Shamia mes absurdit dhe arsyes

Opinione

Shamia mes absurdit dhe arsyes

Nga: Genc Xërxa, sociolog Më: 9 gusht 2022 Në ora: 17:51
Autori Genc Xërxa, sociolog

Dikur shamia gjatë fillimviteve të shekullit të 20’-të ishte shenjë e injorancës dhe një identitet i përbrendësuar që vinte nga kultura e sunduesit osman. Pra, shqiptarët ishin në kërkim të identitetit të tyre, kulturor, gjuhësor, stil jetese dhe kodifikimit social. Zgjodhën rrugën pro-perëndimore krahas asaj të lindjes. Zërat më të fuqishëm për këtë trasim vinin mu nga ata që ishin arsimuar në hapësirat e pushtetit otoman (Sami Frashëri). Duke u ndjerë të kërcënuar në aspektin politiko-kulturor vendosën të braktisin të gjitha shenjat që identifikohen me otomanët për t’u drejtuar me theks të veçantë drejt europianizmit. Shamia, burka apo mbulesa ishin gjërat e para që iu hoqën grave duke kërkuar që ajo ta zë vendin e merituar e lirohet nga mbyllja sociale, “e lirë” në sferën publike dhe ndjek rrugën e afirmimit dhe emancipimit edukativo-arsimor.

Nga aspekti politik, qarqet dashakeqe sllave në krye me shtetin serb, propagandonin karshi shqiptarëve për identitetin e tyre, i quanin myslimanë fundamentalë. Ky etiketim zgjati gati më shumë se një shekull, përball “alibive” në spastrimet etnike që ndërmori Serbia ndaj tokave shqiptare. Kjo propagandë e gatitur bukur mirë në “kuzhinat serbe”, shkonte me qëllim që ti hyj në vesh Europës, qendrave vendimmarrëse se “mbeturinat e pushtimit Osman” s’duhej përkrahur asnjëherë në krijimin e shtetit të tyre.

E Serbia di më së miri si të merret me ta, ishte fjala për shqiptarët e viseve të ndryshme, sidomos atyre që i takonin “Vilajetit të Kosovës”. Për ta bërë më të besueshëm këtë fakt politikat serbo-ruse, gjithnjë në shërbim politikave antishqiptare, sipas librit për Sufizmin-Islami tjetër të Stephen Schëartz, ai në një pjesë sqaron se si bëhej rekrutimi i hoxhallarëve që vinin nga trojet ruse në “shërbim të islamit pluralist” me mision në Ballkan.

Për të sjellur një islam më fundamental, rigjid apo antagonist me tradicionalin që mbretëronte më i moderuar deri në atë kohë. Shtrirje pati ky islam me qëllime politike në sanxhak të Pazarit të Ri, një pjesë të Bosnjës, Kosovës e Maqedonisë, ndoshta edhe më tutje. Ishte gjithnjë në shërbim të propagandës antishqiptare për një islam fundamental që shtrihej gjeografikisht e të rrezikshëm, mu në derë të Europës. Që të arsyetohej apo kërkohej mungesë vëmendje në heshtje për indiferencë nga Europa, gjatë spastrimeve etnike që bënte Serbia në këto vise, e mos “vërehej assesi” nga bota demokratike. Iu nevojiten klasës politike në ish-Jugosllavi apo elitës kosovare gati një shekull ta zmbraps këtë propagandë dashakeqe, në krye me Rugovën/Kadarenë dhe ndjekësit e tij, që shqiptarët (kosovarët) janë popull pro-perëndimor. Ende sot nuk e kemi mbyllur subjektivizmin e shtetit të Kosovës në plotëni. Kjo nofkë nëse ri-shfaqet sërish në qarqet vendim-marrëse vetëm sa do e vështirësoj këtë proces të euro-atlantizmit kosovar që e presim aq shumë dekada.

Sot s’është ekskluzivisht shenjë e injorancës mbulesa tek gruaja. Por, numri i islamit tjetër apo fundamental është në rritje në diskursin publik. Debati mbi shaminë në shkolla është edhe një përpjekje e politizimit apo imponimit fetar. Nëse shkollat publike ruajnë pavarësinë e tyre, ato nuk do ishte mirë të ndikoheshin as në mënyrë direkte apo indirekte nga asnjë grupim social. Sot nëse kërkesat janë për shaminë nga islamistët nesër do të kërkohen gjëra të ngjashme nga komunitetet tjera, apo grupet e ndryshme sociale që s’dmth që gjithsesi duhet të jenë fetare. Hipotetikisht nëse nesër një grupim social ambientalist do kërkonin të drejtat e tyre të të shprehurit të natyralizmit, grupe të natyralistëve kemi në Europë që protestojnë kundër zhvillimeve që po cenojnë natyrën. Protestat e natyralistëve dhe koncepti i tyre mbi natyrën i bënë që të frekuentojnë lakuriq. Çka do të ndodhte!? Do ishim tani në dilemë mes veshjes dhe zhveshjes!!!

Nëse bëjmë dallime apo majorizime gjatë vendimeve për institucion shkollor, atëherë nëse nuk ua përmbushim të gjitha grupeve kërkesat mbi të “drejtat e tyre”, do të kishim të bëjmë me diskriminim të ndonjë grupi duke e lënë dikë të përjashtuar nga kërkesat e tyre. Çfarë do dukej një shkollë publike të një shteti laik, sekular nëse të gjithë grupeve (subkulturave) i’u plotësohen dëshirat?! Më falni në shprehje, por s’do ngjante në shkollë ai institucion, por një “vend maskenbali”. Në vend që të kërkohen përmbajtje, cilësi në shkolla dhe mënyrë se si ajo nesër t’ua mundësoj të gjejnë punë, ne kërkojmë se si të dukemi në një shkollë që ka kodin e saj të veshjes, si çdo institucion publik. Pra, duhet të dallohet hapësira publike nga ajo private. Në shtëpi mund të sillemi si të dëshirojmë, por kur shkelim jashtë oborreve tona, duhet të kemi një konsensus vleror të sjelljeve dhe sistemit të vlerave që na bëjnë të jemi në harmoni, tolerancë me tjerët duke mos e bërë askënd të ndihet keq apo ua „imponuar teket tona personale”, që i bartim nga shtëpitë tona, pse jemi shumicë dhe e drejta jonë “duhet të jetë gjithsesi e pranueshme ekskluzive”.

Fëmijët deri në tetëmbëdhjetë vite janë të mitur, zakonisht qëndrimet e tyre më shumë imponohen nga familja apo rrethi. Për të qenë të pjekur apo të formuar në personalitet ndoshta edhe për të gjykuar duhet tu lihet kohë, s’paku të jenë në moshë maturiteti. Pastaj do të mund të krijoheshin kushtet që të negociohej bartja e shamisë nëpër institucione si pjesë e respektimit të të drejtave njerëzore mbi shprehjen dhe të drejtën e aparencës ashtu siç individi dëshiron, nëse përputhet me filozofinë e saj jetësore. E assesi të jetë cak i imponimeve apo shtytëse nga grupe të caktuara interesi me qëllime politike përfituese me tendencë në ri-krijimin e një rikulturimi apo definimit të ri social.

Jemi trasuar si shoqëri pro-perëndimore, shfarosja jonë etnike u ndal fal shteteve të tyre në krye me SHBA-në. Shtetet nga lindja ende nuk e kanë njohur “shtetësinë e vëllezërve mysliman”. Absurdi më i madh i joni është se një pjesë e jona me mendje, stil jetese e mentalitet “udhëhiqen nga lindja”, ndërsa po të njëjtit sapo kanë vështirësi në mirëqenien e tyre ekonomike, mësyjmë botën perëndimore për një jetë më të mirë, harrojnë sistemin vleror të lindjes, menjëherë. Pse mos ta bëjmë atë botë perëndimore që e dëshirojnë edhe vet predikuesit fetar fundamental këtu në Kosovë e mos të kemi nevojë të ikim askund nga vetja jonë, as me trup as me mendje. Por, të jemi ata që jemi. Pro-perëndimor në komunikimin me të tjerët në aspektin ekzogjen!!!

Nëse e konceptualizojmë mbi të drejtat e grave, atëherë nga aspekti i barazisë na bie ndesh që vetëm gruaja duhet të mbulohet, ndërsa burri jo. Jo e drejtë. Gruaja sipas interpretimit të një dogme të caktuar duhet të izolohet apo hermetikisht të mbyllet nga bota mashkullore në hapësirën publike duke u ruajtur thua se jemi në shoqërinë e parë primitive kur mashkulli udhëhiqej si i papërmbajtshëm ndaj instinkteve të pakontrolluara. e kjo mund të ishte një shpëtim për gruan nga sulmi maskulin që mund t’i ndodhte asaj nga tundimi si rezultat i zbulimit të saj në publik. Por, edhe gruaja mund të tundohet nga një burrë i pashëm, por burrit si kërkohet të izolohet me aparencën apo të mbyllet si i shpërfaqur në hapësirën publike në evitim, shmangieje nga epshet e gruas.

P.s.

Po mos të ishte bota perëndimore, dyshoj se unë sot do të isha në gjendje të jem me JU apo të ju shkruaj!!!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat