10 arsye për dorëheqjen ose largimin e Edi Ramës!

Opinione

10 arsye për dorëheqjen ose largimin e Edi Ramës!

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 7 shkurt 2023 Në ora: 08:55
Edi Rama

Nëse ka akoma burra dhe gra në PS-Rilindje, që u vjen keq e turp për gjendjen, në të cilën e kanë katandisur partinë dhe vendin e tyre, atyre u takon të pranojnë burrërisht apo shqiptarisht se 9 vitet e gjysmë të qeverisjes së Edi Ramës kanë djegur jo vetëm atë individualisht dhe si ekip, por edhe të gjithë “të majtën”. Njëherazi, të ushtrojnë presion demokratik, nga brenda dhe jashtë partisë, përse jo për t’u bashkuar edhe me opozitën në protesta, si qytetarë dhe me kërkesa jetësore, për ta bindur Edi Ramën se duhet të kishte dhënë dorëheqje të paktën 10 herë, duke përmbajtur secila herë në vetvete një tufë me arsye apo nënarsye të tjera. Po i përmbledh fare shkurt këto 10 arsye.

Arsyeja e parë gjendet tek “harresa” nga Edi Rama e “bunkerit “të madh mbushur me premtime ekstazuese, marramendase dhe votarrëmbyese, me të cilat erdhi në pushtet, më 23 qershor 2013 dhe më 25 qershor 2017. Mes listës me premtime paraelektorale mund të kujtojmë ato për hapjen e 300.000 vendeve të reja punësimi; për furnizimin me 24 orë ujë të pijshëm në Tiranë dhe shumicën e qyteteve të tjerë; për uljen çmimeve të artikujve kryesorë ushqimorë të shportës; për uljen e çmimit të energjisë elektrike; për shëndetësinë falas; për favorizimin e ndjeshëm të bujqësisë; për mbylljen e lojërave të fatit.... Sot pas afro 10 vitesh rezulton dhe përjetohet nga shumica e popullit se Edi Rama dhe qeveria e tij jo vetëm nuk i kanë përmbushur minimalisht këto premtime fishekzjarreske, por, në të kundërtën, i kanë përkeqësuar ndjeshëm realitetet dhe treguesit në këta fusha e sektorë... Arsyeja e dytë, lidhet po me njërin nga premtimet kryesore të Edi Ramës dhe taborrit të tij politik dhe qeverisës, se do të krijonin shtet ligjor të vërtetë, të fortë, funksional, që do t’i detyronte bosët e krimit, trafiqeve, korrupsionit, të kërkonin fshehje e shpëtim nëpër “vrimat e minjve”. Por, në të kundërt, ai futi plot prej tyre në parlament, në rradhët e grupit të tij të deputetëve dhe në përbërje të qeverisë, si ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm., këshilltarë e këshilltare...Të tjerë, pa u parë CV e të kaluarën, i bëri kryebashkiakë, prefektë, kryekomisarë të policisë, kryedoganierë, kryetatimorë, drejtorë agjencish... I mbështeti dhe favorizoi, sikur t’i kishte vëllezër, kur i propozoi dhe emëroi, por nuk reshti duke i mbrojtur edhe kur iu hoqën “petat lakrorëve” të tyre dhe u dolën pisllëqet e shumta nga e shkuara nëpër burgje dhe nëpër dosjet e drejtësisë në Shqipëri e në vende të tjera.

Arsyeja e tretë lidhet me kanabizimin e mbarë vendit si dhe lulëzimin e importeve të drograve me anije dhe maune mbush me banane nga Ekuadori e vende të tjera të Amerikës Latine, gjatë mbi 9 viteve të qeverisjes Rama. Një nga kulmet u shënua më 23 nëntor 2023. DEA amerikane, SPAK dhe Policia e Shtetit zbuluan në Frakull një laborator droge. Koka e 15 të arrestuarve ishte ish-kryekomunari socialist i Frakullit Viktor Çervanaku, që jetonte në Tiranë, ku kishte një post drejtues në një ndërmarje shtetërore. Lidhur me këtë biznes është edhe kullëzimi i qendrave të Tiranës, si dhe plazheve të Durrësit Vlorës, Sarandës, Shëngjinit, Pogradecit, me pallate e kulla 10-35 kate, shumica “fryte” edhe të industrisë së pastrimit të miliardave të pista, nga kultivimi dhe tregtimi i drograve, nga lulëzimi i korrupsionit me inceneratorët e ndërtuar ose vetëm në letra; nga konçensionet, tenderat dhe PPP-të në fushat e infrastrukturës, mjeksisë, energjisë elektrike, të “investimeve strategjike”...

Arsyeja e katërt, lidhet me korrupsionin e pafre e të pashpirt gjatë rreth 9 viteve e gjysëm të qeverive Rama. Shumica e shqiptarëve që i dhanë votën Edi Ramës më 23 qershor 2013 dhe 25 qershor 2017, besuan dhe shpresuan se ai do të ishte i sinqertë dhe i suksesshëm edhe në premtimin për t’i bërë gjëmën korrupsionit në të gjitha nivelet e piramidës politike: qeverisëse, administrative, shtetërore në Shqipëri. Por sot, besoj se shumica e tyre janë bindur se korrupsioni jo vetëm që nuk u ul dhe kufizua, por mori përmasa edhe më të frikshme e më rrënuese dhe ka ngjitur nivele marramendase në të gjitha qelizat e shtetit dhe të administratës. Shembujt më të freskët janë skandalet dhe arrestimet e muajve dhjetor 2022 shkurt 2023, përmbledhur në emrat Erisa Fero, Ilir Thana, Arlind Gjokutaj, Alda Klosi...

Arsye e pestë me plot nën-arsye për dorëheqjen e Edi Ramës mund të gjenden tek firmat dhe vulat e rreth 22 viteve si Ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si kryeministër, kryesisht në formën e VKM-ve...si dhe të investimeve, financimeve, konçensioneve, në kuadër të rrjedhojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, të pandemisë së coronavirusit, të rritjes së pandalshme të borxhit publik, të PPP-ve skandaloze, tëprojekteve me doza të forta gjigandomanie dhe korrupsioni,...etj. Në këtë deng arsyesh mund të vihet edhe skandali Bechetti, qartësisht “kryevepër” e fantazisë së çfrenuar për të treguar prepotencën, arrogancën dhe plotpushtetshmërinë e Edi Ramës, kuptohet pa u shqetësuar se shumën në rreth 110 milionë euro si dëmshpërblim për biznesmenin italian,do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë, sipas shumë klasifikimeve europiane, ndër më të varfërit në Europë. Njësoj si ky rast, më shumë shprehje e formë hakmarrjeje politike se sa dëshire të sinqertë për korrektesë juridike...nga ana e kryeministrit Rama ishte edhe masakra më 2 shtator 2022, për shembjen e kompleksit turistik “Prestige Resort”, pronë e biznesmenit Irfan Hysenbelliu. Paradoksi bëhet kodër a mal, kur dihet se kryeministri ka buajtur, ka ngrënë e pirë disa herë në këtë objekt, “çuditërisht” pa “u kujtuar” asnjëherë të ngarkonte ndonjë vartës për t’u interesuar nëse ishte me leje të ndërtimi ose jo!!!??? .

Arsyeja e gjashtë për dorëheqjen e tij shumë të merituar dhe të vonuar, falur po nga vetë Edi Rama, janë qëndrimi i tij konstant në mbështetje të Vuçiçit, për skenarin e vjetër serbo-rus, të “Ballkanit të hapur”, të reklamuar si një “shans i artë” për “lulëzimin ekonomiko-tregtar” të rajonit, për paqen e përjetshme Serbi –Kosovë...! Lehtësisht nënkuptueshëm, “Ballkani i hapur” Rama-Vuçiç do të ndikonte për përfundimin e bisedimeve me “fund të lumtur” për Vuçiçin dhe Brnabiçin, duke rrëmbyer , edhe nëpërmjet asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas variantit të firmosur nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustasfa, më 2013 e 2015, Mitrovicën e veriut, përfshirë Trepçën. Por, edhe për t’ia shkurtuar jetën qeverisë së Albin Kurtit, çka e presin me padurim jo vetëm Vuçiç dhe Brnabiç në Beograd, por edhe disa liderë dhe deputetë opozitarë në Prishtinë. Dorëheqjen e Edi Ramës e bën edhe më të domosdoshme dhe urgjente edhe vetë cv-ja dhe paaftësia e tij për atë post. Ky fakt mund të llogaritet si arsyeja e shtatë. Është absurde, paradoksale dhe thuajse aventurë popull-vrasëse, që edhe sot e kësaj dite, në vendin më të varfër në Europë, vazhdon të jetë prej mbi 9 vitesh kryeministër një piktor e ish basketbollist, një eksperiment dhe tallje me qeverisjen dhe me shtetin, që nuk është bërë e nuk bëhet as në vendet më të zhvilluara të botës.

Një arsye tjetër e vjetër dhe e re, domethënë arsyeja e tetë, është paaftësia e qeverisë dhe institucioneve të saj, për të ndaluar fluturimin e çmimeve të shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm jetik, të energjisë elektrike, të ujit, paketave të internetit dhe të telefonave celularë, të ilaçeve, karburanteve, biletave të avionëve...Këto rritje të pandalshme i kanë zhvleftësuar ato rritje qesharake pagash e pensionesh, jo rastësisht, çdo 1 prill apo në dhjetor për festat e fundvitit, nga qeveria Rama. Kjo shprehet në formë lutjeje përgjëruese nga plot pensionistë:“Aman, kryeministër, mos na i rrit më pensionet dhe mos na jep më shpërblime, sepse tregtarët i rrisin çmimet e të gjitha ushqimeve dhe shërbimeve 1-2 muaj para se me i marrë lëmoshat e tua, si me pikatore për barna të lëngshme!”

Arsyeja e nëntë për dorëheqjen e vullnetshme ose largimin e detyrueshëm të Edi Ramës është vargu i gjatë apo dengu i madh i dështimeve dhe skandaleve shumëdrejtimëshe e shumëformëshe gjatë këtyre 103 muajve të Rama-qeverisjes, me kulm gjëmën e pandalshme të emigrimit për në Gjermani, Angli, SHBA dhe vende të tjera të Perendimit Kapitalist të rreth 700 mijë vetëve, shumica të moshave të reja, në harkun 18-50 vjeç, me rrjedhojë rënien drastike dhe shqetësuese të numrit të martesave e të lindjeve...!

Arsyeja e dhjetë, është “dhurata” nga AMERIKA e nga vetë Edi Rama, domethënë skandali i ish zyrtarit apo funksionarit të rëndësishëm në FBI, Charles McGonigal, me disa takime dhe biseda intime në Shqipëri apo në SHBA edhe me vetë kryeministrin e Shqipërisë e me njerëz të tij tejet të besuar. Shtetin e Edi Ramës e lakuriqëson krejt edhe skandali i këtyre ditëve të fundit. Fjala është për instalimin prej një kohe të gjatë të kamerave nga banda të krimit të organizuar, edhe nën hundën e policisë së shtetit, në sheshe, rrugë e rrugica në qendër të shumicës së qyteteve...Për të gjitha sa kanë ndodhur gjatë 9 viteve e gjysëm të qeverisjes së tij, Edi Rama, i është shmangur përgjegjësive dhe penalizimeve ligjore, duke u mbrojtur me justifikimin qesharak e bajat:”për gjithçka të bërë "nën hundën, hijen, dritaren...time dhe nëpërmjet VKM-ve të mia", përgjegjësia është personale...”!!!??? E logjikshme, e pritshme dhe e lavdërueshme do të ishte sikur të ndodhte “mrekullia” që Edi Rama, me tejngopje të ambicieve dhe dëshirave, edhe përtej ëndrrave dhe pritshmërive të tij, të pranonte, pa ia lënë në derë fajet dhe përgjegjësitë të tjerëve, sidomos opozitës, se ka dështuar plotësisht, se është krejt i paaftë për ta qeverisur vendin në kushtet e krizave të thella shumëformëshe e me një të ardhme edhe më të rëndë, si rrjedhojë e thellimit të tyre. Nuk mund të merret me mend se kush i fryn në vesh apo me mesazhe më shumë Edi Ramës, që të qëndrojë si “shkëmb graniti në fron” e të mos i “dëgjojë” këmbanat për dorëheqje. Vetvetja, ambiciet cinike, frika e ndëshkimit për ato që ka bërë e nuk ka bërë? Shokët dhe shoqet e “tufës”, ortakët, oligarkët, bosët e çfarëdollojshëm, që kanë qenë ndër të fituarit më të mëdhenj prej firmave dhe vulave të tij dhe që do të jenë humbësit më të mëdhenj nga mungesa e tyre? “Baronë”, “pronarë” ndërkombëtarë, si Sorësët at e bir, të cilëve nuk u ka plotësuar 100% detyrat, kërkesat, objektivat, misionin ...? Por, nëqoftëse Edi Rama nuk i mbush mendjen vetes për të dhënë dorëheqje ose për të ikur burrërisht, atëhere mbetet alternativa e detyrimit të tij për të mos u futur më në derën e kryeministrisë.

Në këtë rast, mund të të na shërbente edhe një thënie shumë shprehëse, emancipuese dhe demokratizuese e filozofit dhe eseistit rumun, Mihaj Shora, e publikuar më 2017, kur ai ishte 104 vjeç e në mes të ushtrisë së demonstruesve antiqeveritarë:"Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë!”(“When injustice becomes law, resistance becomes duty! )

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat