Loja populiste e opozitës dhe neglizhenca e Qeverisë

Opinione

Loja populiste e opozitës dhe neglizhenca e Qeverisë

Nga: Melazim Koci Më: 5 qershor 2022 Në ora: 16:22

Debati për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) është ndër më banalët që është zhvilluar në Kosovë nga viti 1999. Në një përpjekje populiste për të fituar mbështetje dhe vota te pjesa më e goditur e popullatës nga inflacioni i lartë, opozita bëri propozimin, që në esencë në plan afatgjatë dëmton qytetarët e Kosovës. 1000 euro eventualisht të tërhequra sot nga Trusti, janë vlera e 10 000 eurove në vitin 2052, kur një 35 vjeçar pensionohet. Kaq është rritja mesatare në bursat botërore e mjeteve të deponuara (vlera e S&P 500 që është Fondi i 500 kompanive më të mëdha amerikane në vitin 1992 ishte 414 $, ndërsa sot është 4100 $).

Shtrohet pyetja: nëse logjika e tërheqjes së mjeteve nga Trusti bëhet praktikë, kush do të sigurojë ekzistencën e 65 vjeçarëve në vitin e largët 2052? Shtetet serioze nuk bëjnë lojëra të tilla. Në vend të kësaj loje populiste, opozita dhe shoqëria civile do të bënin mirë nëse do të fillonin presionin mbi Qeverinë e Kosovës që edhe ajo të bëjë veprimet që i bëri qeveria e Maqedonisë së Veriut nga fundi i vitit të kaluar. Shkupi ka bërë ngrirjen e çmimeve të produkteve të "shportës" (produktet elementare - mielli, vaji, sheqeri, orizi...).... Për pasojë, aktualisht dallimi i çmimeve të produkteve të "shportës" ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit është shumë i madh: në Maqedoninë e Veriut orizi - 0.7 euro, në Kosovë - 1.1 euro, vaji 2.15 - 2.85, sheqeri 0.62 - 0.95.....çmimet e produkteve elementare janë rreth 30 % më të ulëta në Maqedoni!

Përse Qeveria e Kosovës tash sa muaj nuk reagon si qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbrojtje të konsumatorëve? Reagimi eventual i opozitës në këtë drejtim do të gjente mbështetje të popullatës, por jo edhe tërheqja kundërproduktive e mjeteve nga Trusti.

Është edhe një çështje tjetër që meriton reagim dhe që ka të bëjë me Trustin, por që as Qeveria dhe as opozita nuk e debatojnë. Në bursat botërore nga fillimi i këtij viti është regjistruar rënie e madhe e aksioneve që rrezikon seriozisht Fondin e Kursimeve Pensionale. S&P 500 ka regjistruar rënie 15%, ndërsa NASDAQ 100 (100 kompanitë më të mëdha amerikane) ka rënie 25%. Ekspertë të njohur botërorë të tregjeve të aksioneve sinjalizojnë se për shkak të inflacionit të lartë, rritjes së kamatave në SHBA dhe krizës në Ukrainë, vlera e aksioneve në bursat botërore mund të shënoi rënie drastike.

Disa nuk përjashtojnë krizën e vitit 1929 ose atë të vitit 2000, kur bursat humbën ndërmjet 50 deri 80% të vlerës së aksioneve. Në vend të debatit absurd për tërheqje të mjeteve, do të ishte mirë që Qeveria, opozita dhe shoqëria civile të kërkojnë nga përgjegjësit e Trustit që të ndërmarrë masa urgjente që mjetet e deponuara të ruhen dhe mbrohen nga rënia eventuale dramatike.

Kështu do të mbrohej interesi i shtetit dhe qytetarëve dhe jo me lojëra populiste që në fokus kanë votën e popullatës së goditur nga inflacioni i lartë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat