Përdorimi i internetit nëpërmjet rrjeteve celulare në Shqipëri vijon të rritet me ritme të larta, ndërsa komunikimi tradicional përmes telefonatave dhe mesazheve SMS po humbet terren. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për tremujorin e tretë të vitit 2026 tregojnë se konsumi i internetit celular është rritur me 23,5% në harkun e një viti, pavarësisht reduktimit të numrit të përdoruesve.
Gjatë periudhës korrik-shtator 2026, trafiku i internetit në rrjetet celulare arriti në 90,68 milionë GB, me një rritje prej 17,4% krahasuar me tremujorin paraardhës. Ndërkohë, konsumi mesatar mujor i internetit për përdorues arriti në 13,06 GB, nga 10,41 GB në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 25,5%.
Mbi 3 milionë karta SIM, por numri bie me 9,5% në një vit
Në fund të shtatorit 2026, numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare, sipas kartave SIM, arriti në 3.068.870, me një rritje prej 3,2% krahasuar me tremujorin e dytë, por me një rënie prej 9,5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në harkun e një viti, numri i kartave SIM është reduktuar me rreth 323 mijë.
Ndërkohë, numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare arriti në 2.710.953, me një rritje tremujore prej 8,7% dhe një rënie vjetore prej 1,4%.
Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare arriti në 2.683.533, duke u rritur me 8,6% krahasuar me tremujorin paraardhës, por duke u reduktuar me 1,5% në bazë vjetore.
Rritja e përdoruesve gjatë tremujorit të tretë përkon me sezonin veror dhe fluksin e shtuar të vizitorëve në vend, megjithëse raporti i AKEP nuk e përcakton kontributin e turizmit në këtë rritje.
Interneti celular, përdoruesit aktivë rriten
Numri i përdoruesve aktivë të internetit nëpërmjet rrjeteve 3G, 4G dhe 5G arriti në 2.313.866 në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026, me një rritje prej 10,3% krahasuar me tremujorin paraardhës dhe një rënie prej 1,6% në bazë vjetore.
Nga numri total i përdoruesve aktivë të internetit celular, 2.286.446 përdornin karta SIM që mundësojnë njëkohësisht komunikimin zanor dhe internetin, me një rritje tremujore prej 10,2% dhe një rënie vjetore prej 1,7%.
Ndërkohë, numri i përdoruesve të kartave të dedikuara vetëm për internet arriti në 27.420, me një rritje prej 15,4% në bazë tremujore dhe 16,1% në bazë vjetore.
Rritet pesha e abonimeve me kontratë
Të dhënat e AKEP tregojnë gjithashtu një ndryshim në strukturën e përdoruesve sipas planeve tarifore, me një rritje të peshës së abonimeve me paspagim në harkun e një viti.
Në fund të shtatorit 2026, 55,1% e përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare përdornin plane tarifore me parapagim, ndërsa 44,9% përdornin plane me paspagim ose plane hibride.
Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, raporti ishte 59% me parapagim dhe 41% me paspagim. Pesha e abonimeve me paspagim është rritur kështu me 3,9 pikë përqindjeje në një vit.
Megjithatë, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2026, pesha e përdoruesve me paspagim është reduktuar me 3,2 pikë përqindjeje.
Konsumi i internetit celular rritet me 23,5%
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, përdoruesit e rrjeteve celulare konsumuan 90.685.619 GB internet, nga 73.411.160 GB në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në harkun e një viti, konsumi i internetit celular është rritur me mbi 17,2 milionë GB.
Të dhënat e AKEP evidentojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit mesatar mujor të internetit për përdorues gjatë pesë tremujorëve të fundit.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, konsumi mesatar mujor ishte 10,41 GB, për të arritur në 10,98 GB në tremujorin e katërt, 11,12 GB në tremujorin e parë të vitit 2026, 12,27 GB në tremujorin e dytë dhe 13,06 GB në tremujorin e tretë.
Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, trafiku i përgjithshëm i internetit në rrjetet celulare arriti në rreth 236,2 milionë GB, referuar përllogaritjeve të Ekofin mbi të dhënat tremujore të AKEP.
Rritja e ndjeshme e konsumit, edhe në kushtet e reduktimit të numrit të përdoruesve në bazë vjetore, tregon një intensifikim të përdorimit të shërbimeve digjitale nëpërmjet rrjeteve celulare.
Telefonatat bien me 5,9%, SMS-të me 7,7%
Në kontrast me rritjen e konsumit të internetit, komunikimi tradicional nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve SMS vijon tendencën rënëse në bazë vjetore.
Gjatë periudhës korrik-shtator 2026, përdoruesit e rrjeteve celulare realizuan rreth 994 milionë minuta telefonata dalëse, me një rritje prej 1,9% krahasuar me tremujorin paraardhës, por me një rënie prej 5,9% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në harkun e një viti, volumi i telefonatave është reduktuar me mbi 62 milionë minuta.
Ndërkohë, numri i mesazheve SMS të dërguara arriti në 82,5 milionë, me një rritje tremujore prej 0,9% dhe një rënie vjetore prej 7,7%.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë dërguar rreth 6,9 milionë SMS më pak.
Një përdorues aktiv realizoi mesatarisht 123 minuta telefonata dalëse në muaj, me një rënie prej 6,2% në bazë tremujore dhe 4,4% në bazë vjetore.
Numri mesatar i SMS-ve të dërguara për përdorues ishte 10 në muaj, me një rënie prej 7,1% krahasuar me tremujorin paraardhës dhe 6,3% në bazë vjetore.
Si shpërndahen telefonatat sipas destinacionit
Pjesa dërrmuese e telefonatave të realizuara nga përdoruesit e rrjeteve celulare në Shqipëri vijojnë të jenë drejt numrave celularë kombëtarë.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, telefonatat brenda të njëjtit rrjet (on-net) arritën në 576,7 milionë minuta, me një rritje tremujore prej 0,7% dhe një rënie vjetore prej 8%.
Telefonatat drejt rrjetit tjetër celular kombëtar (off-net) arritën në 400,4 milionë minuta, me një rritje prej 3% në bazë tremujore dhe një rënie prej 3% në bazë vjetore.
Raporti ndërmjet telefonatave brenda të njëjtit rrjet dhe atyre drejt rrjetit tjetër celular ishte 59% me 41%, kundrejt raportit 60% me 40% një vit më parë.
Telefonatat nga rrjetet celulare drejt numrave të telefonisë fikse në Shqipëri arritën në 8,66 milionë minuta, me një rritje prej 14% në bazë tremujore dhe 9,9% në bazë vjetore.
Telefonatat ndërkombëtare arritën në 7,6 milionë minuta, me një rritje prej 33,9% krahasuar me tremujorin paraardhës, por me një rënie prej 2,7% në bazë vjetore.
Telefonatat drejt destinacioneve të tjera, përfshirë numrat jogjeografikë dhe numrat e emergjencës, arritën në rreth 617 mijë minuta, me një rritje tremujore prej 6,4% dhe një rënie vjetore prej 10,1%.