Haxhi Zeka dhe Lidhja Shqiptare e Pejës

Historia

Haxhi Zeka dhe Lidhja Shqiptare e Pejës

Nga: Ramiz Tafilaj Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 13:20
Autori Ramiz Tafilaj

Peja e ka dhe një tjetër kohë kulmore madhështie të vetën, aty kah mbarimi i shekullit XIX, kur u bá qendra e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur prej atëherë u cilësua në historiografi edhe si “Peja e Haxhi Zekës”, pasi në këtë truall të shquar shumanshmërisht prej nga Dardania Antike Iliriane, u themelua 123 vite ma herët, me 23-29 janar 1899, “Lidhja Shqiptare e Pejës”, përndryshe dhe “Besa-Besë”, një nga ngjarjet historike më të shënuara të kombit shqiptar.

Lidhje (e thirrur ndryshe dhe “Itifak”) ishte një organizatë me karakter të trefishtë: politik, ushtarak, mbarëkombëtar.

Lidhja Shqiptare e Pejës ishte politike edhe për faktin historik se Kuvendi i saj, i miratoi, me 29 janar 1899, akte e dokumente themeltare: 1.- Rezolutën- prej 11 Pikash. 2.- Aktin e Besës- prej 12 Pikash. 3.- Shpalli Thirrjen- Rruga e Shpëtimit është në “Besa-Besën”, të cilat, njëherit, e përbënin Programin e saj politik në strategji e veprimtari të shpallura e të pashpallura të saj, në ecuri vazhdimësie të saj, për bashkim të katër vilajeteve shqiptare e vendosjes së një statusi apo kushtetute të veçantë për administrimin e tyre, zbatimi i së cilës do të çonte drejt formimit të një province të vetme territoriale administrative të qeverisur nga Shqiptarët, ku parashihej në ardhmëri kohore vendosja e një administrate të veçantë shqiptare, krijimi i një ushtrie shqiptare për të mbrojtur “Atdheun e Shqiptarëve”, emërimin e Haxhi Zekës si Guvernator i pavarur i Shqipërisë etj.

Lidhja Shqiptare e Pejës ishte ushtarake, sepse:

Së pari: qysh në vendimet e Kuvendit u shpreh vendosmëria e Shqiptarëve për të përballuar me forca ushtarake vullnetare çfarëdo përpjekje që monarkitë ballkanike të kohës: Serbia, Bullgaria, Mali i Zi e Greqia mund të ndërmerrnin për copëtime territoriale etnike të trojeve shqiptare duke u shfrytëzuar prej tyre e ashtuquajtura “Çështje Maqedone” e sapolindur dhe e instrumentalizuar kësaj kohe në arena luftarake-politike-diplomatike.

Së dyti: përgjatë dy viteve të Lidhjes Shqiptare të Pejës u kalua edhe në kryengritje shqiptare kundërosmane (deri dhe afatgjata në muaj, deri dhe në mijëra luftëtarë), në Sanxhakun e Dibrës (tetor 1899), në Mitrovicë e krahinën e Drenicës dhe rrethina të Prishtinës, në Shkup, në Pazarin e Ri e Sienicë të Sanxhakut, në Gjilan,...deri në Pejë e Gjakovë me rrethinat (korrik-gusht 1990).

Së tretit: pati përballje luftarake të mëdha e të shumta edhe me formacione ushtarake otomane me mijëra ushtarë, në disa drejtime, në verë e vjeshtë 1990, të komanduara nga Shemsi Pasha dhe Mehmet Pasha, të cilat në fundvitin 1990 çuan në shtypjen e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në rënien e përkohshme të Lëvizjes Kombëtare për Autonominë e Shqipërisë.

Lidhja Shqiptare e Pejës ishte Mbarëkombëtare Shqiptare, sepse, së parit: e shtriu autoritetin e vet dyvjeçar, kryesisht në Vilajetin e Kosovës (kryeqendra e Lidhjes), po përgjithësisht edhe në vilajetet e Shkodrës, Manastirit e të Janinës, ku vendimet e Lidhjes u miratuan në mbledhje të gjëra popullore në krahina të ndryshme, si në Sanxhakun e Prizrenit (shkurt 1899), të vilajetit të Shkodrës (shkurt-mars 1899), të Dibrës (shkurt-mars 1899), të Ohrit, Elbasanit (mars-maj 1899) etj. Me Programin, Vendimet, nisma të Lidhjes Shqiptare të Pejës u bashkuan edhe popullsia e Manastirit, Korçës, Tiranës, Kërçovës, Beratit, Vlorës, Durrësit, etj. Së dytit: Lidhja Shqiptare e Pejës pati mbështetjen e madhe edhe të atdhetarëve rilindës e të shumë shoqatave shqiptare, jo vetëm brenda katër vilajeteve shqiptare të kohës, por edhe në vende të tjera të botës euro-aziatike. Ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri, Kryetar i Komitetit Shqiptar të Stambollit, në veprën e shkruar në Stamboll: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet ?” (mars 1899) e vlerëson Lidhjen Shqiptare të Pejës, ku mes tjerash, thoshte se: “Kjo Lidhje, kjo mbledhje e kjo Besë që po bëhet sot në Shqipëri, do të jenë krej’ i shpëtimit të Shqipërisë…”. Në prill 1899 nga Komiteti (Shoqëria) Shqiptare e Bukureshtit, (me atdhetarët rilindas Dervish Hima, Ibrahim Temo e të tjerë) botohet në një broshurë, Thirrja “Të Zgjohemi” (Ujanallëm), i bashkëngjitet dhe dokumenti i hartuar nga Hima: “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën”, të cilat i banë jehonë Lidhjes Shqiptare të Pejës, ishin një tjetër frymëzim patriotik e politik i saj.

Kësaj veprimtarie atdhetare përbashkuese mbarëkombëtare të Haxhi Zekës, ideator, organizator e kryetar i Lidhjes Shqiptare të Pejës, poeti ynë i madh, Gjergj Fishta, do ia kushtonte një himn e kushtrim, me vargjet poetike:

"Dil e piqu n’Haxhi Zekën

Grish Kosovën, bashko Rekën

Lsho kushtrimin n’Toskë e Gegë

Mblidhu tok si kokrrat n’sheg…”

Haxhi Zeka ishte kryetar i Komitetit të fshehtë Shqiptar që vepronte ilegalisht në Kosovë përgjatë vitit 1897 për formimin e një Shqipërie Autonome nën sovranitetin e Sulltanit, sipas shembullit të Principatës Bullgare.

Haxhi Zeka, me statusin e kësaj detyre, me atdhetarizmin e tij të lartë, ishte nismëtar dhe udhëheqësi kryesor i Organizatës Kombëtare “Beslidhja Shqiptare e vitit 1897”, e themeluar në shkurt-mars, në Pejë e Gjakovë, bash në kohën e Krizës Lindore. Kjo Organizatë legale, paraardhëse e Lidhjes Shqiptare të Pejës, kishte për detyrë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i Serbisë, Malit të Zi e Bullgarisë, synonte Autonominë e Shqipërisë. Kjo Organizatë e Beslidhjes Shqiptare mbajti mbledhje të një randësie të veçantë në Babinë-Most (mes Prishtinës e Vushtrrisë), në mars 1897, me popullsinë shqiptare të Pejës, Gjakovës, Lumës, Prizrenit etj.; në Pejë, në nëntor 1897, me përfaqësues të popullsisë shqiptare të vilajetit të Kosovës. Ishte veprimtaria kombëtare e kësaj Organizate të Haxhi Zekës që çoi në konflikte të armatosura me ushtrinë turke (otomane) të popullsisë së rretheve të Pejës, Prizrenit, Prishtinës,... të Gjakovës me rrethina, si dhe në Dibër, Tetovë, Kërçovë etj. të Vilajetit të Manastirit, në Elbasan, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet, Delvinë etj. të Shqipërisë së Mesme e të Jugut.

Haxhi Zeka ishte një ndër organizatorët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), që ishte Lidhja Shqiptare ma e madhe pas Lidhjes së Lezhës të Skënderbeut (1444). Ai, për aftësitë e shumanshme dhe meritat e tij të mëdha, për kontributet e tij të larta për kombin e popullin, bash në Kuvendin e parë, u zgjodh Anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte ndër drejtuesit kryesorë të Aksionit të Gjakovës (shtator 1878)- Aksioni i parë masiv luftarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishte kryetar i Degës së kësaj Lidhjeje për Pejën.

Beteja e madhe luftarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mbrojtje të krahinës së Plavë-Gucisë kundër mijëra forcave ushtarake pushtuese të Malit të Zi, në dhjetor 1879-janar 1880, kur për herë të parë e të vetme në historinë Shqiptarët të bashkuar e organizuar, nga të gjitha vilajetet shqiptare, u ngritën në formacione të armatosura e në luftë frontale kundër Vendimeve të Kongresit të Berlinit, kundër 6 Fuqive të Mëdha të Europës, kundër Perandorisë Otomane, kundër dy krajlive ballkanike, ishte me sukses të madh e të plotë, sepse ishte dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Haxhi Zekës, jo vetëm si Komandant i Lidhjes për Pejën, por edhe për ndihmat e tij kolosale e vendimtare humanitare. Haxhi Zeka, sipas historianit Xhafer Belegu, kishte angazhuar 1.000 kuaj me ushqime e veshmbathje, me armatime e municione nga Peja për në frontin e luftës Nokshiq-Pepaj-Arzhanicë. Gjithashtu, sipas prof. Dr. Zymer Nezirit, ndryshe nga të tjerë pasanikë, Haxhi Zeka iu dha të holla financiare furrtarëve të Pejës, që të shpërndanin bukë falas për familjet e vullnetarëve në luftën për mbrojtjen e Plavë- Gucisë, luftë e cila është “Parathënia e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit të historisë shqiptare.

Haxhi Zeka ishte ndër organizatorët kryesorë, prijësit luftarakë e ndihmëtarët humanitarë në Betejat në Koshare-Slivovë-Shtime të vitit 1881 kundër ushtrisë së Dervish Pashës; në Kryengritjet kundërosmane të Shqiptarëve të Kosovës në vitet 1884-1885, Kryengritjen e vitit 1893 në Gjakovë-Pejë etj. etj., të cilat i dhanë Atij aftësi e mundësi që të jetë një udhëheqës politik e ushtarak i jashtëzakonshëm në themelimin e drejtimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës.

Konsulli austriak në Shkodër, Theodor Anton Ippen, në një raport diplomatik për në Vjenë, në fillim të shkurtit 1879, thekson se Lidhja Shqiptare e Pejës është vazhdim i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në përmbyllje të kësaj kumtese në këtë Kuvend të Pejës, dua të them se historiografia shqiptare, historianët shqiptarë e të huaj, ende duhet të studiojnë në arkivat e huaja të Turqisë, Austrisë, Francës, Anglisë etj. për të pasqyruar në gjithanshmëri, në thellësi e lartësi, Lidhjen Shqiptare të Pejës e Kryetarin e saj, Haxhi Zekë Byberi, këtë figurë të madhe të Kombit Shqiptar, i cili mirëpritet nga Tirana e Prishtina zyrtare të ketë më shumë mirënjohje dhe së bashku me Lidhjen Shqiptare të Pejës të zënë më shumë vend në tekstet e veprat zyrtare akademike, universitare, shkollore në Shqipëri e në Kosovë.

-Kumtesë e mbajtur nga Ramiz TAFILAJ- Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve”, në Kuvendin PanShqiptar e NdërBallkanik të Alpeve, në qytetin e Pejës, më 12 nëntor 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat