Opozita në Shqipëri, viktimë edhe e vetvetes!

Opinione

Opozita në Shqipëri, viktimë edhe e vetvetes!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 08:48
Xhevat Mustafa

Pas një seriali protestash paqësore, ngjashëm me mitingje rraskapitëse e të kushtueshme parazgjedhore apo përkujtimore, në rradhët e opozitës dhe të shumë shqiptarëve të paparti ose "të pavarur", po diskutohet gjithnjë më me skepticizëm mundësia e rrëzimit dhe largimit nga pushteti të kësaj qeverie të paaftë, të korruptuar përtej limiteve të paskrupullsisë, të papërgjegjshme deri në ligësi, dështake qysh nga fg´´fillimi e përfundimisht...! Meqenëse Sali Berisha ka qenë ideuesi, drejtuesi dhe oratori kryesor i protestave antiRama, po i ridrejtohem edhe më SHQIP personalisht atij, me shpresë për reflektim e kthesë!

 Nuk mund të vihet në diskutim e jo më të mohohet se Sali Berisha është fort i zgjuar dhe me mbi 32 vjet përvojë në politikë, në arenë, skenë dhe prapaskenë! Prandaj, nuk ka fort nevojë për ta mësuar të tjerë, pra as unë, me këshilla dashamirëse e të dobishme në veshë apo me mesazhe në celular e me shkrime...! Ai e kupton shumë mirë se Edi Rama nuk rrëzohet dhe ikën nga kryeministria, me nga një protestë si shëtitje për fundjavë, në çdo 2-3 muaj!  Ai rrëzohet dhe ikën nga "froni" me PROTESTA TË VËRTETA, që "i lidhin duar e këmbë" e i mbyllin gojën, sa nuk ka nga të luaj e kërkojë ndihmë tek aleatët, "vëllezërit" në Ballkan e më larg, në Ankara, Moskë, Uashington e New York...! Njëherazi, edhe që e detyrojnë SPAK- un "të kujtohet" e "të bindet" se Edi Rama, me një thes të madh mbi kurriz me fakte korrupsioni e inkriminimi, nuk mbrohet më, si deri më sot! 

Pra, se duhet të bëjë detyrën edhe ndaj tij, duke vlerësuar mbi Edi Ramën, si individ dhe institucion, detyrimet kushtetuese, interesat madhore të vendit,  popullit,  kombit.! Edhe një fëmijë kopshti e kupton se Rama me shoqe e shokë nuk ikin me "revolucion paqësor" e me "protesta demokratike", slogane të tejkonsumuara e jo në genin apo natyrën e partive të djathta. Këtë traditë e fakt na e kujton publiçisti dhe ambasadori Shaban Murati në analizën vizionare dhe emancipuese me titull "Revolucionet i hanë vetëm të uriturit", publikuar më 14 shkurt.

Edhe sipas tij,  revolucioni është punë apo mjet i të majtës dhe partive të saj, në luftën e tyre politike për marrjen e pushtetit politik dhe qeverisës. Pra, bëhet lehtësisht e kuptueshme se edhe Edi Rama me shoqet e shokët e tij, nuk ikin nga zyrat(miniera pasurishë e përfitimesh përrallore apo sheikore) e nga pushteti, me vezë, domate, bojë, baltë si dhe me akuza e kërcënime fjalimesh, shumica me tekste të shkruara në letra, me përkujdesje si për hartime...!

Me këto "armë" ai mund të shtyjë, duke ua bërë me dorë, me tallje dhe provokim, protestuesve nga Surreli ose nga dritarja e zyrës, shumë muaj Shkurt apo Shtator! Njëkohësisht, duke vazhduar sipas vesit të vjetër me vjedh dhe ble masivisht votat për "fitore" nga njerëzit që shiten dhe blihen lirë, jo vetëm për vota, por, nënkuptueshëm më shumë, për nga nderi, morali, dinjiteti...!

Përvoja botërore, sidomos në vendet e Perendimit Kapitalist si dhe përvoja shqiptare më 1991- 2000, ka treguar se qeveritë rrëzohen me protesta masive, edhe jo fort paqësore, siç kemi parë prej rreth 180 vjetësh në sheshet e Parisit e të Marsejës dhe në kryeqytete të tjerë, në Perendim dhe Lindje. Por, PD, po paguan shtrenjt edhe një gabim të saj, më shumë të vetëdijshëm se sa nga mungesa e pjekurisë, dijes, përvojës...

Më 1992- 1997 dhe 2005- 2009, ajo ishte bashkëpunëtore me PS- në për parcelizim-partizimin, defaktorizimin, formalizimin e sindikatave si dhe të shoqatës së të përndjekurve politikë, që në fillimet e tyre kishin fuqi rrotacioni politik dhe qeveri- rrëzuese. Në mënyrë figurative mund të thuhet se opozita e sotme po paguan edhe për pjesën e saj të fajit dhe përgjegjësisë për këtë gjëmë që iu shkaktua pluralizmit, demokracisë dhe vendit.

Përvoja e pasur e PS- së dhe Edi Ramës për të rrëzuar Sali Berishën, më 1997 dhe më 21 janar 2011, përjashtuar kategorikisht atë që mund të bëjnë vetëm mendja dhe duart e disa komunisto- socialistëve të lloit Gramoz Ruçi, Skender Gjinushi, Frok Çupi, Luiza Hoxha... si dhe e disa "kuajve të Trojës e të Bllokut" në PD, që u bashkuan me ata në Vlorë e më vonë  u bënë ministra të PS- së..., ua lehtëson ndjeshëm liderëve të opozitës vramendjen për të gjetur rrugën, mënyrën, modelin më të suksesshëm për protestë të vërtetë e për rrëzimin dhe largimin nga pushteti të Edi Ramës me çetë. Qysh në atë kohë, e vazhdimisht e më shumë, është  bërë e qartë se 97- ta pati si sebep, të dhuruar nga Berisha,  firmat piramidale dhe paratë, për të cilat shqiptarët e jugut i vunë flakën qyteteve të tyre dhe vranë e masakruan me mijëra bashkëqytetarë e njerëz të forcave të rendit e të SHIKU- t.

Humbja e parave mund të quhet maska apo gjethja e fikut, për të mbuluar lakuriqësinë e skenarit e synimeve të ideusve dhe realizuesve të tij socialistë dhe mdërkombëtarë! Në të vërtetë 97- ta është skenar politik, ideuar nga kreu i lobit grek në SHBA, Nikolas Gage, me bashkëpunëtorë Gramoz Pashkon, Mariza Linon, njerëz të Asfalisë, UDB- së, KGB- së, mafias italiane...!  Një nga synimet e "revolucionit bolshevik" të 97- tës ishte rikthimi në pushtet i PS, lirimi nga burgjet i Ramizit, Nexhmijes, Fatosit, Aranit Çelës...! Edhe 21 janari 2011, si protestë kishte synime politike të lakuriqësuara, për të denigruar dhe penguar qeverisjen PD- LSI e tj si dhe për rikthimin sa më parë në pushtet të PS- së e të Edi Ramës, pa u shqetësuar për 4 jetët njerëzore dhe dëmin e madh në imazhin ndërkombëtar të vendit! Qysh atë ditë e, më vonë edhe më shumë, u kuptua se në skenarin e 21 janarit 2011, ishte paraparë dhe përfshirë edhe viktimizimi i disa protestuesve, lënia e autorësisë dhe e kufomave në derë të qeverisë! 

Pikërisht për këto arsye, për gjëmat në jetë njerëzore, materiale, ekonomike, sociale, ushtarake, politike, për vendin dhe kombin..., PD dhe opozita e sotme, nuk mund ta mendojnë e jo më ta realizojnë synimin e tyre për  largimin e Edi Ramës me taborr me modelin dhe përvojën  e revoltave masive e tejet të dhunshme të PS- së më 1997 e 21 janar 2021! Edhe më shqip: nuk e dëshirojnë rrëzimin e Ramës me bandën e tij me këto fatura tmerrësisht të kushtueshme për popullin, vendin, kombin...!

Një minus apo e keqe tjetër për opozitën është plotpushtetizimi, thuajse si Enveri apo Putini dhe plotpasurimi i Edi Ramës dhe klanit të tij politik, oligarkik, patronazhist...! Këto i injektojnë Edi Ramës doza autoritarizmi, arrogance, prepotence, agresiviteti ndaj opozitës në parlament dhe në sheshe protestash. Njëherazi, i injektojnë edhe doza të forta besimi në vetvete, këmbënguljeje për të mos menduar e jo më pranuar dorëheqjen dhe largimin nga froni! Në këto kushte bëhet edhe më e vështirë për sukses të shpejtë kundërvënia e opozitës ndaj tij.

Krahas këtyre, merret me mend se Sali Berisha, e di shumë më mirë se shumica e shqiptarëve se Rama nuk i vjen prapa, si humbës dhe i dorëhequr, pa u braktisur dhe pa u shpall nga AMERIKA, i inkriminuar së bashku me McGonigal dhe non grata.

Në vartësi të rrethanave të brendshme e ndërkombëtare, PD -së dhe opozitës, u mbeten si alternativë, sfidë, detyra të ngutshme unifikimi i sinqertë e i fortë, rinovimi i drejtuesve më të lartë jo vetëm si individë, por sidomos për nga pasuria dhe pastërtia e cv-ve! Në vijim, për nga mentaliteti drejtues dhe për nga praktikat vepruese; për nga format e punës  propagandistike dhe organizative në bazën e partisë e në elektorat...! Të gjitha këto në funksion të objektivit dhe qëllimit final: ruajtjes së çdo vote gjatë proçesit të votimit e të numërimit në qendrat e votimit e përreth tyre, për të mos lejuar blerjen dhe vjedhjen masive, nën hundë, të votave e të fitores, siç ka ndodhur më 2017, më 2019, më 2021...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat