Sindroma e Fraklin Rooseveltit!

Opinione

Sindroma e Fraklin Rooseveltit!

Nga: Enver Bytyçi Më: 27 qershor 2022 Në ora: 19:37
Autori Enver Bytyçi

Duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i qasen ngadalë përkrahjes së Open Balkanit. Ambasadori amerikan në Beograd, Criss Hill, ishte në Ohër dhe ndoqi nga afër samitin e para 10 ditëve. Më pas u shpreh pozitivisht rreth tij. Gabriel Escobar është i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor dhe në përshëndetjen e Samitit të Ohrit e kushtëzoi Ballkanin e Hapur me dy elementë: - Përkushtimin e tij në çështjet ekonomike dhe pjesëmarrjen e tri vendeve të munguara në këtë iniciativë. Ndërsa, para tri ditësh ambasadorja e SHBA-ve në Mal të Zi u shpreh hapur në mbështetje të Open Balkanit. Madje tha se "Kosovës në këtë iniciativë nuk i duhet fut-notë për t'iu bashkuar" asaj!

Kjo fjalia e fundit e shefes së diplomacisë amerikane në Mal të Zi shfaq kundërshtinë e saj me qasjen e Bashkimit Europian e sidomos të Gjermanisë, e cila i është përkushtuar Procesit të Berlinit, në vend të Ballkanit të Hapur. Madje përfaqësuesit e Berlinit në Bruksel e konsiderojnë Open Balkanin si kundërvënie dhe mungesë vullneti të rajonit tonë për t'u anëtarësuar në BE! Kjo panoramë më bën të analizoj atë se çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje anti-gjermane të Uashingtonit.

Vëllazëria me Vuçiqin

Edi Rama në Prishtinë u tha gazetarëve se do t'ju duhem një ditë për shkak të vëllazërisë që kam me Vuçiqin. Nuk e di nëse ishte ky një paralajmërim për luftë në rajon, nëse nuk përkrahet Open Balkan, apo diçka tjetër. Por, kryeministri i Shqipërisë e ka potencuar Ballkanin e Hapur si alternativë "të paqes" dhe ka paralajmëruar luftë e konflikt, nëse ai nuk mbështetet nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, kuptohet edhe nga faktorët politikë opozitarë, të cilët janë kundër tij.

Gjithçka që po ndodh besoj lidhet me një fakt: - Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka premtuar se nëse përkrahet minishengeni i djeshëm ose Open Ballkan-i i sotëm, atëherë Serbia do të ankorohet me Perëndimin. Kurse Rama ka shkuar më tej, duke i garantuar partnerët amerikanë se "paska folur me Vuçiqin dhe ky i fundit e ka garantuar kryeministrin e Shqipërisë, se Serbia në këtë rast do të bëhej edhe anëtare e NATO-s! Në Uashington duket se e testojnë, por edhe e kanë besuar Aleksandër Vuçiqin. Besimi amerikan është rrit, kur Rama ka hyrë si "garant" i këtij ndërrim-kursi të Serbisë nga aleanca me Rusinë te marrëdhëniet strategjike me SHBA-të!

Megjithatë në SHBA ende është i gjallë sindromi i presidentit Roosevelt, kur në Jaltën e shkurtit 1945 besonte se "Stalini është një demokrat" dhe "i mbahet fjalës së dhënë"! Menjëherë pas vdekjes së Rooseveltit Bashkimi Sovjetik i Stalinit ia tregoi dhëmbët kundër Perëndimit. Europa u nda në dy pjesë. Amerikanët e sotëm, përfshirë dhe ambasadorin prominent, Hill, duket se besojnë te premtimet e Aleksandër Vuçiqit dhe sidomos te ndërmjetësimi i Edi Ramës, të cilin e konsiderojnë si misit të tyre në Beograd! Por harrojnë se të dy këta liderë ballkanikë nuk kanë të bëjnë asgjë me fjalën e mbajtur! Thjesht janë mashtrues! Të dy këta duan të zgjasin ditët e vitet në pushtet. Prandaj dhe e mbajnë Departamentin e Shtetit me shpresën e një "suksesi" të pritshëm për ta marrë Serbinë në gjirin e kombeve anëtare të NATO-s e të BE-së! Madje shpresojnë se përmes Open Balkan do ta detyrojnë Beogradin të njohë edhe Kosovën e pavarur! Kjo është përralla më e "bukur" e kësaj komedie!

Premtime komprometuese në Kremlin

Absurde është kjo ta mendosh, jo më ta besosh. Sepse Aleksandër Vuçiqi, edhe sikur të ishte pro-amerikani më i madh në botë dhe pro-europiani më i përkushtuar, nuk do të mundet kurrë ta shkëpusë Serbinë nga ndikimi i Rusisë dhe ta ankorojë në Perëndim, sidomos në NATO. Ai çdo ditë thotë se "kurrë nuk do ta njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran". Në Serbi e thërret "Kosovo-Metohi", ndërsa anglisht "E ashtuquajtura Kosovë"! Ndërkohë që presidenti i Serbisë është peng i Moskës dhe i presidentit Vladimir Putin. Vuçiqi nuk mund të bëjë asnjë hap në drejtimin e kundërt të erës ruse. Kjo, sepse ai kontrollohet plotësisht nga Moska dhe Kremlini.

Vetë presidenti i Serbisë ka bërë biseda dhe premtime komprometuese në Kremlin. Rusët nuk janë aq naivë sa të mos e kenë futur në xhepin e vogël të qostekut atë. Por, nga ana tjetër të gjithë njerëzit që e rrethojnë janë militantë dhe vdesin për Rusinë, përpara se të japin jetën për Serbinë. Të tillë ka edhe në partinë e presidentit Vuçiq, por sidomos në partinë e Milosheviçit të drejtuar nga Ivica Daçiq! Edhe nëse kryepeshkopi i Serbisë do të ishte përkrahës i qëndrimeve pro-perëndimore të Vuçiqit, sinodi i Kishës Ortodokse të Serbisë dhe bashkëpunëtorët e kryepeshkopit janë e do ishin krejt kundër këtij qëndrimi. Në Akademinë e Shkencave dhe mediat publike gjithashtu ekziston fryma pro-ruse. Zërat pro-perëndimit në elitën akademike e intelektuale konsiderohen si "tradhti ndaj atdheut"!

Kurse 80 për qind e qytetarëve të Serbisë janë me zëmër e me shpirt pro Rusisë dhe presidentit Putin! Ndërkaq Roosevelt-ët e shekullit 21-të në SHBA shpresojnë ende se Serbia do të bëhet aleat i tyre! Naivitet i servirur nga tabakaja e Sorosit! Vuçiq nuk mund të bëhet Tito! Serbët betohen në fotografinë e Vladimir Putinit!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat