Rama i brengosur për fatin e Vuçiqit!

Opinione

Rama i brengosur për fatin e Vuçiqit!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 28 maj 2023 Në ora: 12:19
Edi Rama dhe Vuçiq

Jam plotësisht i bindur, i nderuari miku im i çmuar Vuçiq, që ju jeni i përkushtuar për një zgjidhje paqësore me Kosovën. Ju ishit pro marrëveshjes së Brukselit, Berlinit, Parisit, Uashingtonit dhe Ohrit. Për këtë meritoni edhe respektin tim.

Kërkesa e vetme e juaja përqendrohej në themelimin e Asociacionit. Për këtë kishit dhe keni edhe përkrahjen e SHBA, të EU, perëndimit dhe kuptohet edhe timen personale.

Ngjarjet e këtyre ditëve, kur policia e Kosovës pa marrëveshje paraprake i sulmoi protestuesit serb, të cilët donin ta pengonin inaugurimin e kryetarëve shqiptar të bashkive me popullsi serbe, ku e dhe në objektet komunale pa kurrfarë arsye i vendosën edhe flamujt e Kosovës, i gjykoi edhe unë.

Më vjen keq për të gjitha këto që ndodhën, por kundër ngjarjeve të tilla reagoi EU, SHBA dhe perëndimi, prandaj edhe unë nuk mund të vendosi ndryshe, përpos të protestoj  kundër veprimeve të tilla.

Qeveria e Kosovës, kryeministri Kurti, presidentja Vjosa Osmani së bashku edhe me zonjën Donika Gërvalla (të cilën e kemi mbajtur me bukë), duhet ta kuptojnë se janë pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, prandaj duhet të veprojnë në harmoni me ta, e jo krye më vete.

 Plotësisht e kuptoi komunitetin serb në Veriun e Kosovës dhe ju zoti president Vuçiq se angazhohen për një zgjidhje paqësore, por jo në këtë mënyrë.

Protestat sipas rregullave demokratike, derisa nuk e rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve duhet të lejohen, prandaj veprimet e dhunshme ndaj tyre, nuk munden kurrsesi të arsyetohen.

Unë këto ditë isha i preokupuar me zgjedhjet në Shqipëri, prandaj akuzat ndaj meje për vjedhje, manipulim, shantazhim, blerje të votës etj. nuk kanë të sosur, por unë e di se jam i pastër si qielli me re. Opozita jonë nuk ka se si të arsyetohet për humbjen e thellë, prandaj shpikë dhe prodhon tension.

I nderuari miku im Vuçiq, një gjë më brengos ndoshta më shumë se kjo që po ndodhë rreth Kosovës: protestat e fuqishme kundër juve në Serbi.

Unë e kuptoi brengosjen tuaj, për këtë ju organizuat edhe kundër protesta duke ua siguruar edhe ardhjen e serbëve të Kosovës në mbështetjen tuaj, por ju kisha lutur që të mos keni mëshirë ndaj opozitës.

Unë nuk mund ta kuptoi Serbinë dhe Ballkanin pa udhëheqjen tuaj. Unë, ju dhe Erdogani jemi shembull i demokracisë në shtetet tona dhe rajonin, prandaj tërheqja e jonë apo dështimi, do të ishin humbje e pakompenzuar edhe për Evropën.

 Mbi të gjitha ngjarjet e ditëve të fundit, nuk duhet që negativisht të ndikojnë në marrëdhëniet e përzemërta mes dy popujve tanë dhe ne dyve, pa marr parasysh se si dikush i analizon.

 Unë i nderuari miku im, gjithnjë i përkrahu veprimet e juaja paqësore, në raport me Kosovën.

Po ashtu kam mirëkuptim ndaj veprimeve tuaja, në mobilizimin e ushtrisë dhe nisjen e saj drejt kufirit të Kosovës.  

 Si gjithnjë jam i gatshëm të takohem me ju, në çdo moment, për ruajtjen e paqes, por edhe duke iu kundërvënë opozitës e cila me protesta të fuqishme, po kërkon përmbysjen tuaj.

Me respekt të lartë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat