29 Nëntori ditë reflektimi për të dënuar krimin komunist

Opinione

29 Nëntori ditë reflektimi për të dënuar krimin komunist

Nga: Besim Ndregjoni Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 09:44
Autori Besim Ndregjoni

Sot mbushen 78 vite kur kombit tonë të dashur ju instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha e cila për 45 vite u bë diktatura më e pashembullt për gjysmë shekulli që pasoi. Ne sot i kujtojmë shoqërisë se çfarë solli kjo ditë e zezë për shqiptarët, bilancin e krimit komunist, dhe këtë bilanc nuk e kishim ne në arkivat tona, por e kishin ata që e morën pushtetin me 29 nëntor 1944. Se ne nuk kishim arkiva, shtetin e kishin marrë kriminelët të cilët krenoheshin me krimet e tyre ndaj nesh.

Bilanci që solli data 29 nëntor 1944 është i publikuar nga shteti shqiptar, ku mbi 6.000 veta u pushkatuan dhe sot atyre ju janë zhdukur kufomat. 29 nëntor 1944, erdhi me reprezalje të paimagjinueshme për popullin shqiptar. Xhelatët komunistë vranë mbi 109 shqiptarë në Tiranë ku në mesin e tyre ishin dhe 39 intelektualë të fushave të ndryshme që i shërbenin administrimit të shtetit shqiptar. Partizanët komunistë hodhën në erë varrin e pinjollës, fisnikes së njohur tiranase, Nënës Mbretëreshë Sadie Toptani.

Përdhunimet e varreve kishin filluar që në Berat kur u instalue Qeveria e sadistit Enver Hoxha, kur partizanët komunistë nxorën eshtrat e Kryeministrit Vrioni dhe i hodhën në lumin Osum. Vazhduan me hedhjen e eshtrave të Homerit Shqiptar At Gjergj Fishtës në lumin Drin. Vazhduan me pushkatimin e elitës së Kombit, ku etërit e pavarësisë i pushkatuan dhe sot në 110 vjetorin e mëvetësisë së kombit tonë shumica e këtyre korifenjve që i dhanë pavarësinë Shqipërisë ndodhen pa një varr në tokën e tyre.

29 nëntori 1944 vrau 28 nëntorin e Skënderbeut, e të Ismail Qemalit. Vazhduan me pushkatimin e deputeteve që kishin bashkëpunuar me to në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Mbi 36 mijë shqiptarë u burgosën politikisht dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore, vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit, mbi 50.000 familje u internuar që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90 vjeçare. Shkatërrimi total i shoqërisë me formimin ideologjik të “njeriut të ri “ duke e zhveshur nga çdo lloj mentali moral e shoqëror. Sot atdheu im Shqipëria mbas 78 vitesh ndodhet e ndarë, se nuk u dënua krimi i 29 nëntorit 44.

29 nëntor 2022, mbas 78 vitesh në pushtet është një mazhorancë politike që evokon “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës kaçaçke nën drejtimin e “komandantit legjendar” sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorëzohet me një shifër imagjinare të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historiografinë 78 vjeçare, si për të dëshmuar faktin se ishte gjetje e bukur e imagjinatës se ndonjërit që vendosi ti jap çdo km katror të truallit shqiptar një martir imagjinar të luftës për komunizëm. Data 29 nëntor 1944 i bëri shqiptarët komunist vrasës të vëllezërve të tyre dhe spiun të tyre. Diktatura komuniste në Shqipëri para 78 viteve, u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të organizueme, u mbajt me arbitraritet e çizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët armiq shekullor të ekzistencës së kombit tonë .
Sot pushteti politik i udhëhequr nga Rama e quajnë këtë datë “nata e bardhë” e quajnë nderim dhe sakrificë luftën” imagjinare” të komunistëve, sigurisht ne familjet antikomuniste, përulemi ndaj viktimave se ata u vranë pa faj. Çdo jetë shqiptari që është flijuar me besim në mbrojtje të kombit kundra pushtuesve duhet të nderohet, ne e çmojmë dhe e nderojmë Borovën dhe përulemi me nderim ndaj jetëve të tyre, por nuk mund të nderojmë veprimet kriminale të njësive guerile që vrisnin ata shqiptarë që s’pranonin të ishin komunistë. Dhe ata të vrarë shqiptarë janë trefishi i pushtuesve që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë, ne nderojmë ata të rinj shqiptarë që u vranë për idealet e lirisë pavarësisht se ishin me bindje komuniste, ashtu siç nderojmë luftëtarët antifashistë Abas Kupin, Mujo Ulqinakun dëshmorin e parë antifashit në Europë, Hamit Matjanin, Hysni Lepenicën, Muharrem Bajraktarin e Gani Beg Kryeziun, Safet Butkën, e Llan Destan Ndregjonin. Homazhe në varreza që pushteti diktatorial i pat vendosur, dhe në atë varrezë nuk ke asnjë dëshmorë që është vrarë kundra fashizmit e nazizmit vetëm se ata nuk njiheshin dëshmorë nga regjimi që ndërtoi atë parcelë.

Është ky kaos moral e shoqëror është kjo zbrazëti shpirtëror që lejoi kaosin politik që kemi jetuar e jetojmë për afër 32 vite tranzicion. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të partive politike në mbrojtje të terrorit varfërisë, çnjerëzore, që na imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlyshët e tij. Me pompozitetet dhe dëlirin e tij Kryeministri i vendit përpara atyre që i quan veteran, dhe janë pjesëmarrës direkt në vrasjet e kundërshtarëve të komunizmit në 29 nëntor, etikoi tradhtar mijëra shqiptar që i vrau kjo datë. Kryeministër, po ju a jeni tradhtar i sistemit ku jemi që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëntor. Nënat motrat, djemtë kërkojnë eshtrat të ju bëjnë një varr dhe at mundësi nuk e kanë se ju heshtni ndaj të drejtës njerëzore të tyre. Juve, nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë po mos të jetë data 29 nëntori i Enver Hoxhës. Ashtu siç bëri grupi parlamentar socialistë që fyu jetët e intelektualëve të Tiranës kur ju kërkua që të mbanin 1 minut heshtje në Parlament me 17 nëntor 2022.
Pesha e luftës së djeshme para degradimit moral ku kishin ra komunistët shqiptarë dhe sot trashëgimtarët e tyre nuk mund të njihet e të jetë pjesë e historisë kombëtare. Cila mendje normale, cila ndërgjegje njerëzore, cila gojë që shqipton fjalën dashuni gjen sot guximin e marrëzishëm dhe shtazarak me rikujtue tmerret e së kalueme komuniste, dhe me një far krenarie neveritëse. Ata që rikujtojnë datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit.

Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushoj në gjumin e vdekjes pa ringjallje. Por, çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errësirat e burgjeve të natës pa hënë që sot akoma janë pa varr. Çfarë të themi mijëra familje me shtëpi të prishura dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhen së bashku. 6000 familje presin eshtrat dhe një parcelë memorizimi të cilën Kryeministri hesht dhe nuk denjon ta japi.

Pse kjo nostalgji këmbëngulëse për diktaturën dhe mos dënimin e një sistemi shkatërrimtar të dënuar nga e gjithë bota e qytetëruar? Para një gjendje kaq dëshpëruese që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri e izolim nga bota e jashtme, mijëra viktima shqiptare të datës 29 nëntor përsërisim, së bashku me poetin:
“Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë.
Mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë” (Nellie Saks)

29 nëntori i 1944-ës është data e vendosjes së diktaturës komuniste, dhe s’ka asnjë lidhje me çlirimin e vendit. Fatkeqësisht Shqipëria u pushtua në 1939 nga fashizmi, në 1943 nga Nazizmi, dhe në 1944 nga diktatura komuniste.
Ne, çdo datë 29 nëntor do të kujtojmë krimet që solli kjo datë diktatoriale. Dhe do ti kujtojmë Ata, e do të reflektojmë mbi krimet komuniste që mos ti rivrasim përsëri. Ne, përfaqësojmë Paqen, pushteti politikë urrejtjen që fillon me 29 nëntor.
Paqja jonë do të fitoj mbi urrejtjen dhe urrejtësit që krenohen me krimet. Paqja mbi urrejtjen do të jetë triumfatore e lirisë dhe dashurisë njerëzore. Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve. Ne, na përket nderimi si detyrim për t’mos i rivrarë si data 29 nëntor shqiptarët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat