kam parë, ndonëse kam parë shumë llahtari të tjera në jetën time”. Por ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Edward Grey, s’kishte nge të merrej me kësi gjërash të vogla! Ai i gjente të kënaqshme deklaratat zyrtare t’Elefteri Venizellos, të cilat kishin aq vleftë sa të lehurat e një qeni.
Refugjatët e shpërngulur prej krahinavet të jugës arritën numrin njëqind mijë. Populli i rrethevet të Beratit e të Vlorës ndau kafshatën e bukës me këta të mjerë, por s’kishte se ç’t’iu jepte. Më në fund, kjo turmë njerëzore, e urët, e xhveshur e në një gjendje të papërshkruarshme, zuri vend n’ullishtat e Vlorës, ku u tha e u tret nga uria, nga sëmundjet. Qeveria e Durrësit bëri thirrje për ndihma n’Evropë pranë organizatavet të Kryqit të Kuq e të tjera të këtij lloji, por askush s’u shqetësua për të ndihmuar Shqiptarët. Përpara kësaj tragjedie, qeveria e Durrësit i kërkoi Zografit që të lejonte këthimin e këtyre refugjatëve nëpër vatrat e tyre, ndonëse të djegura, duke i siguruar se nuk do të përndiqëshin. Por ai s’ishte ngopur akoma me kufoma Shqiptarësh, prandaj nuk e pranoi kërkesën. Vendi ishte rrënuar prej tre-katër vjet lufte të paprerë. Tokat kishin mbetur të papunuara. Viti 1915 qe një vit zie i tmerrshëm. Drithi qe fare i pakët, dhe importimi u bë i pamundur me plasjen e Luftës botërore. Popullsia, në një pjesë të madhe të Shqipërisë së jugës, zu të vdiste urie. Tek të mjeruarët e Ullishtavet të Vlorës, përveç urisë dhe të ftohtit, u përhapën epidemitë, që korrën si me drapër të mëdhenj e të vegjël, me mijëra e mijëra burra, gra e fëmijë. Një pjesë e atyre që shpëtuan, emigroi në Turqi e gjetkë. Drami i popullit shqiptar ka fort pak shembuj në historinë e botës.
Në mes të këtyre ngjarjeve, u dëgjua atentati i Sarajevos, ku terroristët serbë vranë Arqidukën e Austrisë, Franc Ferdinandin, më 28 Qërshor 1914. Kjo qe shkëndija që i dha zjarr barutit n’Evropë dhe shkaktoi plasjen e Luftës së Parë botërore. Fuqitë e mëdha, sadoqë u munduan të shpëtonin paqen duke bërë padrejtësitë më të rënda në kurris të kombit shqiptar, u kapërthyen prapseprapë ndërmjet tyre. Një muaj pas atentatit, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë. Më 1 Gusht 1914, Gjermania i shpalli luftë Rusisë dhe, më 3 Gusht, Francës. Atëhere edhe Anglia iu shpalli menjëherë luftë Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. E gjashta fuqi e madhe evropiane, Italia, e cila deri atëhere kishte qënë e lidhur me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë, qëndroi përkohësisht asnjanëse gjersa të shihte se ngaha do t’anonte fitimi. Pas disa muajsh, u bashkua edhe ajo me fuqitë e Entente-ës (Francë, Angli, Rusi) kundër Perandorivet qendrore (Gjermani, Austro-Hungari).
Plasja e Luftës së përgjithshme e ndryshonte qëndrimin e fuqivet të mëdha kundrejt Shqipërisë, vend që ato donin t’a përdornin tani në planet e tyre ushtarake e politike, secila për llogari të saj. Austro-Hungaria desh t’a lidhte shtetin shqiptar me politikën e vet dhe t’a hidhte në luftë kundër Serbisë. Krerët kosovarë, si Hasan Prishtina, Isa Buletini e Bajram Curri e pranonin këtë propozim se kujtonin që ky ishte rasti për të çliruar Kosovën. Por Vidi me qeverinë e Durrësit e gjykuan më mirë punën, dhe nuk pranuan të merrnin anë as t’i shpallnin luftë Serbisë mbasi Shqipëria ishte shtet asnjanës. Kjo ishte politika m’e urtë, se përndryshe do t’a kishin komprometuar keq t’ardhmen e shtetit shqiptar kur Perandoritë qendrore e humbën luftën. Në përgjigjen që i dha Austro-Hungarisë, Vidi i thoshte se “megjithëqë ishte i bindur, si gjithë Shqiptarët, që tokat thjeshtë shqiptare, të cilat i qenë lëshuar padrejtësisht Serbisë, duhej t’i këthehëshin Shqipërisë, ai nuk mund të hynte në luftë, për shkak të vështirësivet të brendëshme dhe për shkak se Shqipëria ishte shtet asnjanës i garantuar bashkarisht prej fuqivet të mëdha”.
Austro-Hungaria atëhere ia hoqi përkrahjen Vidit dhe nisi të vështronte nga Rebelët, të cilët, duke qënë të varur nga Turqia, mund të përdorëshin kundër Serbisë. Kurse krerët kosovarë ishin gjithmonë për marrjen pjesë në luftë përkrah Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, ngaha shpresonin çlirimin e Kosovës.
Kështu gjendja e brendëshme e Shqipërisë u koklavit më shumë akoma. Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit u paralizua krejt, mbasi fuqitë e mëdha ishin në luftë kundër njëra-tjetrës. Edhe grupi i oficerëvet hollandezë mori urdhër që të largohej prej Shqipërie. Vidi, më 10 Korrik 1914, iu pati bërë një thirrje të fundit fuqivet të mëdha që t’a ndihmonin. Por atëhere, në prakun e Luftës, askush nuk kishte nge të merrej me shtetin shqiptar përveç Austro-Hungarisë, që desh t’a hidhte në luftë kundër Serbisë. Më në fund, e lëshoi nga dora edhe ajo. Kurse Rebelët, përbrenda, pushtuan Vlorën. Vidi dhe qeveria e tij kishin mbetur tani të rrethuar në Durrës. Gjendja ishte e pashpresë. I shtrënguar nga të gjitha anët, Princ Vidi s’pati se ç’të bënte tjetër veçse një shpallje popullit shqiptar dhe, pa abdikuar, u largua nga Shqipëria, më 3 Shtator 1914.


Një pjesë e atdhetarëvet shqiptarë u arratis përjashta, një pjesë tjetër u mblodh në Shkodër, e cila kishte mbetur akoma, ndën kontrollin ndërkombëtar, si e vetëmja strehë e lirë në Shqipëri. Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit, përpara se të largohej prej Shqipërie, ia la në dorë punët e kësaj Komisionit të konsujvet në Shkodër, nën kryesinë e atij t’Italisë asnjanëse.


Pas kaq mundimesh, pas kaq gjakderdhjesh, pas kaq mjerimesh, përpjekjet e atdhetarëvet u mbytën prej forcavet t’errësirës: grekomanët dhe turkomanët e përmbysën shtetin shqiptar. Fetë e ndryshme, që s’kishin qënë veçse propaganda politike t’armiqvet, e bënë punën e tyre duke helmuar tek pjesa m’e madhe e Shqiptarëvet ndërgjegjen kombëtare dhe ndjenjën e bashkimit.


(Marrë nga libri “Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë“, Abas Ermenji)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat