Për çfarë takohen qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë?

Opinione

Për çfarë takohen qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 21 qershor 2022 Në ora: 15:39
Rama dhe Vuçiqi

Vetëm një marrëveshje është dashur ta nënshkruajnë qeveritë e Shqipërisë sot në Prishtinë, e cila do të kishte vlerë më shumë se 19 marrëveshjet tjera. Ajo do të ishte: dalja e Shqipërisë nga "Open Ballkani" derisa Serbia nuk e njehë shtetin e Republikës së Kosovës!

Ose: për çfarë arsye mblidhen dy qeveritë, të Shqipërisë dhe të Kosovës, tani më për të tetën herë me radhë, dhe nënshkruajnë marrëveshje shtetërore reciproke përderisa shumica prej tyre janë marrëveshje që përsëriten për shumë herë dhe zbatohen pjesërisht, ose nuk zbatohen fare?

Edhe sa marrëveshje të tjera të njëjta e të ngjashme për të ashtuquajturat lehtësira kufitare e doganore duhet t'i nënshkruajnë dy qeveritë derisa kufiri mbetet po ai që është?

Ku e pati gojën Albin Kurti që nuk ia tha troç në fytyrë Edi Ramës se e ashtuquajtura taksë për rrugën që i merret kosovarëve te tuneli i Kalimashit është plaçkitje të cilën qeveria e Shqipërisë së Edi Ramës ia bën "vëllezërve" kosovarë? Nëse Albin Kurti nuk ia tha këtë para syve, atëherë më mirë të mos flasë në media. Populli i të dy anëve të kufirit nuk bashkohet duke plaçkitur njëri-tjetrin, por duke ndihmuar njëri-tjetrin. Kufiri ndërshtetëror nuk "hiqet" për çdo vit nëpërmjet pallavrave si të Pandeli Majkos për shembull, por hiqet vetëm njëherë dhe atë me punë, e jo me fjalë belbëzuese.

Po, rreth mallrave të të dyja shteteve? Edhe shtatë herë të tjera më përpara, qeveritë e të dyja vendeve janë marrë vesh për plasimin pa pengesa të mallrave të Kosovës në Shqipëri dhe të Shqipërisë në Kosovë. Mirëpo, si janë jetësuar ato marrëveshje?

Dihet se deri më sot, as qeveria e Kosovës, as ajo e Shqipërisë, nuk kanë mbajtur asnjëherë mbledhje të përbashkët me qeverinë e Serbisë. Mirëpo, mallrat e Serbisë e kanë pushtuar edhe Kosovën, edhe Shqipërinë! Ndërkaq, sa i përket mallrave të Shqipërisë dhe Kosovës në Serbi, atëherë "pak më ngadalë"!

Nëse është kështu, atëherë kush është përfitimi i tetë mbledhjeve të qeverive të të dyja vendeve?

Nga këto mbledhje si duket përfitojnë vetëm kryeministrat, ministrat dhe të gjithë të tjerët që shkojnë prapa tyre - marrin mëditje të majme krahas pagave të mëdha, të cilat nuk i ka askush tjetër në rajon, dhe atë pa marrë parasysh faktin se si Shqipëria, ashtu edhe Kosova janë më të varfrat në Ballkan e më gjerë! Duket se më e rëndësishme është t'i kemi të pasur politikanët sesa popullin dhe shtetin.

Në mbledhjen e djeshme të të dyja qeverive, Albin Kurti është dashur t'ia thotë Edi Ramës shkurt e shqip: ose me mua e me Kosovën, ose me Aleksandar Vu[iqin e me Serbinë! Në dy hunj, jo!

Nëse jemi një popull dhe vëllezër mes veti, çfarë jemi në të vërtetë, duhet ta kemi të qartë se armiku i njërit vëlla (siç është Serbia ndaj Kosovës), nuk mund të jetë miku i vëllait tjetër (siç pretendon Edi Rama se gjoja Serbia është ndaj Shqipërisë)! Armiku i vëllait tim është armik edhe i imi.

Nëse kthehemi prapa në histori, kujtojmë se masakra dhe gjenocid që Serbia e ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës, dikur e ka kryer edhe ndaj shqiptarëve të Shqipërisë! Edhe sot, Serbia është po e njëjta ndaj shqiptarëve njësoj siç ka qenë historikisht. Shqiptarët bëhen "të mirë" për serbët vetëm nëse nuk ekzistojnë, ndryshe kurrë!

Nëse Edi Rama me klanin dhe oligarkët e vet, të cilët fatkeqësisht e kanë pushtuar Shqipërinë, janë në gjendje ta japin Kosovën për interesat e tyre, atëherë ata duhet të ndalen. Të tillët nuk e duan Kosovën, siç nuk e duan as Shqipërinë, por e duan Serbinë!

Së këndejmi, nëse askush në Shqipëri nuk e ndalë Edi Ramën në rrugën e tij drejt zhbërjes së Shqipërisë, atëherë duhet të jenë drejtuesit e Kosovës ata që duhet t'i thonë Edi Ramës: ju mund ta duani apo edhe të bashkoheni me Serbinë, mirëpo nëpër Kosovë nuk do të mund të kaloni dot!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat