Çmimet institucionale që nuk na nderojnë

Opinione

Çmimet institucionale që nuk na nderojnë

Nga: Avni Halimi Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 18:14
Autori Avni Halimi

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës së RMV-së, gjendet edhe rubrika që flet mbi çmimet shtetërore që ndahen për të arriturat në sfera e ndryshme kulturore. Çmimet ,,11 Tetori“, ,,23 Tetori “, “Shën Klimenti i Ohrit”, “Mito Haxhi Vasilev-Jasmin” dhe “Meto Jovanovski”, janë pesë çmime që në asnjë rast nuk kanë të bëjnë me data apo me emra të personaliteteve shqiptare.

Datat e mësipërme shënojnë “Dita e kryengritjes së popullit maqedonas”, “Ditën e luftës revolucionare maqedonase”, ndërsa personalitete janë figura nga historia dhe kultura maqedonase. Janë edhe dy çmime të tjera, që në aparencë duken si “çmime shqiptare”, siç është “Nëna Tereze” dhe, ”22 Nëntori”, por që me asnjë rast nuk ndahen me motivacione për të arritura në sferën e kulturës apo të humanitetit shqiptar, meqë të dy “çmimet” lidhen

ekskluzivisht me shqiptarët, por, që të dyja ndahen (“Nëna Tereze”) “për arritjet në fushën e humanitetit dhe solidaritetit njerëzor dhe për nxitjen, dhe avancimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e bashkëpunimit midis popujve, feve, kulturave të ndryshme” dhe, (22 Nëntori)” për njerëz nga politika dhe nga jeta kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore, kulturave dhe besimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Dhe, është dëgjuar se për të tilla “çmimesh shtetërore” copëtohen personalitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, madje edhe fusin miq që të ndikojnë nëpër komisione që të votohen për njërin nga çmimet.

Asnjë nga këta personalitete të “çmueshëm” kombëtar, nuk i prishë punët me shtetin, duke refuzuar të jenë të propozuar, duke i refuzuar publikisht “çmimet shtetërore” në shenjtë të protestës intelektuale, sepse ato nuk përfaqësojnë asgjë, qoftë nga kultura, nga shkenca, nga arsimi, nga sporti shqiptar. Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, subjektet e ndryshëm me relevancë, nuk mund të ngrisin iniciativa për çmime kombëtare shqiptare që do të ndaheshin nga

Institucionet më të larta të Shtetit, sepse, që të gjitha janë nxënë në kurthin e miratimit të ligjeve që për shqiptarët flasin si për një popull prej 20%, si për një kulturë që i përket popullit 20%,

sepse, ndryshe edhe motivacionet do të duhej të kishin përmbajtja kombëtare shqiptare.

Situatë më e mirë nuk është as raporti apo qasja që e kanë Ministritë respektive të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj krijuesve, artistëve, personaliteteve të jetës kulturore nga Maqedonia e Veriut,

por edhe ata të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, të diasporës! Kjo pjesë e kombit, me gjasë është përjashtuar nga trungu kulturor kombëtar dhe, nuk ka shans që artistët e tyre, shkrimtarët, kontribuuesit në kulturën kombëtare, të shpërblehen me ndonjë çmim shtetëror në shenjë respekti ndaj punës së tyre për ta ruajtur, kultivuar dhe avancuar jetën kulturore shqiptare secili aty ku

vepron! Në këto dikastere do të duhej të funksiononte komision i veçantë që do t’i ndiqte personalitetet letrare, artistike, pedagogët, sportistët, instrumentistët, folkloristët etj. dhe, t’u propozoheshin ministrive respektive për përfshirje nëpër çmimet shtetërore që i ndajnë apo që duhet të themelohen enkas.

Është e vërtetë se, në këto shtete krijuesit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, Malit të Zi e të diasporës, nuk mund të llogariten si taksapagues, por ama askush nuk ka të drejtë t’i mohojë si kontribuues të jashtëzakonshëm në kulturën kombëtare. Mos të harrojmë se, pishtarë të kulturës shqiptare megjithatë mbesin personalitete emblematike që jetuan dhe vepruan nëpër shtetet jashtë viseve etnike shqiptare.

Diaspora ishte shpirti i trungut të identitetit tonë kulturor!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat