Arrestimet e vonuara dhe lirimet e shpejta, strategji “e hollë” dhe e “trashë”...

Opinione

Arrestimet e vonuara dhe lirimet e shpejta, strategji “e hollë” dhe e “trashë”...

Nga: Xhevat Mustafa Më: 8 qershor 2023 Në ora: 09:00
Xhevat Mustafa

Dy ditë pas lirimit me vetëm 16 muaj "burg turistik" të ish ministrit Saimir Tahiri, vlerësuar nga kryeministri Edi Rama disa herë më 2013-2017 si "ministri më i suksesshëm", më 6 qershor SPAK urdhëroi dhe kreu arrestimin e Vangjush Dakos, i cili, me një dozë humori, “pati burrërinë” të vetëdorëzohej, pasi “u vesh mirë dhe bukur dhe u kreh me kujdes” e me akuzën për 2-3 raste shpërdorimi detyre apo korrupsioni, kur shumica e Durrësit dhe e durrësakëve e dinë mirë se numri i rasteve kurruptivë de facto është 10- 20- 50 herë më i madh!

Çuditërisht, por jo rastësisht dhe gabimisht edhe këtë ish pushtetar të tij kryeministri e kishte vlerësuar dhe shtrënguar në gjoks si mik e si kryebashkiak tepër "të suksesshëm" apo edhe pas arrestimit, si “krahun e djathtë” të tij...!?

Nëse do ta kthjejmë kujtesën në raste të tjerë të mëparshëm arrestimesh të bujshme e lirimesh të parakohshme, për të cilët Rama e ka kaluar “lumin e SPAK-ut” me justifikimin se “përgjegjësia është personale dhe jo ekipore apo partiake”, shumëkujt mund t’i shkojë ndërmend të bëjë një pyetje krejt të logjikshme.

Po ky kryeministri Edi Rama, dora vetë, "harron" dhe nuk mban fare përgjegjësi se i ka pas dhe mbajtur prej shumë vitesh bashkëpunëtorë këta zyrtarë të tij të kurruptuar, njeri më shumë se tjetri e të gjithë bashkë si një “ushtri barbare të korruptuarish”?

Për më tepër, i ka mbështetur dhe lavdëruar publikisht disa herë, kur në mes të qytetarëve, në media dhe në rrjete sociale ata përgojoheshin si të përmbytur deri në fyt në moçalin e korrupsionit! Kaq të zgjuar paskan qenë të gjithë këta, sa kanë bërë kaq shumë korrupsion “nën hundën” e tij e kaq "naiv" apo "miop" na qenka ky Edi Rama?

Thellimi në analizë na jep përgjigjen se arrestimet e stërvonuara dhe lirimet e përshpejtuara nga SPAK dhe Rama-policia është një strategji, njëherazi “e hollë dhe e trashë” e kryeministrit Edi Rama! Në mënyrë figurative, edhe një VKM e tij, pa tekst, pa firmë e vulë...!

Pasi i lejon disa vite të bëhen nga korrupsioni multimilionerë, me shuma të stërmëdha në banka, rafte, dyshekë, tavane, tuba ajrimi..., me komplekse pallatesh banimi e turistikë në bregdet, pasi ua toleron gjatë këto, ai vendos arrestimin e tyre, me premtimin për lirim të shpejtë dhe duke "iu shkulur" vetëm disa qime nga koka e madhe korruptive.

Për këto raste arrestimesh të zvarritura apo të vonuara dhe lirimesh të befta e të shpejta, mund të shfrytëzojmë edhe dy vargje të një kënge popullore në kohën e allasocializmit enverian,

“Të djelën u martove, të hënën në punë shkove!” Varianti që i përshtatet jo keq kësaj “strategjie” arrestim-lirimesh meteorike, mund të jetë: “Të djelën u arrestove, të hënën në shtëpi shkove!”

Duke vazhduar, kështu Edi Rama i bën fatzinjt dhe fatlumturit në “lojën arrestim-lirim, sa hap e mbyll sytë” trefish borxhlinj ndaj atij si kryeministër e ndaj PS- së. Kur të lirohen nga burgu janë pasuruar më shumë nga menaxhimi i bisneseve dhe pasurive nga bashkëshortet, fëmijët, vëllezërit e motrat, nipat e mbesat, këshilltaret dhe sekretaret...!

Por, edhe më shumë mirënjohës dhe borxhlinj ndaj Edi Ramës! Kështu pra, marrëveshja e pashkruar mund të formulohet edhe në këtë formë: me kaq pak burg e për më tepër, jo si të tjerët, mbani pasuritë, pastroni biografitë dhe emrat dhe vazhdoni bizneset! Ose, për një mal korrupsioni dënoheni sa për ledh...!

Është krejt e logjikshme të mendohet me bindje deri tek 99% se fatin e Saimir Tahirit do ta kenë edhe Lefter Koka, ish-këshilltarja e ish-ministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë e Shëndetësisë, Joana Duro, Vangjush Dako...e të tjerë si këta e këto, me lidhje, kontribute, merita të njohura e të fshehta me Rama-parti- qeverisjen si dhe me funksione të rëndësishme e pjellore në strukturat e larta të piramidës së saj!

Nënkuptohet se mesazhi apo urdhëri për të gjithë është i lehtëkuptueshëm: pranoni këtë ndëshkim minimal apo burgim thuajse formal dhe mos guxoni “të harroni”, kudo që të jeni e kurdoherë, sa jetë të keni, t’ia shpërbleni, sidomos në beteja elektorale, si individë, si familje e si kompani biznesesh atyreve, domethënë Rama-parti-qeverisë, që iu kanë bërë këto favore apo ndere të shumta e të mëdha!

Përndryshe, iu bie mali mbi koka apo do të mallkoni nëna e baballarë që ju kanë lindur...!

Është e logjikshme të mendohet se me përjashtim të vetvetes, domethënë të Edi Ramës, sidomos në këta muaj kur ai është në ankth nga hetimet dhe gjyqi për skandalin e mikut të tij Charles McGonigal dhe i interesuar ta reklamojë veten si të paprekshëm prej këtij proçesi, viktima dhe përfitues të kësaj “strategjie të hollë e të trashë” mund të jenë jo vetëm bashkëpunëtorë, por edhe kundërshtarë të tij politikë e partiakë të vërtetë, të rremë e iluzorë, duke mos përjashtuar as Berishën, Metën, Mediun e plot të tjerë nga fronti opozitar allashqiptar!

Edi Ramës i lehtësohet së tepërmi realizimi i qëllimit dhe skenarit edhe nga dy rrethana, favore, faktorë. Së pari, nga mbështetja prej Xhorxh dhe Alex Soros, dhe nëpërmjet tyre edhe nga Blinken e DASH! Së dyti, edhe nga fakti se opozita, sidomos PD-ja e vetëcopëtuar nga lufta e paskrupullt apo e paidealtë brenda lloit, është katandisur, për të keqen e vet, të DEMOKRACISË dhe të vendit, as sa një gjysmë gjeli, por sa një kofshë zogu!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat