Vit pas viti, më 29 Nëntor, përsëritet i njëjti ritual. Zyrtarë të lartë në Tiranë dalin para kamerave dhe, me zë sa më të lartë, na kujtojnë se në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët “ishin me aleatët”. Në 80-vjetorin e Çlirimit, presidenti Bajram Begaj shkruante se vendi u rreshtua në anën e duhur të historisë. E thonë me krenari, sikur kjo fjali të mjaftonte për të mbyllur çdo pyetje. Por historia nuk mbyllet me britma. Ajo kërkon një pyetje të thjeshtë: me cilët aleatë?
Lufta kundër pushtuesit fashist e nazist ishte e vërtetë. Mijëra të rinj shqiptarë dhanë jetën në male dhe nuk kanë asnjë faj për atë që ndodhi pas tyre. Askush nuk ka të drejtë ta përçmojë atë gjak. Por një gjë është ta nderosh luftëtarin, e krejt tjetër ta zbukurosh regjimin që ia vodhi fitoren.
Partia që e udhëhoqi atë luftë nuk lindi nga vullneti i lirë i shqiptarëve. U themelua më 8 nëntor 1941 nën kujdesin e dy emisarëve të Beogradit, Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës. Gjatë luftës armët i merrte edhe nga britanikët, por busulla e saj politike nuk tregoi kurrë Londrën apo Uashingtonin. Ajo tregonte Beogradin e Titos dhe Moskën e Stalinit. Këta ishin aleatët e vërtetë të atyre që sot festojnë 29 Nëntorin.
Çmimin e parë e pagoi Kosova. Rezolutën e Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944), me të cilën shqiptarët e Kosovës shprehnin vullnetin për t’u bashkuar me Shqipërinë, Beogradi e hodhi poshtë, ndërsa udhëheqja komuniste shqiptare heshti. Në vitin 1945 Kosova iu dorëzua Jugosllavisë si dhuratë për “vëllezërit” e luftës. Ky ishte aleati i parë: ai që na mori gjysmën e kombit.
Pastaj erdhën vitet 1945–1948, kur pak mungoi që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë. Kishte bashkim doganor, ekonomi të lidhur me Beogradin dhe këshilltarë jugosllavë në çdo zyrë të rëndësishme. Vetëm prishja e Titos me Stalinin në vitin 1948 e shpëtoi Shqipërinë nga gëlltitja. Por ai shpëtim nuk solli liri, solli vetëm një zot tjetër. Moska, aleati i dytë, e mbajti Shqipërinë nën vete deri në vitin 1961. Pas saj erdhi Kina e Maos dhe në fund izolimi i plotë.
Ndërkohë, me aleatët perëndimorë regjimi bëri të kundërtën e asaj për të cilën mburret sot. Në tetor të vitit 1946, minat në Kanalin e Korfuzit goditën dy anije britanike dhe vranë 44 marinarë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli Shqipërinë përgjegjëse në vitin 1949. Misioni amerikan u largua nga Tirana po në vitin 1946 dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara u rivendosën vetëm në vitin 1991. Ari i Shqipërisë mbeti i bllokuar në Londër deri në vitin 1996. Kështu e trajtuan Perëndimin ata që sot thonë se “ishim me aleatët”.
E mbi të gjitha erdhi plaga e dytë, edhe më e gjatë: shkëputja e Shqipërisë nga Evropa. Shumë nga ata që kishin lidhje me Perëndimin ose ishin shkolluar në Vjenë, Romë apo Paris u pushkatuan ose përfunduan në burgjet e Burrelit dhe të Spaçit. Kufiri u mbush me tela me gjemba dhe vendi me bunkerë. Kushtetuta e vitit 1976 ndaloi madje edhe kreditë nga jashtë. Shqiptarët u bënë populli më i mbyllur i Evropës, pikërisht kur fqinjët e tyre ndërtonin të ardhmen.
Prandaj fjalia “ishim me aleatët” është gjysmë e vërtetë, dhe gjysma e së vërtetës është shpesh gënjeshtra më e rrezikshme. Po, shqiptarët luftuan në anën fituese. Por regjimi që doli nga ajo luftë i zgjodhi vetë aleatët e tij, Beogradin dhe Moskën: pikërisht dy armiqtë më të mëdhenj të interesit kombëtar shqiptar në shekullin XX.
Edhe vetë data ka historinë e saj. 29 Nëntori ishte festa më e madhe e Jugosllavisë së Titos, Dita e Republikës, në përvjetorin e mbledhjes së AVNOJ-it në Jajcë më 1943. Një komision i ngritur më 1993 dhe disa historianë, mbështetur në dokumente të kohës, arrijnë në përfundimin se Shkodra u çlirua një ditë më herët, më 28 nëntor 1944. Në atë ditë vetë Enver Hoxha e quante 28 Nëntorin festë të dyfishtë, të pavarësisë dhe të çlirimit. Historianë të tjerë e kundërshtojnë këtë dhe debati nuk është mbyllur. Por një gjë nuk kontestohet: Shqipëria e regjimit festonte çlirimin e saj në të njëjtën ditë me festën e Beogradit.
Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe rruga e saj shkon drejt Bashkimit Evropian. Kosova e ka lirinë falë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë, po atyre që regjimi i 29 Nëntorit i quante armiq për gati gjysmë shekulli. Është koha që çlirimi të nderohet bashkë me pavarësinë më 28 Nëntor, si festë e të gjithë shqiptarëve, e jo si datë e një regjimi.
Aleanca me Beogradin dhe me Moskën nuk është diçka për t’u mburrur. Duhet kujtuar vetëm që të mos përsëritet. Zyrtarët që bërtasin çdo 29 Nëntor do të bënin mirë të thoshin me zë po aq të lartë: luftëtarët meritojnë nder, regjimi meriton gjykim.