Bozhidar Deliç nuk është vetëm!

Opinione

Bozhidar Deliç nuk është vetëm!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 8 gusht 2022 Në ora: 11:07
Bozhidar Deliç

Bozhodar Deliç është rizgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Ai ishte në këtë post edhe në legjislaturën e kaluar dhe do të jetë gjithashtu në këtë legjislaturë. Por, zhurma po bëhet tani pas katër vitesh. Nuk u bë në zgjedhjen e tij të parë, megjithëse është i njëjti, drejtues i masakrave në Kosovë, përkatësisht në rajonin e Prizrenit, Rahovecit, Suharekës dhe Dragashit, ku janë masakruar së paku 2500 shqiptarë.

Reagimi i sotëm lidhet me faktin se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga aktor në atë që quhet zgjidhje e problemit dhe krizës midis Kosovës e Serbisë, tani konsiderohet vetë problemi. Zhurma e sotme për rizgjedhjen e Deliçit si nënkryetar i parlamentit serb vjen për të testuar dhe detyruar presidentin Vuçiq të distancohet nga e kaluara kriminale e tij dhe e vendit të tij. Sepse nuk është vetëm Deliçi. Për t'u distancuar sidomos nga aleanca dhe lidhjet me Rusinë! A do të funksionojë kjo? Sigurisht që jo! Është thjesht një taktikë e radhës, të cilën Beogradi e përdor me mjeshtri për të mashtruar Perëndimin!

Me qindra dhe mijëra kriminelë lufte në Bosnjë e në Kosovë janë të lirë në Serbi. Madje Serbia ka prodhuar kriminelë të rinj të pas luftës, si Milan Radojçiqin, i cili përmes një videoje e kërcënoi pak ditë më parë Kosovën me luftë dhe u mor në mbrojtje nga vetë kreu i shtetit serb. Serbia dhe institucionet serbe nuk mund të ekzistojnë ndryshe, nuk mund të veprojnë dhe të udhëheqin pa masën e kriminelëve në pushtet e në administratën publike.

Bozhidar Deliçi është i partisë së djathë ekstreme NADA, por më parë ka qenë anëtar i partisë radikale si dhe i partisë së ashtuquajtur progresive të Aleksandër Vuçiqit. Ai është mbështetur dhe mbështetet pikërisht për veprat e tij kriminale kundër shqiptarëve. Në vend se të hetohej e të gjykohej për krime lufte e krime kundër njerëzimit, ai është zgjedhur deputet dhe nënkryetar i një parlamenti të inkriminuar me luftëra e masakra kundër popujve të tjerë.

Bozhidar Deliçi nuk është i vetëm. Bashkë me të janë vetë presidenti Vuçiq, i cili në kohën e masakrave në Bosnjë ishte deputet i kriminelit Sheshel dhe nga foltorja e atij parlamenti bëri thirrje për vrasjen e shfarosjen e 100 myslimanëve për çdo serb të vrarë. Është president ai që në qeverinë kriminale të Milosheviçit ushtroi detyrën e ministrit të propagandës së tij kundër NATO-s e pro masakrave dhe gjenocidit të planifikuar nga shteti në Kosovë. Kur vetë presidenti i një vendi është i inkriminuar dhe personazh krimesh në të shkuarën e tij, nuk mund të pritet që ai të largojë bashkëpunëtorët e vet nga politika dhe institucionet e vendit të tij. Vuçiq nuk bën dot përjashtim për këtë.

Ndërkohë, përveç Vuçiqit, aktorë të rëndësishëm të krimeve në ish-Jugosllavi e në Kosovë janë edhe të tjerë politikanë. Ivica Daçiq është njëri prej tyre. Ai ishte zëdhënësi i Milosheviçit! Pas tij është Aleksandër Vulini. Dhe ne shohim çdo ditë se si këta kriminelë të dëshmuar në luftën kundër shqiptarëve nxisin aktualisht konfliktin kundër Kosovës dhe destabilizimin e rajonit tonë. Nëse dikush do të hulumtonte me saktësi dhe në detaje përbërjen e parlamentit, qeverisë, administratës së lartë të shtetit serb, atë të ushtrisë e shtabit të përgjithshëm të saj, të policisë, prokurorisë e gjykatave serbe, do të zbulonte me mijëra Bozhidarë Deliçë!

Shqetësimi është se pse bota e qytetëruar nuk reagon ndaj kësaj situate, e cila është premisa kryesore për rikthimin e dhunës në rajonin tonë?! Çfarë e mban peng Europën dhe SHBA-të në këtë histori lëshimesh, ndërkohë që te shqiptarët shohin edhe qimen në qull?! Hamendësohet se Vuçiqi ka premtuar ndërrimin e kursit gjeopolitik të Serbisë dhe ndaj e tolerojnë atë për të mbërrit te finalja, te ankorimi i Beogradit në anijen euro-atlantike. Unë i respektoj ata që në Perëndim mendojnë dhe shpresojnë te Vuçiqi! Por, është naivitet i palejueshëm të besosh se kriminelët serbë bëhen "demokratë" dhe "përkrahin vlerat perëndimore"! Ata janë dhe do të mbeten me shpirt e me zemër në aleancë strategjike me Rusinë! Ata e shohin presidentin rus, Vladimir Putin, si "shpëtimtarin" e Serbisë! Ata nuk kanë asnjë ndjesi pozitive për Europën dhe SHBA-të! Nëse gjendet ndonjë i tillë, ai nuk ka e nuk do të ketë për dekada me radhë ndonjë ndikim në opinionin serb.

Bozhidar Delliç jo vetëm nuk është vetëm, por fatkeqësisht ai e ka përkrahjen e Perëndimit. Shihni si i sheh Perëndimi me llupë deklaratat e liderëve shqiptarë dhe sa ashpër reagon ndaj tyre! Ndërkohë Vuçiqi ndez flakët e luftës dhe mban mijëra kriminelë të tipit Deliç e askush nuk guxon t'i reagojë! As kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nuk përton t'u hakërrehet shqiptarëve të tij si të qe xhandar i mesjetës!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat