Evropë e Borrelit dhe e Lajçakut, si do të veproni?!

Opinione

Evropë e Borrelit dhe e Lajçakut, si do të veproni?!

Nga: Hafiz Shala Më: 7 gusht 2022 Në ora: 13:40
Autori Hafiz Shala

Sado që Evropa ia mbaroni qejfin vedit se Serbia po “ndryshon”, e vërteta po del ndryshe.

Duhet që Serbisë t’i bëhet me dije se, me përzgjedhjen e kriminelëve në poste të larta shtetërore e legjislative, në vënd se të dënohen për krime, janë në dëm të sajë.

Sado që po humbni kohë e po shpenzoni para të taksapaguesve Evropian për ta larguar Serbinë nga Rusia, aq më shumë ajo po afrohet e trimërohet, aq më shumë po largohet nga anëtarësimi në BE, sikur nuk është e interesuar sepse i varë shpresat tek Rusia, duke pritur “fitoren ndaj Ukrainës”.

Evropa duhej të ishte ajo e cila Serbisë, jo vetëm me kërcënime verbale e deklarative por, me veprime konkrete t’ia tregojë vendin në shoqëritë demokratike se, me favorizimin, dhe ngritjen në poste përgjegjëse në poste të larta shtetërore, kriminelët si gjenerali Lubisha Dikoviq duke e zgjedhur në krye të Parlamentit të Serbisë, përfaqësues i popullit serb, që, lë me nënkuptuar se, ndoshta edhe populli serb po solidarizohet me krimin që nga koha e Millosheviqit duke i respektuar edhe qëndrimet e Vuçiqit i cili, le që nuk u distancua kurrë, sepse ishte edhe vetë bashkëpunues në ato krime por, edhe po i favorizon, duke marrë përgjegjësinë për ngritjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Dëshmi për këtë, janë edhe sulmet ndaj policisë së shtetit, si ajo e sotshme gjatë patrullimit mbi liqenin e Ujmanit.

Ky është edhe një presion politik ndaj Evropës dhe Amerikës, duke ua bërë me dije se duhet të “kenë kujdes” për çfarë vendime do të merren në takimin e 18 gushtit në Bruksel, nëse ato nuk janë në favor kërkesave të pakicës, në të vërtetë, kërkesat e Vuçiqit përmes Listës serbe, si instrument i tij manipulues e pengues të funksionimit të shtetit në tërë territorin e tij, duke i trimëruar forcat nacional-shoviniste se, “Dardania është pjesë e Serbisë”.

Mbes me shpresë që, bashkësia ndërkombëtare, në rastin konkret, Evropa dhe Amerika, më në fund, ia ndalin turrin Serbisë së Vuçiqit nëse duan paqe, qetësi, marrëdhënie ndërfqinjësore dhe globale duke ua mundësuar qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, pa dallim nacionaliteti, religjioni apo përcaktimi politik, duke e njohur e respektuar Republikën e Dardanisë si shtet të vetin.

Evropa e Borrelit dhe Lajçakut, si do të veproni?!

Edhe pas vazhdimit të akteve terroriste kundër policëve në liqenin e Ujmanit, zoti Borrel dhe zoti Lajçak, përsëri a do t’u drejtohen të dy palëve të përmbahen?!

Çka duhet të bëjë shteti i Dardanisë përpos se, t’u drejtohet terroristëve me lutje që mos t’i sulmojnë organet e rendit e të sigurisë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në baza ditore. A duhet që shteti të dorëzohet?!

Tani, do të paramendoja se si do të reagonte, Serbia e Evropa, po që se policia ta përdorte armën në vetëmbrojtje, të vriste ndonjë terrorist.

Do të alarmohej Evropa, Amerika e OKB-ja, duke e fajësuar shtetin shqiptar për “dhunë, dëbim dhe terror ndaj serbëve duke ua pa mundësuar jetesën në shtetin e Dardanisë”.

Një ditë, nëse Serbia nuk bindet për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga ajo, duke vrarë, masakruar, dhunuar e dëbuar shqiptarët nga tokat e tyre stërgjyshore, shteti pa tjetër do ta shtrijë kontrollin dhe sovranitetin në tërë territorin, pa marrë parasysh çmimin, gjithnjë, duke bashkëpunuar ngushtë më KFOR-in, përgjegjës për sigurinë e tërësisë territoriale sipas shpalljes së Pavarësisë të vitit 2008.

Pala luftënxitëse e destabilizuese, në rastin konkret, Serbia, asaj duhet t’i tregohej shkopi nëse nuk e pranon karotën, që do të thotë, të kërkojë falje, ta njoh Dardaninë dhe, ta vazhdojë fqinjësinë normale.

Unë, dua t’ua tërheq vërejtjen, organeve shtetërore të sigurisë, KFOR-it dhe BE-së e SHBA-ve se, në periudhën deri te takimi i Brukselit me 18 gusht, të jenë syçelë sepse, Serbia, përsëri do të tentojë të inskenojë ndonjë provokim me qëllim të shtyrjes e stërzgjatjes dhe mosarritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, e obligueshme nga të dyja palët nën garancionin e SHBA-ve dhe BE-së që, sipas disponimit dhe premtimeve të Vuçiqit dhënë popullit serb se kurrë nuk do ta njoh Dardaninë, duket bukur e vështirë të arrihet një marrëveshje e tillë në interes të dy popujve që, për Vuçiqin, jo që do ta humb pushtetin por, është e rrezikuar edhe siguria e tij personale, të cilën vetë e ka sjellë në këtë deregje.

Evropa e SHBA-të, ndërmjetësuese të bisedimeve rreth kësaj marrëveshje historike, nëse arrihet, ta gjejnë formulën: “mishi me u pjekë, e helli mos me u djegë”.

Shteti Dardanisë, nuk mund të qëndrojë ma spektator për zgjidhjen të cilën e pret për paqe e qetësi, sepse, popujt po vuajnë, po largohen, problemet sociale po rriten, prandaj, shtrimi i sovranitetit të shtetit të Dardanisë duhet të sigurohet ashtu siç është njohur nga ma shumë se 2/3-tat e shteteve të botës, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila qartë është deklaruar rreth kësaj, prandaj, Qeveria e Dardanisë është në bashkëpunim, koordinim e dakordim me të, sikurse edhe shpresa në të cilën populli i vrarë e beson.

Pa dialog, kjo nuk mund të arrihet, prandaj edhe palët duhet të ulën në tavolinën e bisedimeve për t’u marrë vesh.

 

New York, 6 gusht 2022

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat