Si mundet të integrohet një vend izoluar siç është Kosova?

Opinione

Si mundet të integrohet një vend izoluar siç është Kosova?

Nga: Dedë Preqi Më: 28 qershor 2022 Në ora: 09:49

«Gjithnjë e më i pa arsyeshëm bëhet veprimi i Brukselit, për mos liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës, bashkë më te edhe zvetënimi i natyrës njerëzore, nëse një iluzion i tmerrshëm mendimi mesjetar, ua turbullon dhe ngatërron pamjen dhe realitetin njerëzor, atëherë nuk do të hezitonim ta quajmë edhe si një shkatërrim moral apo rrënojë shpirtërore e një natyre të tillë shoqërore, në një mes ku synohet dhe orientohet ardhmëria e popujve pa dallim në një familje të madhe në Kontinentin e lirë të Evropës».

Është e kuptueshme se proceset demokratike në Kosovë, po zhvillohen ngadalë, mirëpo neglizhenca e vetë Evropës, ndaj disa proceseve të rëndësishme të këtij vendi, sikur në vend të ndihmës dhe përkrahjes apo të lehtësimit, kjo po i neglizhon edhe më shumë gjërat, duke ua mbyllur rrugët e lëvizjes, ndërsa qytetarët e këtij vendi i kanë sytë dhe janë të orientuar nga Evropa, duke menduar se janë në kahe të drejtë dhe të duhur, njëherazi duke u distancuar gjithherë nga ngatërresat dhe problemet ballkanike.

Nëse Brukseli zyrtar dhe Evropa, i beson gjepurave të Serbisë dhe dokrrave të saja mesjetare, dhe fatin e popujve tjerë e përcakton në mëshirën e barbarëve dhe mitologjisë absurde të tyre, atëherë asgjë nuk mund të përfillet dhe ndryshohet apo transformohet në asnjë shoqëri njerëzore dhe historia ka mundësi që të ecën jo para, por të kthehet mbrapa dhe të fillojë nga e para, prej asaj fillese që ka në themel primitivizmin, apo epokën e vjetër primitive, ku ka sunduar dhe dominuar dhuna dhe forca, duke vënë rregulla dhe ligje primitive në një shoqëri njerëzore.

Brukseli zyrtar duhet të ndihet i turpëruar para qytetarëve të Kosovës, duke i lënë anash, në një mënyrë, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së fundit, nisur nga kjo pa drejtësi absolute e një populli të shumë vuajtur për liri dhe demokraci, dhe duke kuptuar historinë shekullore të këtij populli nën pushtuesit e egër shekullor, atëherë nuk do koment një përgjigje që shpalos dhe vulos çdo gjë në përkrahje të tij, por jo duke e dënuar edhe sot e këto ditë pa ndonjë arsye dhe shkas…

Për çka Evropës, po i mungon një vullnet i tillë politik, apo për shkak të mungesës të vullnetit politik, e përjashton të vetmin popull dhe të vetmin vend në rajon e Ballkan, duke e lënë të mbyllur si në një «kafaz», si një veprim i pa drejtë dhe i pa arsyeshëm, me ç’rast politikat e tilla nuk i bashkojnë popujt, por përkundrazi i ndajnë dhe i thellojnë edhe më shumë në kriza dhe pa kënaqësi, duke krijuar tensione dhe ballafaqime me jetën e izoluar.

Cili popull në botë që kufizohet dhe izolohet mundet ti plotësojë kushtet e jetës kur nuk e ka lëvizjen e lirë njerëzore, atij populli me siguri se do ti mungonte edhe perspektiva e përgjithshme dhe e ka vështirë të mbijetojë si qenie e lirë njerëzore, dhe nuk është çudi se atij populli mundet ti ndodh edhe gjithçka e pa pritur dhe e pa dëshiruar, duke e quar në rrugë dhe alternativa të pa lakmueshme.

Kush po e dëshiruaka lëvizjen e kufizuar të qytetarëve të tjerë, duhet ta kthejnë këtë logjikë në të kundërtën dhe ta realizojnë këtë dëshirë ndaj qytetarëve të vet, që ta kuptojnë të vërtetën edhe për qytetarët e Kosovës, sepse edhe këta janë njerëz, që e duan lirinë dhe jetën e lirë të tyre, sikur edhe qytetarët tjerë të lirë të kësaj bote pa dallime etnike dhe politike, që synojnë për një Evropë të lirë dhe paqësore.

Atëherë, çfarë po kërkon Brukseli, duke marrë parasysh konceptet tona demokratike dhe synimet e këtij populli, të cilat po mvaren rreth pikës qendrore, që quhet «Evropë e bashkuar», që në realitet po ndodh diçka e pa kuptimtë, nëse rreth kësaj qendre kemi diçka brengosëse dhe të pa drejtë, apo nuk do të thotë se, lëvizja e lirë rreth e rrotull nesh, a nuk do të thotë se nuk është inkurajuese dhe e imponuar në një klimë që duhet t’i afrojë popujt me njëri-tjetrin barabar dhe pa dallim.

Shqipëria dhe Kosova, janë si dy faqe të një monedhe të lashtë argjendi, që sot janë pjesë e rëndësishme e kësaj bote të qytetëruar, dhe si të tillë edhe këta janë qenie njerëzore si të tjerët, që kanë përvoja të hidhura e ndjeshmëri të vuajtjeve, të shtypjeve dhe të sakrificave, që dinë dhe e vlerësojnë edhe jetën e lirë, sikur gjithë njerëzimi i qytetërimit të kësaj bote.

Kosova dhe populli i saj e ndien vetën të ndëshkuar pa arsye, sikur mbetët në mes të Evropës, si një pikë e zezë në hartën e Kontinentit të vet, por që nuk dyshon në detyrat dhe obligimet e veta, si edhe vendosmërinë për të vënë vullnetin e saj në veprim, atëherë, pse Brukseli merr një qasje të tillë diskriminuese ndaj qytetarëve të saj, duke i vënë kushte e parakushte të cilat ndryshojnë çdo ditë, apo në kahe kah fryjnë «erërat ballkanike», por për fat të mirë, të gjitha i ka plotësuar me qetësi dhe korrektësi, ndërsa qytetarët e këtij vendi mbesin akoma me shpresa (t’thyera) të kalitura, duke e menduar një ditë më të mirë dhe lëvizje të lirë qytetare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat