Funksionimi dhe rënia e shtetit osman

Opinione

Funksionimi dhe rënia e shtetit osman

Nga: Frencis Fukoyama Më: 9 gusht 2022 Në ora: 20:12
Autori Frencis Fukoyama

Si e përqendruan osmanët fuqinë në mënyrë që t'i evitojnë monarkitë evropiane;

Si e përsosën osmanët sistemin e skllavërisë ushtarake;

Jostabiliteti i shtetit turk dhe mbështetja e tij në ekspansionin e vazhdueshëm të jashtëm;

Shkaqet e shkatërrimit të sistemit osman;

Skllavëria ushtarake si një përfundim vdekjeprurës i zhvillimit.

Traktati i njohur i Makiavellit mbi politikën, “Prijësi” ishte shkruar në viti 1513. Osmanët atëherë ishin në kulmin e fuqisë së tyre, ishin ne prag te pushtimit të Hungarisë dhe gati për të nisur sulmin e tyre të parë në Vjenë, selinë e Perandorisë Habsburge. Në kaptinën 4 Makiavelli bënë vërejtjën e mëposhtme:

Në kohët tona shembujt e këtyre dy llojeve te ndryshme te qeverisjes jenë ajo e turkut dhe e mbretit të Francës. E gjithë monarkia e turkut qeveriset nga një zotëri, të tjerët janë shërbëtorë të tij. Duke ndarë mbretërinë e tij në sanxhaqe (provinca), i dërgonte administratorët e ndryshëm në to dhe i shkarkonte dhe ndërronte sipas dëshirës së vet. Kurse mbreti i Francës është i vendosur në mesin e një turme të lashtë të zotrinjve, të pranuar në këtë shtet nga subjektet e tij dhe të dashur nga to: ata gëzonin privilegjet e tyre, dhe mbreti nuk mund t'ua marrte, pa rrezik për veten. Dhe kështu, kushdo që ia mësynte këtyre shteteve do të haste në vështirësi për ta pushtuar shtetin turk, por nëse e pushtonte, da ta mbante me lehtësi. Dhe anasjelltas, ju do ta keni në disa aspekte më të lehtë marrjen (pushtimin) e shtetit të Francës, por do të përjetoni vështirësi të mëdha që ta mbani atë.(1)

Makiavelli kapte thelbin e shtetit osman: ai ishte më i centralizuar dhe jopersonal, më i menaxhuar sesa Franca në fillim të shekullit XVI dhe në këtë mënyrë ishte më modern. Dhe më vonë, po ashtu, në shekullin XVI, monarkët françezë do të kërkojnë për të krijuar një regjim të ngjashëm të centralizuar dhe të uniformuar administrativisht, duke cenuar privilegjet e aristokracisë së tokave. Ashtu siç bëntë beu turk (guverneri - sanxhakbeu Sh.A), i cili qeveriste një sanxhak, mbreti françez dërgonte intendantët - paraardhësit e prefektit modern - nga Parisi për të administruar drejtpërsëdrejti mbretërinë në vend të elitës patrimoniale (të trashëguar Sh.A.). Institucionet e përdorura nga shteti osman ishin të ndryshme, pasi që mbështeteshin në devshirme dhe në sistemin skllavo-ushtarak. Por osmanët patën sukses në krijimin e një shteti shumë të fuqishëm dhe stabil, i cili ishte rival i denjë i çdo fuqie në Evropë në atë kohë, dhe udhëheqte një perendori të madhe, më e gjerë se ato të krijuara nga ndonjë halif apo sulltan arab. Shoqëria osmane i ngjante asaj të Kinës së dinastisë Ming të kohës së njëjtë, për aq sa ishte e kombinuar si një shtet i fortë i centralizuar me aktorë shoqërorë relativisht të dobët dhe të paorganizuar jashtë shtetit. (Ajo dallohej, megjithatë, nga Kina, për aq sa fuqia politike e saj ishte e kufizuar me ligj.) Institucionet e shtetit osman ishin një përzierje kurioze e modernes dhe patriarkales së trashëguar dhe dekadente, atëherë kur elementet trashëgimtare ngulitnin veten në sajë të atyre moderne. Osmanët e përsosën sistemin skllavo-ushtarak të mamlukëve, por edhe ata iu nënshtruan përfundimisht dëshirës natyrore njerëzore të elitës së tyre, statusi dhe resurset i të cilëve trashëgohej nga fëmijët e tyre.

ARISTOKRACIA E NJË GJENERATE

Sistemi administrativ i përshkruar nga Makiavelli, kur monarku turk mund t’i caktonte për të sunduar administratorët në çdo krahinë dhe mund t'i shkarkonte ata sipas dëshirës, kishte origjinën e vet nga fakti se shteti osman ishte një dinasti relativisht e re pushtuese, e cila nuk kishte trashëguar institucione më të vjetra dhe i nevojitej që të fillonte rishtazi krijimin e tyre. Pushtime mongole të shekullit të trembëdhjetë kishin shtyrë një seri fisesh turkmene nga Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme, deri në një rajon kufitar të Anatolisë Perendimore, ku mbeti i ngushtuar ndërmjet Perendorisë së Bizantit, në perëndim, dhe sulltanit selxhuk, në drejtim të lindjes (nga viti 1243, një shtet vasal i mongolëve ilkanidë). Këto fise kufitare u vetorganizuan për të zhvilluar ”gazavate” apo luftë kundër bizantinëve. Një nga këta gazi liderë, Osmani, arrijti ta mund një ushtri bizantine në Bafaeoan, në vitin 1302. Kjo (fitore) i krijoi atij famë dhe ai u ngrit mbi të gjithë udhëheqësit e tjerë dhe ata u vunë nën flamurin e tij. Kështu u krijua dinstia osmane apo otomane, si një shtet kufitar i rishtakëve, i cili mund të huazonte institucionet nga shtetet e krijuara përreth, meqenëse kishte pushtuar territore të reja në lindje dhe në perëndim.(2)

Sistemi osman i administrimit provincial, si ai që u zhvillua në shekullin e pesëmbëdhjetë, ishte i bazuar në kalorës, sipahi dhe pronat që i ishin dhënë - timaret (çdo të thotë kujdesi për kalë). Timaret më të vogla përbëheshin nga një apo më shumë fshatëra me të ardhura të mjaftueshme nga taksat për të mbajtur një kalorës me kalë dhe pajisje. Një pronë më e madhe quhej zeamet dhe i jepej oficerëve të rangut të mesëm, të njohur si zaim, ndërsa oficerët e lartë merrin një pronë që quhej has. Çdo spahi apo zaim jetonte në pronën e tij dhe i mblidhte taksat në natyrë nga fshatarët lokalë, rëndom një vagonetë drurë dhe sanë dhe gjysmë vagonete drithë nga çdo fshatar për një vit. Ky sistem përdorej nga bizantinët dhe u miratua thjesht nga osmanët.

Ashtu si feudali në Evropë, bartësi i timarit mbante funksionimin e qeverisjes lokale, si sigurinë ashtu edhe ndarjen e drejtësisë. Spahiu kishte përgjegjësi që pagesat në natyrë t’i shndërronte në para të gatshme dhe paranë ta përdorte për të pajisur veten për rrugëtim në front me kohë për sezonin e fushatave (ushtarake Sh. A.). Mbajtësit e pronave më të mëdha kishin për detyrë të siguronin edhe një ushtar të pajisur me kalë dhe dhe takëme të tjera. I gjithë ky sistem ishte i njohur si dirlik - gjallëmbetje, që tregonte funksionin e tij në një ekonomi pjesërisht të monetizuar - ushtria e sulltanit mund të qëndronte për më shumë kohë pa i rritur taksat për t’i paguar trupat.(3)

Qeveria në nivelin provincial ishte e organizuar rreth sanxhakut, i cili përfshinte disa mijëra milje katror dhe ndoshta një popullatë prej nja njëqindëmijë banorësh. Posa pushtoheshin territoret e reja, ato organizoheshin në sanxhaqe dhe i nënshtrohenin hulumtimeve të hollësishme katastrale dhe listoheshin saktësisht resurset humane dhe ekonomike, fshat për fshat. Qëllimi i këtyre regjistrimeve ishte krijimi i bazës tatimore dhe ndarja e tokës për distribuimin e timareve. Në fillim, rregullat e aplikuara në çdo krahinë ndryshonin sipas rrethanave të tyre, por me kalimin e kohës dhe pasi që territoret e reja shtoheshin me shpejtësi, aplikohej një sistem më uniform i ligjeve dhe rregullave.(4) Bejlerët të cilët vepronin si guvernatorë të sanxhakut nuk rekrutoheshin nga vendasit por emroheshin nga administrata qëndrore në Istanboll (Stamboll) dhe , sikurse prefektët kinezë ndërroheshin me rotacion nëpër detyra të reja pas shëbimit me afate trevjeçare.(5) Sanxhakbeu ishte oficeri që udhëheqte nëpër beteja kalorësinë e rrethit të tij.(6) Mbi nivelin e sanxhakut ishte një nivel më i lartë administrativ i njohur si bejlerbejllëk, që përbënte rejonet krysore të Perendorisë.

Dallimi më i rëndësishëm dhe i vetmi në mes të sistemit dirlik dhe feudalizmit evropian ishte, siç pohonte Makiavelli, se pronat turke nuk shndërroheshin në pronësi të trashëgueshme për pasardhësit. Duke marrë parasysh faktin se shumica e tokave ishte pushtuar rishtazi nga një dinasti në ekspansion, pjesa më e madhe e saj, - rreth 87 për qind në vitin 1528 - mbeti pasuri shtetërore dhe u ishte dhënë mbajtësve të timareve për kohën sa të jenë gjallë. Timaret jepeshin në këmbim për shërbimin ushtarak; ato mund të merreshin prapa nëse shërbimi nuk kryhej, por (kjo bëhej) vetëm nga vetë sullatani. Mbajtësit e pronave nuk mund t'i nënfeudonin tokat e tyre, si në Evropë. Kur spahiu bëhej i moshuar shumë për të shërbyar, apo vdiste, toka e tij i kthehej shtetit dhe mund t'i ricaktohej një kalorësi të ri. Me të vërtetë, vetë statusi i spahiut nuk ishte i trashëgueshëm, fëmijët e ushtarakëve duhej të ktheheshin në popullatën civile.(7) Fshatarët që punonin tokën për mbajtësit e timarit dhe zeametit, nga ana tjetër, gëzonin vetëm të drejtën frytgëzuese në tokat e tyre, për dallim nga zotërit e tyre, ata mund t'ua lënin pasardhësve në trashigimi të drejtën e tyre.(8) Shteti osman me krijimiin e një aristokracie njëbrezore, parandalonte shfaqjen e një aristokracie të fuqishme me bazë të burimeve dhe privilegjeve të trashëgueshme.(9)

Ekzistonin faktorë të tjerë që pengonin shfaqjen e një bujarie të rrënjosur territorialisht. Osmanët ishin vazhdimisht në luftë, prandaj nga secili kalorës pritej që të paraqitej për të shërbyar gjatë muajve të verës. Zotëriu lokal mungonte larg çdo vit për disa muaj, duke u liruar nga disa ngarkesa dhe kështu dobësoheshin lidhjet e spahiut me tokën e tij. Nganjëherë kalorësi ishte i detyruar për gjatë dimrit të merrte banesë në vende tjera, jashtë timarit të tij, bashkëshortja dhe fëmijët i liheshin fatit të tyre në shtëpine e tyre. Nganjëherë ata merrnin gra të reja dhe shfrytëzonin mundësi të tjera, që ofronte jeta në kampe. E gjithë kjo shërbente për të thyer lidhjen mes aristokratit dhe tokës së tij, që ishte aq kritike në zhvillimin evropian.(10)

SKLLAVËRIA USHTARAKE E PËRSOSUR

Sistami dirlik mbështetej në sistemin e skllavërisë ushtarake, pa të cilin nuk mund të menaxhohej si duhet. Osmanët mbështeteshin mbi sistemet e skllavërisë ushtarake të krijuara nga abasidët dhe mamlukët, si dhe ato të përdorura nga sundimtarë e tjerë turq, por eliminonin shumë nga tiparet, që e bënin aq jofunksional sitemin mamluk.

E para dhe më e rëndësishmja ishte se tani kishte një dallim të qartë në mes të autoritetit civil dhe atij ushtarak dhe ekzistonte subordinimi i rreptë i këtij të fundit ndaj të parit. Skllavëria ushtarake u shfaq fillimisht për t’i shërbyer shtëpisë së sullatanit, si në rastin e mamlukëve ajubidë. Ndërkaq, ndryshe nga këta të fundit, shtëpia sunduese osmane mbeti kontrolluese e hierarkisë së skllevërve deri shumë vonë në perandori. Parimi dinastik zbatohej vetëm brenda familjes sunduese osmane; asnjë skllav, pa marr parasysh rangun e lartë apo talentin, nuk mund të aspironte për t'u bërë vetë sulltan ose të shpresojë të themelojë dinastinë e tij brenda institucionit ushtarak. Si rezulltat i kësaj, autoritetet civile mund të krijonin rregulla të qarta për rekrutimin, trajnimin dhe promovimin, që përqendrohej në ndërtimin e një institucioni efektiv ushtarak dhe administrativ, pa pasur nevojë të jenë të shqetësuar vazhdimisht që ky institucion do të mundohej të merrte pushtetin në emër të vetin. Përpjekja për të parandaluar formimin e dinastive brenda ushtrisë solli rregulla të rrepta në lidhje me fëmijët dhe trashëgiminë. Bijtë e janiçerëve nuk lejohen të bëhen janiçerë dhe në të vërtetë në ditët e para të perandorisë janiçerët nuk lejohenin të martohen dhe të kenë familje.

Djemtë e spahinjve elitarë të Portës lejohen të hyjnë në korpuset e sipahioglanëve, por nipat ndaloheshin rreptësisht. Osmanët, dukej se që nga fillimi e kuptuan logjikën e skllavërisë ushtarake si projekt për të parandaluar rrënjësimin e një elite të trashëgueshme. Rekrutimi dhe promovimi në sistemin skllav ishte i bazuar në merita dhe shërbime, për çka skllevërit shpërbleheshin, me përjashtim nga taksat dhe me prona.(11) Ogier Ghiselin de Busbecq, ambasadori i perandorit të shenjtë romak, Charls V, pranë oborrit të Sulejmanit të Madhërishëm, vëren se mungesa e gjakut nobël ia mundësonte sulltanit të merrte shërbëtorë dhe t'i avanconte sipas aftësive të tyre."Bariu që ngritej dhe bëhej vezir i madh ishte një figurë që kurrë nuk pushoi t’i mahnisë vëzhguesit evropianë."(12)

Osmanët bënë përmirësime në sistemin mamluk, duke ruajtur një dallim striktë ndërmjet njerëzve të rekrutuar në institucion qeverisës si skllevër jomysliman-askeri dhe pjesa tjetër myslimane dhe jomyslimane e qytetarëve , r a j a. Pjesëtari i rajasë mund të kishte familje, pronë të veten, dhe t’ua lerë pasurinë e tij dhe të drejtat e tokës femijëve të tij dhe të gjithë pasardhësve të tij të mëvonshëm. Raja mund të organizohej, po ashtu, në komunitete gjysmautonome vetëqeverisësve në baza të përkatësisë sektare të njohura si m i l e t e. Por askush nga raja nuk mund të kishte aspirata për t'u bërë anëtar i elitës në pushtet, të mbajë armë , ose të shërbejë si luftëtar apo si burokrat në administratën osmane. Kuadrot e askerëve duhej të përtërihen vazhdimisht për çdo vit me rekrutë të rinj të krishterë, të cilët kishin këputur të gjitha lidhjet me familjet e tyre dhe që ishin lojalë ndaj shtetit osman. Aty nuk kishte esnafë, fraksione, apo shoqata vetëqeverisëse ne mesin e askerëve; ata duhej të ishin besnikë vetëm ndaj dinastisë në pushtet.(13)

SHTETI OSMAN SI INSTITUCION QEVERISËS

Nuk ka prova që sugjerojnë se osmanlinjtë, në kulmin e fuqisë së tyre, nuk kanë kërkuar mundësi për marrjen e taksave ne shkallë maksimale, por ka më tepër për rolin e tyre në ruajtjen e njëfarë niveli bazë të taksimit, për t’i ruajtur fshatarët nga grabitjet e elitave të tjera, sjellja e të cilëve i ngjante më tepër sikurse e kriminelëve të organizuar. Ne e dimë këtë, sepse ka pasur më vonë periudha në historinë osmane, kur ankthi fiskal i ka detyruar sulltanët t’i rrisin nivelet e taksimeve shumë më të rënda. Por nevoja për përmbajtje ishte ndërtuar në teorinë e vetë shtetit osman, që ishte trashëguar nga regjimet e mëparshme të Lindjes së Mesme. Sundimtari persian, Kosrosi I, (Hosrefi I) (531-579), citohet të ketë thanë."Me drejtësi dhe përmbajtje (modesti) njerëzit do të prodhonin më tepër, të ardhurat tatimore do të rriten, dhe shteti do të bëhet i pasur dhe i fuqishëm."(14) "Drejtësia" në këtë kontekst do të thoté moderim në normat e tatimit.(15) Ne mund të njohim këtë si një version të hershëm të Lindjes se Mesme, si ai i kurbës Laffer e popullarizuar gjatë administratës së Reganit, e cila shprehej se normat e ulta të taksave prodhojnë të ardhura më të larta nga taksat e përgjithshme, duke u dhanë individëve nxitje më të madhe për të prodhuar. Ky mendim bëri jehonë nga një numër i shkrimtarëve të hershëm turk (16) dhe u gëdhend në të ashtuquajturin qarkullimi i kapitalit, i cili u ndërtua rreth tetë propozimeve:

Nuk mund të ketë autoritet mbretëror, pa ushtri.

Nuk mund të ketë ushtri, pa pasuri.

Raja prodhon pasuri.

Sulltani mban rajanë duke bërë mbretëri të drejtësisë.

Drejtësia kërkon harmoni në botë.

Bota është një kopsht, muret e tij janë shteti.

Mbështetja e shtetit është ligji fetar.

Nuk ka mbështetje të ligjit fetar pa autoritet mbretëror.

Këto propozime janë shkruar rëndom rreth nje rrethi, me të tetin që çon përsëri te i pari, duke treguar se llegjitimiteti fetar (pika 8) është e domosdoshme për të mbështetur pushtetin mbretëror (pika 1). Kjo ishte një deklaratëe jashtëzakonishte e ngjeshur në lidhje me korelicionet e fuqisë ushtarake, resurseve ekonomike, drejtësisë (duke përfshirë normat e taksave), dhe të legjitimitetit fetar. Kjo tregon se sulltanët turq i shihnin objektivat e tyre në maksimizimin e fuqisë së përgjithshme përmes një baraspeshimi të fuqisë, resurseve dhe legjitimitetit.(18)

Një dobësi e madhe e sistemit osman, e cila e bëri atë potencialisht më pak të qëndrueshëm sesa monarkitë evropiane të asaj kohe, ishte mungesa e një sistemi të mirëfilltë të primogjeniturës (lindja e parë) apo procedura të tjera për përcaktimin e trashëgimisë. Sipas një tradite të vjetër të Lindjes së Mesme, trashëgimia në familjen sunduese ishte në duart e Zotit dhe vendosja e një rregulli të trashëgimisë konsiderohej veprim kundër dëshirës së Zotit.(19) Gjatë periudhave te suksedimit, kandidatët e ndryshëm kishin nevojë për mbështetjen e janiçarëve, të zyrtarëve, të gjykatës, të ulemasë (burokracia fetare), dhe të makinerisë administrative. Në pubertet, bijtë e sulltanit dërgoheshin jashtë nëpër krahina të ndryshme me tutorët e tyre për të fituar përvojë si guvernatorë; ata më afër kryeqytetit kishin dorë ne influencimin e politikës së janiçerëve dhe të gjykatës në favor të tyre. Kjo shkaktonte luftëra periodike midis bijve të sulltanit pas vdekjes së tij dhe përpjekjeve të rastësishme për marrjen e pushtetit kur babai ishte ende gjallë. Nën këto kushte, vëllavrasja, bëhej praktikisht e sigurt. Mehmedi III (1595-1603) ekzekutoi të nëntëmbëdhjetë vëllazërit e tij në pallat, kur ai e mori pushtetin. Ai i dha fund praktikës së dërgimit të bijve nëpër krahina, në vend të kësaj filloi t’i mbajë ata të bllokuar në një pjesë të veçantë të pallatit, ku kalonin jetën si të burgosur virtualë.(20) Dikush mund ta shpjegojë këtë sistem si të dizajnuar që djali më i vështirë dhe më i pamëshirshëm, në fund të fundit, të bëhet sulltan. Por, mungesa e një mekanizmi të institucionalizuar për trashëgiminë krijonte dobësi te mëdha, duke e bërë perandorinë të ndjeshme ndaj kërcënimeve të të huajve gjatë betejave të suksesionit dhe duke u dhanë ndikim të tepruar aktorëve brenda sistemit sikur janiçerëve, të cilët ishin paramenduar të jenë jo më tepër se agjentë të sulltanit.

Mekanizmi kaotik i trashëgimisë osmane parashtron pyetjen se si ishte institucionalizuar sistemi i tyre në tërësi. Ashtu si në rastin e Kinës, Max Weber e karakterizon sistemin osman si patrimonial më parë sesa modern. Kjo është e vërtetë nëse fjalën "patrimonial" e përkufizojmë me kuptimin se e gjithë qeveria buron nga shtëpia e sunduesit dhe i nënshtrohet kapricieve të tij. Kjo ishte padyshim e vërteta e sistemit osman. Vetë fakti se pothuajse të gjithë punonjësit e shtetit kishin statusin formal të robit, tregon se sulltani kishte kontrollin e plotë të pakufizuar mbi burokracinë. Njësoj si perandori kinez, ai, nëse dëshironte, mund të urdhëronte ekzekutimin e çdo zyrtari deri te veziri i madh. Sulltani kishte fuqinë për të ndryshuar rregullat kryesore institucionale sipas dëshirës së tij, siç ishte vendimi i Sulejmanit për t'i zbutur rregullat për jeniçerët që kishin familje.

Nga ana tjetër, pavarësisht nga kompetencat teorike të sulltanit, ishte e qartë se sistemi mbi të cilin ai kryesonte ishte shumë i lidhur për rregulla dhe i parashikueshëm në mënyrën se si ai i merrte vendimet. Në radhë të parë, sulltani osman ishte i detyruar nga ligjet myslimane fetare-sheriati- si në teori - po ashtu edhe në praktikë. Sikurse edhe monarkët e krishterë në mesjetë; sulltani njihte zyrtarisht sovranitetin e Zotit dhe të ligjeve të Zotit; kompetencat e tij i ishin dhënë vetëm me anë të delegimit. Kujdestarët e ligjit ishin një institucion i madh dhe i nderuar, ulemaja apo dijetarët, që e interpretonin ligjin Dhe operonin me sistemin e gjykatave fetare, që kishin juridiksion mbi familjen, martesën, trashëgiminë, dhe një mori të çështjeve të tjera të statusit personal. Nuk supozohej që sulltani të ndërhynte në administrimin e kujdestarëve të ligjit në këtë nivel. Të drejtat e pronës private dhe të drejtat e uzufruktarit (fryteve) të tokës shtetërore ishin të mbrojtura në mënyrë të ngjashme (shih kaptinën 19.). Madje, edhe luftërat kaotike rreth trashëgimisë ishin të përshkruara në një mënyrë të caktuar, sipas ligjit islam, i cili ndalonte parimin e lindjes së parë (primogeniture) për trashëgiminë.

Sistemi bëhej gjithnjë e më tepër i varur nga rregullat, për më tepër si rezulltat i kërkesave të delegimit. Është një fakt i thjeshtë i jetës që të gjithë sundimtarët absolutë duhet t'ua delegojnë pushtetin agjentëve, dhe këta agjentë si rezultat i ekpertizës dhe aftësive të tyre vijnë për të ushtruar autoritetin në sundimin e tyre. E gjithë kjo bëhej edhe më e vërtetë kur dikush duhej të sundojë mbi një domen të gjerë, kompleks, si ai i Perendorisë Osmane.

Është interesant se devshirme dhe sistemi i skllavërisë ushtarake ishin një nga tiparet më moderne të sistemit osman. Kjo i shërbente funksionalisht qëllimit të njëjtë sikur procedura kineze e ekzaminimit për të hyrë në burokraci; kjo ishte një burim i rekrutimit impersonal (i papërcaktuar) në sistemin shtetëror, që do ta siguronte një furnizim me kandidatë besnikë ndaj shtetit të lirë nga lidhjet familijare dhe fisnore dhe në këtë mënyrë bëhej zgjedhja e pamëshirshme e më të aftëve për promovim në nivele të larta të lidershipit. Ky sistem ishte më pak racional se sistemi kinez, për aq sa kufizohej hyrja e të huajve. Nga ana tjetër, motivi për këtë kufizim ishte për të parandaluar patrimonializmin e sistemit, duke mohuar nevojën për mbështetjen e elitave lokale, të cilat do të kishin lidhje të forta familiare apo lokale.(21)

Një masë tjetër e shkallës së modernitetit të shtetit ishte uniformiteti i ligjeve dhe i procedurave administrative në tërë perandorinë. Kinezët vendosën sigurisht këtë standard të artë për këtë, duke krijuar që nga perudha shumë e hershme një sistem administrativ shumë uniform, që lejonte relativisht shumë pak përjashtime nga rregullat e përgjithshme. Sistemi osman lejonte më shumë diversitete. Rajonet qendrore të perandorisë, Anatolia dhe Ballkani, filluan të qeverisen në përputhshmëri me një përmbledhje të rregullave të arsyeshme në lidhje me shfrytëzimin e tokës, taksatimin, drejtësinë dhe të tjera. Edhe pse osmanët konvertonin ne islam me forcë skllavërit ushtarakë, ata nuk kërkonin që të impononin sistemin e tyre social në administritën e tyre provinciale. Grekët dhe armenët e krishterë dhe judejët, megjithë që nuk i kishin drejta të njëjta ligjore sikurse raja myslimane, gëzonin një shkallë të autonomisë sipas sistemit të mileteve. Udhëheqësit fetarë të këtyre komuniteteve ishin përgjegjës për çështjet fiskale, arsimin dhe administrimin legal, në veçanti, për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën familjare dhe me statusin personal.(22) Dhe sa më larg zhvendosej nga qendra e perandorisë aq më shumë dallohej thelbësisht. Pas disfatës së memlukëve me 1517, areale të rëndësisme të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Egjptin, Sirinë, Hixhazin, iu shtuan Perandorisë. Memlukëve iu lejua të mbajnë sistemin e tyre skllavo-ushtarak, duke pranuar sovranitetin osman. Hixhazi duhej të administrohej sipas rregullave të veçanta, pasi që ai përfshinte qytete e shenjta myslimane, Mekën dhe Medinën, kujdestarë të të cilave tanimë ishin osmanët.

RIPATRIMONIALIZMI DHE SHKATËRRIMI

Shkatërrimi i sistemit osman u bë për shkak të faktorëve të jashtëm dhe atyre brendshëm. Faktorët e jashtëm ishin të lidhur me limitin fizik të perandorisë dhe me ndryshimet e gjera demografike dhe mjedisore, të cilat nuk ndikuan vetëm në tokat turke, por ndikuan, po ashtu, në të gjitha perandoritë e mëdha agrare gjatë fundit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të shtatëmbëdhjetë . Faktorët e brendshëm kishin të bënin me thyerjen e sistemit skllavo-ushtarak dhe me evoluimin e jeniçerëve nga një instrument i pushtetit në një grup të interesit të rrënjosur.

Siç kemi parë, sistemi osman filloi si një dinasti pushtuese dhe varej nga zgjerimi i përhershëm territorial si burim i të ardhurave tatimore dhe tokës për timare. Kah fundi i dhjetëvjetëshit të tretë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, osmanët ishin të angazhuar në dy fronte te mëdha, të ndara njëri nga tjetri, pothuajse dy mijë milje: me austriakët në Evropën Lindore dhe me perandorinë e fuqizuar persiane nën sefevidët. Osmanët ishin në gjendje për të mobilizuar një pjesë të madhe të fuqisë njerëzore të perandorisë, por ata nuk mund të mbanin një ushtri në fushatë gjatë tërë një viti. Ata kishin zhvilluar një sistem logjistik të sofistikuar, duke pasur parasysh teknologjinë e asaj kohe, por ushtria ende duhej të mobilizohej në pranverë dhe të marshonte disa qindra milje deri në front. Tentimi i parë i pushtimit të Vjenës dështoi për shkak se ushtria nuk arriti në periferinë e qytetit deri më 27 shtator 1529; rrethimi duhej të ndërprehej për më pak se tre javë më vonë, me qëllim që trupat të mund të ktheheshin në shtëpi te tokat dhe familjet e tyre para fillimit të dimrit. Kufizime të ngjashme ekzitonin edhe në lidhje me frontin persik.(23)

Osmanët u përgjegjën duke u garnizonuar në Hungari gjatë tërë vitit dhe duke e pëmirësuar krahun e tyre detar për operacionet në Mesdhe. Ata vazhduan të bëjnë pushtime (të tilla si ishujt e Qipros dhe Kretës) edhe në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Por ditët e fitimeve të lehta territoriale shkonin kah mbyllja nga mesi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë; grabitja e armatosur e jashtme pushoi të jetë një burim i mirë i përfitimeve ekonomike për regjimin. Kjo pati pasoja në qeverisjen e brendshme, meqenëse që nga nivelet më të larta të nxerrjes së burimeve do të duhet të vijnë nga zonat kryesore të perandorise në vend të kufijve. Dhe mungesat e territoreve të reja të krishtera e reduktuan fluksin e skllavërve të rinj nën devshirme.

Zhvillimi tjetër i jashtëm i madh ishte një një inflacion i zgjatur i çmimeve dhe rritja e popullsisë, fenomene që ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Nga viti 1489 deri 161 (?!), çmimi i grurit në Anadollnë, i matur me njësi konstante argjendi, u ngrit për 400 për qind . Shumë shkencëtarë kanë atribuar rritjen e çmimeve me fluksin e arit dhe argjendit nga pasuria e botës së re të Spanjës, por si thotë, Jack Goldstone, ka arsye të mira për të menduar se inflacioni osman nuk ishte një ngjarje monetare. Ka pak dëshmi se sa shufra (ari e argjendi) kanë arritur në vendet osmane; në fakt, qeveria përsëriti disa herë zvogëlimin e shtypjen e monetave te metalta për shkak të mungesës së argjendit. Më parë, inflacioni ishte ndikuar nga rritja e kërkesave për shkak të rritjes së popullatës. Në Azinë e Vogël popullsia ishte rritur në mes 50 dhe 70 për qind në mes të viteve 1520 dhe 1580, popullsia vetëm e Istanbollit (Stamboll) ishte rritur nga njëqind mijë deri në shtatëqind mijë në mes të vitit 1520 dhe 1600. Skaqet e kësaj rritjeje të popullsisë, që ndodhi edhe në Kinë dhe në Europe, janë të pa qarta. Një nga faktorët ishte me siguri zvogëlimi i valës së murtajës, e cila e kishte asgjësuar popullatën në Evropë gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë, atë që argumentonte Goldstone mund të kishte lidhje me ndryshimet klimaterike, si edhe me rritjen e imunitetit të popullsisë ndaj sëmundjes.(24)

Ndikimi i këtyre ndryshimeve në institucionet osmane ishte dramatik. Inflacioni bëri sistemin e timarit- të zotërimit të tokës - gjithnjë më të paqëndrueshëm. Megjithëse mbajtësit e timarit, kalorësit, jetonin jashtë tokës, ata kishin shpenzime që lidheshin me tokën e tyre dhe me pajisjet ushtarake, të cilat ata nuk ishin në gjithnjë në gjendje për t'i përmbushur. Shumë nga ata refuzonin të shkonin në fushata; të tjerët i braktisën pronat e tyre dhe filluan të formojnë grupe banditësh, që plaçkitnin fshatarët dhe pronarët e tokave në fshatra. Trupave jeniçere të urbanizuara, për t’ ua mundësuar kushtet për ekzistencë, u lejohej ushtrimi i ndonjë profesioni civil si zejtar ose tregtar, duke e fshirë linjën e ashpër që ekzistonte më parë mes klasave të ushtarit dhe rajasë. Disa jeniçerë siguronin emërime edhe si nënpunës financiarë, ku ata kishin mundësi të manipulonin me regjistrat e timareve në dobi të tyre, duke i dhënë tokë vetvetes apo rajasë të cilët i paguanin ata për ato privilegje.(25)

Shteti qendror u përball, gjithashtu, me një krizë fiskale në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Futja në përdorim e armëve të zjarrit bëri që kalorësia, e cila ishte shtylla kurrizore e ushtrisë osmane në shekullin e pesëmbëdhjetë, të jetë e vjetruar. Shteti duhej të zgjeronte me shpejtësi këmbësorinë në llogari të kalorësisë; numri i jeniçerëve ishte rritur nga 5 000 në 38 000 në mes të vitit 1527 dhe 1609, dhe pastaj në 67 500, më 1669. Përveç kësaj, regjimi filloi t’i rekrutojë fshatarët pa tokë, të njohur si sekban, si musketarë në baza të përkohshme.(26) Ndryshe nga forcat e vjetra të kalorësisë, të cilat vetëmbaheshin, këto forca të reja të këmbësorisë duhej të pajiseshin me armë moderne dhe t'u bëheshin pagat me para. Qeveria kishte dëshpërimisht nevojë për t’i kthyer të ardhurat e saj nga pagesa në natyrë në atë në para, të cilat merrenin si bazë për transaksionet në ekonomi, në përgjithësi. Numri i kalorësve ishte zvogëluar për aq sa ishte rritur ai i këmbësorisë dhe timaret e braktisura tashmë u shndërruan në prona me qira, që u jepenin ndërmarrësve civil privat. Kjo lejoi që taksat të mblidheshin në para nga mbledhësit e taksave, të cilët rekrutoheshin jashtë klasës ushtarake (asker). Kufizimet e mëparshme për shfrytëzimit të fshatarësisë u zbutën për shkak se regjimi filloi të kërkojë dëshpërimisht të ardhura.(27) Duke pasur parasysh këto shtrëngime të ashpra fiskale, ato ndoshta ishin te pashmangshme për shkak se rregullat e brendshme që rregullonin sistemin e skllavërisë ushtarake do të shembëshin. Ne pamë në rastin e memlukëve se rregullat pengonin skllavo-ushtarët që statusi dhe resurset e tyre të kalonin te fëmijët e tyre, ishte vështirë të zbatohenin këto rregulla, pasi që ishin kundër realiteteve të caktuara të natyrës njerëzore. Sistemi origjinal osman ishte edhe më i ashpër, duke e potencuar beqarinë midis jeniçerëve dhe duke i ndaluar ata që të kenë familje. Ekzistonte trysni e vazhdueshme brenda institucionit që të zbutën këto rregulla. Meqenëse regjimi përballohej me presionin financiar në rritje, ajo edhe ndodhi. Procesi filloi nën sundimin e Selimit të Zymtë (1512-1520) dhe të Sulejmanin të Madhërishëm (1520-1566), i cili ishte i pari që i lejoi jeniçerët të martohen dhe të kenë familje. Atëherë jeniçerët i ushtruan trysni gjykatës që të lejojë që bijtë e tyre të hynë në shërbimin ushtarak. Kjo ndodhi nën Selimin II (1566-1574), kur edhe u krijua një kuotë për bijtë e jeniçerëve. Sulltan Murati IV hoqi zyrtarisht devshirmen si një sistem rekrutimi në vitin 1638, thjesht duke konfirmuar gjendjen ekzituese, në të cilën jeniçerët i plotësonin radhët e tyre me djemtë e tyre. Me të vërtetë, disa nga raja tani u lejuan të hynë në klasën ushtarake.(28) Avancimi bazohej gjithnjë në lidhjet personale në kuadër të sistemit shtetëror dhe jo në rregulla, me të cilat patrimonializmi, kishte qenë më parë i kufizuar vetëm në nivelet më të larta të politikanëve të pallatit.(29)

Ashtu si te memlukët në Burxhi, lidhjet morale të jeniçerëve ndaj sulltanit u dobësuan pasi që ata u preokupuan me vetëmirëqenien e tyre dhe të familjes të tyre dhe filluan të veprojnë mu si një grup interesi tjetër. Disiplina u prish dhe jeniçerët filluan të bëjnë trazira të rregullta në kryeqytet me kërkesat për për pagesat e prapambetura ose protesta për shkak që pagesa ishte bërë ne para të imta nënçmuese. Sikur dhe mamlukët, ata zhvilluan lidhjet në ekonominë civile, duke pëvetësuar tregti apo interese tregtare, ose duke nxjerrë qiratë nga timaret e braktisura, të cilat filluan t'i kontrollojnë.(30)

Shumë historianë e kanë kundërshtuar idenë që osmanët ishin në rënie të pashmagshme që nga fillimi i shekullit të shtatëmbëdhjetë e tutje. Regjimi, në të vërtetë, qëndroi për treqind vjet të tjera, deri në lindjen e Lëvizjes xhonturke, në vitin 1908. Osmanët mund të shfaqnin energji të habitshme, sikur atë nën veziratin e qyprilinjve në gjysmën e dytë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, kur u rivendos rendi në mënyrë të vendosur në të gjitha krahinat qendrore të perandorisë dhe rifilloi ekspansioni në Mesdhe me pushtimin e Kretës dhe me një tentim tjetër të sulmit të Vjenës, më 1683.(31) Por, kjo ringjallje u vetëpërmbyt. Ngritja e dinastisë Sefevide në Persi solli një luftë të zgjatur, e cila tingëllonte mjaft fort si sunitët-kundër-shiitëve dhe inkurajoi zbatimin e një sunizmi orthodoks në tërë Perandorinë dhe kjo shkaktoi mbyllje nga idetë e reja që vinin nga jashtë. Osmanët e panë veten gjithnjë e më të paaftë për të vazhduar me risitë teknologjike dhe organizative të shpikura nga perandoritë evropiene fqinje, dhe kështu, dekadë pas dekade qenë detyruar t’u lëshonin atyre territoret. Edhe në këtë gjendje,Turqia arriti t'u shkaktojë disfatë britanikëve në Galipoli dhe mbeti lojtar i madh në politikën evropiane në shekullin e njëzetë.

TRASHËGIMIA OSMANE

Osmanlinjtë ishin regjimi larg më sukseshmi i paraqitur ndonjëherë në botën myslimane. Ata ishin në gjendje ta përqendronin pushtetin në një shkallë të paparë në rajon në bazë të institucioneve që ata i krijuan. Ata bënë në një periudhë kohore shumë të shkurtër kalimin nga një shoqëri tribale në një shoqëri të nivelit shtetëror dhe pastaj zhvilluan institucionet shtetërore që inkorporonin disa karakteristika tejet moderne. Ata krijuan një burokraci të centralizuar dhe ushtri, e cila qëndronte mbi një bazë të rekrutimit të kufizuar të të huajve, që zgjedheshin dhe avanconin sipas kritereve impersonale të meritave. Ky sistem ishte i aftë të kapërcejë pengesat e vendosura nga organizimi fisnor i shoqërive të Lindjes së Mesme.

Ndërkaq, për habi, osmanët krijuan një sistem të administratës provinciale që mund ta kontrollonin nga qendra. Nëpërmjet të këtij sistemi ata ishin në gjendje të impononin një seri relativisht të uniformuar të rregullave që përcaktonin punimet e ekonomisë ditë-për-ditë dhe të ruanin paqen në të gjithë atë perendorie të madhe. Osmanët nuk lejuan shfaqjen e një fisnikërie lokale të gjakut të rrënjosur, që do të fragmentonte pushtetin politik, siç ndodhi në feudalizmin evrapian. Për këtë arsye, sulltanët nuk kanë kërkuar kurrë fuqi nga aristokracia, siç bënin monarkët evropianë të kohës se hershme moderne. Institucionet osmane ishin shumë më të sofistikuara se ato në shumë shtete bashkëkohore evropiane në shekullin e pesëmbëdhjetë.

Në lidhje me aftësinë e tyre për të centralizuar pushtetin dhe për të dominuar mbi shoqërinë të cilën e kryesonte, shteti osman në kulmin e fuqisë së tij ishte shumë më afër shtetit të Perendorisë kineze, sesa shteteve bashkëkohore evropiane, apo me cilindo shtet nga shtetet indigjene Hindu, të krijuara në nënkontinentin indian. Njësoj si edhe në Kinë, ka pasur relativisht pak grupe të organizuara shoqërore të pavarura nga shteti. Nuk kishte, siç nënvizonte, Makiavelli, fisnikëri të lashtë të gjakut, nuk kishte qytete të pavarura komerciale me kushtetutat e tyre, me milicinë dhe sistemet e drejtësisë. Për dallim nga India, fshatrat nuk ishin të organizuara në pajtueshmëri me rregullat e lashta sociale religjioze.

Një fushë e vetme në të cilën shteti osman dhe paraardhësit e tij arabë ndryshonin nga Kina ishte ekzistimi i një njësie të ligjvënies fetare, të pakten teorikisht, e pavarur nga shteti. Se sa e kufizonte kjo centralizimin e pushtetit shtetëror, varej në fund të fundit, nga shkalla ne të cilën autoriteti fetar ishte vetë i institucionalizua. (Kjo eshtë një temë në të cilën unë do t'i kthehem në diskutimin e origjinës së sundimit të ligjit në kaptinën 21.)

Institucioni i skllavërisë ushtarake, që ishte vënë në thelbin e pushtetit osman, përfaqësonte një qorrsokak në lidhje me zhvillimet globale politike. Ai ishte i motivuar nga shqetësimet e njëjta, që i çuan kinezët të shpikin sistemin mandarin të provimit për të hyrë në burokraci. Sot, ekuivalentët funsionalë të sitemit kinez janë zavendësuar me këkesat për hyrje në birokracinë moderne evropiane dhe aziatike, sikurse edhe testet më të përgjithshme të kualifikimit, sikur është testi i zotësisë në Shtetet e Bashkuara ose bakallariati në Francë. Përkundrazi, skllavëria ushtarake u zhduk si një institucion nga politika botërore dhe nuk la asnjë gjurmë. Askush jashtë botës myslimane nuk ka konsideruar kurrë të ligjshëm robërimin e të huajve dhe pastaj ngritjen e tyre në pozita të larta të pushtetit. Në të vërtetë, skllavëria nuk ishte problem; ky institucion konsiderohej i ligjshëm në Perëndim. Siç e dimë të gjithë, deri edhe thellë në shekullin e nëntëmëdhjetë, s'i ka ndodhur kurrë asnjë evropiani apo amerikani që t'i bëjnë skllavërit e tyre zyrtarë të larte të qeverisë.

Ndërsa sistemi skllavo-ushtarak shërbeu si si bazë për rritje të shpejtë të osmanëve në pushtet nga shekulli i katërmbëdhjetë deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, ai ishte subjekt i kontraditave të brendshme dhe nuk mundi të mbijetojë në kushtet e jashtme, qe ndryshonin dhe me të cilat përballohej perendoria në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Osmanët nuk zhvilluan një kapitalizëm indigjen të aftë për të rritur prodhimin e qëndrueshëm në periudha të gjata, dhe kështu ata bëheshin të varur nga rritje ekstensive e nevojës për resurse fiskale. Dështimet e politikës ekonomike dhe të jashtme ushqenin njëra - tjetrën dhe bënin të pamundur ekzistencën e institucioneve të tyre indigjene, si edhe të pamundur mbajtjen e tyre.

Mbijetesa e tyre në shekullin e njëzetë shpjegohet me adoptimin e institucioneve perëndimore nga sulltanët reformatorë, dhe në fund, nga xhonturqit. Kjo nuk ishte e mjaftueshme për të mbajtur regjimin, dhe Republika e Turqisë, që pasoi, ishte e bazuar në parime krejtësisht të ndryshme institucionale.

Mr. Shemsi Ajvazi)

Fusnotat:

Niccolo Machiavelli, The Prince,trans, Harvey C. Mansfield ( Chicago: University of Chicago Press, 1985), pp.17-18

On early Ottoman history, see Inalcik, The Ottoman Empire, pp.5-8.

Ibid.,p.107; Metin Kunt, The Sultan's Servants: The Transformation of Ottoman Provincial Government,1550-1650 (New York: Columbia University Press,1983), pp.9-13.

Knut,Sultan's Servants, pp. 14-15.

Karen Barkey, Bandits and Bureaucrats: The Ottoman Route to State Centralization (Ithaka: Cornell University Press, 1994), 0.36.

Kunt,Sultan's Servants, p. 24.

Barkey, Bandits and Bureaucrats, p. 36.

Inalcik, The Ottoman Empire, p.109.

Ibid.,pp.114-15.

McNeil,Europ's Steppe Frontier, pp. 38-40.

Libyer, The Government of the Ottoman Empire, pp.66-70.

Knut,Sultan's Servants,Pp.31-32.

Itzkowitz,Ottoman Empire and Islamic Tradition, pp.58-59.

Inalcik,The Ottoman Empire, p.65.

Barkey, Bandits and Bureaucrats, p. 28.

Inalcik, The Ottoman Empire, p.66

17. Itzkowitz, Ottoman Empire, p.88.

18. McNeill, Europe's Steppe Frontieer, p.32.

19. Inalcik, The Ottoman Empire, p. 59.

20. Ibid., p. 60.

21.Max Weber,Economy and Society, vo l.2, pp.1025-26

22. Itzowitz, Ottoman Empire, p. 59.

23. McNeill, Europe's Steppe Frontier, 42.

24. Jack Goldstone, Revolution and Rebellion in the Early Modern World (Berkeley: University of California Press, 1991), pp.355-62;Barkey, Bandits and Bureaucrats, pp. 51-52.

25. Itzkowitz, Ottoman Empire, pp.89-90; Goldstone,Revolution and Rebellion, pp. 363-64.

26. Itzkowitz, Ottoman Empire, pp. 92-93.

27. Goldstone, Revolution and Rebellion, pp.365-66.

28. McNeill, Europe's Frontier, pp. 60-61.

29. Barkey, Bandits and Bureaucratz.

30. Itzkowitz, Ottoman Empire, pp. 91-92.

31. McNeill, Europe's Steppe Frontier, pp. 133-34.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat