Të akuzuarit në Hagë, filluan si atdhetarë e dolën tradhtarë

Opinione

Të akuzuarit në Hagë, filluan si atdhetarë e dolën tradhtarë

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 3 tetor 2022 Në ora: 16:00
Autori Rexhep Torte

Para se të vizitohen të akuzuarit në Gjykatën Speciale në Hagë duhet të mendohet për viktimat që u vranë nga dora e zë për pushtet, duhet të mendohet se edhe këta viktima kishin të drejtë të jetojnë dhe ta shijojnë jetën, duhet të mendohet për plagën e rëndë dhe për dhimbjen që ndjejnë familjarët, shokët dhe miqtë e këtyre viktimave të pafajshme.

Vizitat te të akuzuarit në Hagë, me sa duket bëhen për të paguar favoret dhe borxhet e vjetra, si edhe për propagandë ditore, me shpresën e kotë se do të mund tu ndihmojnë të akuzuarve, gjë që nuk mund të ndodhë kurrë.

Nga Kosova tashmë një vit e gjysmë gjenden të arrestuar në Burgun e Gjykatës Speciale në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerë.

Gazetarë, analistë, opinionistë dhe studiues kanë shkruar shumë dhe me argumente, se këta të akuzuar në Hagë dhe të tjerët që do t’i shoqërojnë, akuzohen për vepra të tyre individuale të vrasjeve politike te kundërshtarëve politikë të shoqëruara edhe me tortura, masakrime dhe djegie të kufomave.

Këta të pandehur për mbrojtjen e tyre kanë angazhuar shumë avokatë eminentë dhe të shtrenjtë, ndërsa nga buxheti i Kosovës, nga paratë e taksapaguesve janë ndarë miliona euro për mbrojtjen e këtyre të akuzuarve.

Ndërkaq Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli para se të shkojnë në Hagë hapën edhe Fondet e tyre, ku qytetarët mund të kontribuojnë me para për mbrojtjen e tyre.

E tërë kjo sipas mediave, u bë edhe përkundë faktit se Hashim Thaçi e Kadri Veseli nëpërmjet hajnisë e korrupsionit janë bërë multi milionerë të pasluftës në Kosovë.

Ish eprorët komandantë të UÇK-së në Hagë përveç të afërmve të tyre i kanë vizituar anëtarët e PDK-së, Edi Rama-Kryeministri i Shqipërisë, Behgjet Pacolli- milioneri i Kosovës dhe kryetar i AKR-së, dy rektorë të universiteteve private në Kosovë. Në Hagë ishte edhe Albulena Haxhiu-ministre e Drejtësisë e Kosovës, por nuk u pranua nga krerët e e UÇK-së. Në Hagë krerët e UÇK-së i vizitoi edhe Glauk Konjufca- Kryeparlamentar i Kosovës.

Krerët e UÇK-së në Hagë u vizituan edhe nga udhëheqësit fetarë të Kosovës, ish presidentët e Shqipërisë së bashku me Pandeli Majkon- ish kryeministrin e Shqipërisë dhe Muhamet Mavraj- ish lider i protestave studentore në Prishtinë në vitin 1997.

Është ligj i Zotit se vetëm pasi të vdes njeriu mund të themi se ishte njeri atdhetar, i ndershëm e dinjitoz, apo se ishte tradhtar dhe i lig, sepse jeta ka treguar se njeriu gjatë jetës së tij mund të bëjë ndonjë veprim me të cilën ia vë vetes vulën për tu kategorizuar si njeri i lig.

Në dhjetëditëshin e parë të shatorit 2022, ish eprorët e UÇK-së në Hagë i vizituan Naim Tërnava- kryetari i BIK, Ismet Dedë Gjergji- Ipeshkvi i Kosovës dhe Artur Krasniqi- Pastor i Kishës Protestante të Kosovës.

Naim Miftari ish-epror i UÇK-së dhe ish agjent i SHIK-ut, duke reaguar ndaj kësaj vizite, më 15 shtator, deklaroi se, Janë bërë milionera nga hajnia.

Ish-presidentët e Shqipërisë Alfred Mojsiu, Rexhep Mejdani, Bamir Topi, dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, më 29 shtator 2022, i vizituan ish-krerët e UÇK-së në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Kjo vizitë e ish presidentëve të Shqipërisë dhe e ish kryeministrit të Shqipërisë në Hagë më shumë i turpëroi sesa i nderoi.

Kjo vizitë në Hagë u organizua nga Behgjet Pacolli ish-president dhe ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, i cili deklaroi se këtë vizitë e refuzuan Ahtifete Jahjaga-ish presidente e Kosovës dhe Fatmir Sejdiu-ish president i Kosovës.

Pandeli Majko, pas vizitës, u shpreh se, “Hashimi i qetë, Kadriu i qartë, Jakupi i sprovuar, Rexhepi i papërsëritshëm.

Po ia rikujtojmë Pandeli Majkos, se në kohën kur flitej se Hashim Thaçi po e tradhton Kosovën, Majko në një emision televiziv debati në Tiranë deklaroi se, “Për ndershmërinë e Hashim Thaçit ndaj Kosovës jam në gjendje ta fus dorën në prush”.

Tani e pyesim Pandeli Majkon, si u bë që miku yt Hashim Thaçi në bashkëpunim me kriminelin Aleksandër Vuçiq dhe me tradhtarët Edi Rama e Vlora Çitaku ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, në bashkëveprim me Jon Bolton, Mathew Palmer dhe me Richard Grenell, e përgatitën planin për copëtimin e Kosovës, plan i cili nuk u realizua.

Muhamet Mavraj, ish lideri i protestave studentore të vitit 1997, në 25 vjetorin e protestave, më datë 1 tetor 2022, i vizitoi në Hagë ish krerët e UÇK-së, duke deklaruar se, “Në këtë jubile do të përqafohem me strategët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Nga të gjallët në këtë 25 vjetor, askush më shumë se këta nuk meriton mbështetjen dhe përkrahjen...”, deklaroi Muhamet Mavraj.

Se a ka të drejtë Muhamet Mavraj të shprehet kështu, më së miri mund të kuptohet nga shkrimi i Osman Ferizit ish-luftëtar në Kosovë dhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjermani, i botuar në “Bota Sot” datë, 2 tetor 2022, me titull, “Kryetari i LDK-së në Gjermani me akuza të rënda për Thaçin, Veselin, Selimin… Tregon për vrasjet që i urdhëruan”.

Osman Ferizi në këtë shkrim të tij, veç tjerash thotë se është kundër ndihmës financiare, që Kosova po shpenzon për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, të cilët akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së. Për të akuzuarit në Dhomat Speciale deri sot janë shpenzuar 11 milionë e 500 mijë euro, gjë që ndodh vetëm në Kosovë.

Gjykatës Speciale duhet t’i shtohet hetim për pasurinë e vjedhur në Kosovë dhe drejtësia për të vrarët gjatë dhe pas luftës!

Kur u miratua Ligji për Dhomat e Specializuara, qëllimisht dhe politikisht u miratua edhe Ligji që të akuzuarve u garanton mbështetje financiare për mbrojtje, duke propaganduar se këta të akuzuar “po e mbrojnë UÇK-në”, e cila si pjesë integrale e FARK-ut ishte sakrifica, nderi dhe virtyti i përpjekjeve shekullore për liri.

Të akuzuarit në Hagë dhe bashkëpunëtorët e tjerë me shpifje akuzuan, motivuan, nxorën komunikata, i krijuan “listat e zeza”, kërcënuan, inskenuan, intriguan vrasjet në Kosovë të veprimtarëve të devotshëm të LDK-së, ish-eprorë e gazetarë e ish mbështetës të vijës institucionale të Presidentit Ibrahim Rugova, duke vrarë mbi 1000 veprimtarë, dhe pa u zbardhur këto vrasje dhe pa u dënuar askush nga nxitësit dhe dorasit, duke vrarë edhe 23 dëshmitarë.

Këta të akuzuar u imponuan dhe erdhën me puçe e tradhti duke e uzurpuar UÇK-në, puç ndaj Adem Jasharit, ndaj Ilir Konushevcit, Bejadin Allaqit, ndaj Mërgatës që e vodhën dhe e mashtruan.

I shtyu pushteti, paraja, tradhtia t’i vrasin Kolonelin Ahmet Krasniqin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, Tahir, Hasan dhe Enis Zemaj, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, Shaban Manaj, Haki Imeri, komandant Drini, komandant Korbi, komandant Karadaku, komandant Leopardi, Qamil Llazi, Smajl Berbatovci, Adem Zekaj, Ali Rraci, vëllezërit Nikqi, Xhevat Isufi, Konushevcin, Kujmanovën, Agim Qelaj, B. Allaqin, major Skender Gashi, Shefki Popova, Sadri Ramiqaj, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Azem dhe Hysni Staliqi, … u plagosën e shpëtuan Sabri Hamiti, Fetah Rudi, Ejup Visoka… tashmë 22 vite po pritet përgjigja për zbardhje dhe drejtësi, serpse këto vrasje kanë adresë”.

Këta të akuzuar në Gjykatën Speciale në Hagë angazhuan avokatët më të shtrenjtë, sepse e dinë se akuzat e tyre janë të rënda”.

Gjykata Speciale në Hagë është shpresa e fundit për zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë”, shkruan veç tjerash Osman Ferizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat