Ç’kanë të përbashkët Zelenski dhe Rama...?

Opinione

Ç’kanë të përbashkët Zelenski dhe Rama...?

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 8 shtator 2024 Në ora: 07:13
Zelensky dhe Rama

Duke rishikuar të dielave mbas dreke, nga ora 16.00- 19.25,  në KLAN TV seritë e komedisë “Shërbëtori i popullit”, përveç të qeshurave të papërmbajtshme nga humori i këndshëm dhe i hollë, pas lidhjes me shumë fije të realiteteve Ukrainë-Shqipëri, shumëkujt mund t’i kenë lindur në vetvete edhe disa pyetje për Zotat e politikës, shtetit, qeverisjes,  oligarkisë, korrupsionit, mafias, mediave, drejtësisë...në Shqipëri, të shkuar dhe të sotëm. A e kanë parë herën e parë dhe a po e shikojnë tani në ritransmetim  kryeministri Edi Rama, presidenti Bajram Begaj, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani..., me ekipet e tyre si dhe shumë nga shqiptarët, veçanërisht ata "të majtë", serialin komik “Shërbëtori i popullit”, me skenar, regji dhe interpretim të shkëlqyer nga Volodymyr Zelenskyy, president i Ukrainës qysh nga maji 2019?  I lindur në qytetin qendror të Krivi Rih nga prindër hebrenj, Zelensky, u diplomua në Universitetin e Ekonomisë në Kiev, pra ndryshe nga Edi Rama ynë, diplomuar, edhe me përkujdesjen atërore, për pikturë. Megjithatë, komedia ishte pasioni i Zelenskit. Në vitin 2003, ai bashkëthemeloi një kompani kinematografike, shkëlqeu ne serialin “Shërbëtor i popullit” në 2014, ku u shndërrua në personazhin më të famshëm në Ukrainë. 44-vjeçari portretizoi artistikisht një profesor historie, i cili u bë President i vendit. Me këtë serial komik Zelenski  u bë fitues i çmimit “aktori më i mirë”, “producenti më i mirë”, dhe “komedia më e mirë ukrainase”.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                 Fjalimi ku profesori në serial flet kundër korrupsionit u bë viral në Ukrainë dhe bëri jehonë në të gjithë vendin e përtej, sidomos në vende me realitete të ngjashme. Zelensky vendosi t’i hynte rrugës së politikës në vitin 2019. Komediani, i martuar me dy fëmijë, i dha partisë të njëjtin emër si titulli i serisë në të cilën luante: “Shërbëtori i popullit” dhe fitoi zgjedhjet presidenciale me një rezultat historik duke fituar më shumë se 73 për qind të votave.                                         

Kjo komedi me shumë seri është shfaqur për herë të parë në KLAN TV në prill 2022 e po ritransmetohet edhe gjatë muajit gusht 2024 po në këtë televizion. Siç është bërë publike, ky serial  theu të gjitha rekordet e shikueshmërisë në Ukrainë dhe u bë shumë i shitur në të gjithë botën. Një sit-com për presidentin më të këndshëm dhe më të ndershëm, sa vështirë se ka lind dhe gjendet në mbarë globin, domethënë shumë me më pak mundësi reale në Shqipëri! Kjo komedi me shumë seri është ideuar dhe realizuar mbi bazën e realitetit në Ukrainën në vitet 2010-2014. Por, fare lehtë, duke ndërruar  kryeqytete, emra, seli presidencash dhe kryeministrish, detesh, lumenjsh, të dhëna gjeografike, ekonomike, demokrafike, pallate, apartamente...mund të zëvendësohet Ukraina me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Rumaninë, Rusinë, Bjellorusinë... dhe me republikat e ish BS! Me shumicën e skenave, personazheve, dialogëve, ngjarjeve, zyrave mbush me zyrtarë mediokër; kryesisht me trashëgimi bolsheviko-komuniste e përgjithësisht servilë, të pabesë, të korruptuar...; të ambienteve familjare me ngushticë të ndjeshme banimi e jetese normale për familje me shumë frymë e me dualizmin për të jetuar edhe ndershmërisht, edhe për të fituar për mbijetesë, edhe nga punë jo 100% të pastra e të ligjshme..., kjo komedi flet shumë qartë e kuptueshëm edhe në SHQIP! Me dëshirat, synimet dhe përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin kudo ku lulëzon apo mbretëron, duke qenë qysh nga kryeministri i rrethuar nga të korruptuar dhe sabotues të ideve, vendimeve, masave, reformave... të tij, Vasily Petroviv Kolobordko(Zelenski) ndjehet shpejt si Don Kishoti që lufton me mullinjtë me erë! Padyshim ky film serial është dhe do të mbetet kryevepra kinematografike e Zelenskyt. Ai është një skaner artistik i sistemeve dhe qeverisjes në Ukrainë e në vendet e tjera të ish BS e të ish Kampit Socialist! Njëherazi, me këtë film Zelenski, artistikisht bukur e besueshëm ndihmon popujt në këto vende që të ndërgjegjësohen, emancipohen dhe binden se sa shumë, gjatë, trashë, pashpirtësisht janë mashtruar nga partitë dhe kryetarët e tyre të zemrës!?  

Është shumë i goditur dhe shprehës, edhe për ne shqiptarët, një shpjegim apo mesazh, sa i thjeshtë e vulgarizues e aq filozofik, që Kolobordko përcjell në serinë e 15-të, ku i përgjigjet pyetjes se përse ka korrupsion kaq të lartë në Ukrainë! Nënkuptueshëm edhe në vende të tjerë me sisteme e realitete të ngjashëm, përfshirë edhe Shqipërinë e këtyre 33 viteve, sidomos të këtyre 10 viteve të fundit, kur korrupsioni ka marrë krahë dhe egërsi kuçedre apo dinosaurësh...! Sipas tij, “Unë nuk besoj se ukrainasit lindin kokëgdhe(naivë) e të korruptuar. Gjithçka nis qysh në maternitet, ku ukrainasi lind 3 kg e ca...Por pyetja është: si ndodh që këto 3 kg e ca bëhen 100 kg kokëgdhe e i korruptuar kur ai rritet. Nis me ryshfetin që i jep prindi mjekut që e ka sjellë në jetë, vazhdon në shtëpi ku fëmija shikon të atin që shan televizorin, ku shfaqen politikanët dhe drejtësia e korruptuar, ndërsa pikërisht vetë babai numëron mbi tavolinë paratë që sapo ka marrë nga një protestë, për të cilën është paguar për të marrë pjesë...E kështu me radhë! Të gjithë jemi fajtorë!...”    

Pas pyetjeve të fillimit, ashtu si mua, shumëkujt mund t’i brufullojnë pyetje të tjera. Kur e shikojnë këtë film a i gjejnë vetet, vartësit, këshilltarët e këshilltaret, sekretaret...? A qeshin me zemër apo ndjejnë apo përjetojnë frikë e panik? Gjithsesi, mesazhi që përcillet qartësisht e me nivel të lartë artistik nga ky film është: popuj, shikoni se nga cilat partira, qeverira, presidentë, kryeministra, ministra, zv.ministra...qeveriseni, vidheni me 1001 mënyra korruptive, varfëroheni, dënoheni të braktisni vendlindjet e të ikni me fatura të larta si emigrantë në vende të Perëndimit, me shtete ligjorë, demokratikë, socialë funksionalë e me nivele të ulëta korrupsioni! Apo, Edi Rama me shoqe e shokë janë të sigurt se nuk ka mundësi e shanse në Shqipëri e me këtë popull, që një mësues historie e një komedian, të ketë miliona euro për të garuar në zgjedhjet presidenciale pa qenë përfaqësues i një partie të madhe, pa pasur mbështetjen shumëformëshe dhe tepër të kushtueshme të njërës prej tyre e të fitojë si i pavarur, vetëm me mbështetjen e popullit, rreth 70% të votave?!      

Apo mendojnë se nuk ka lind dhe nuk gjendet në Shqipëri një president, kryeministër, ministër, zv.kryeministër, drejtor i përgjithshëm, kryebashkiak, kryegjykatës, kryeprokuror, kryekomisar, kryedoganier, kryetatimor, kryekadastror...  që kur i dhurohet posti nuk ndryshon asgjë në jetën e tij?! Që refuzon çdo privilegj e dhuratë korruptive apo me synim të pistë, që jeton në shtëpinë modeste me prindërit, aty ku ka jetuar gjithmonë, që merr para borxh në fund të muajit nga shokët e tij, që shkon në kabinet me biçikletë dhe lufton të gjithë burokratët e korruptuar...?                                                              
Ndoshta pushtetarët e lartë shqiptarë mendojnë se janë me fat e borxhlinj ndaj Enverit që kanë gjet këtë popull, prej 80 vitesh sylesh, që i do, voton, mbështet, duartroket, këndon e kërcen për ata, edhe kur e kuptojnë se vetëm për vete me soi e sorollop bëjnë përshesh, përfshirë edhe bizneset me sovranitet, pasuri e copa Shqipërie dhe Kombi...? Edhe mund të kenë të drejtë që të mendojnë se si është e mundur që për 80 vjet shqiptarët, që e kanë bërë gjoksin gropë duke u mburrur se “nuk ua ha qeni shkopin” nuk e kanë kuptuar se ç'i punojnë kryetarët, politikanët dhe pushtetarët nëpër zyra, dosje, projekte, tregje, spitale, rrugë, kulla, saraje, salla gjykatash...!!!??? Kur nuk reflekton e reagon nuk është detyra e tyre ta zgjojnë popullin nga gjumi apo “koma”  prej 80 vitesh..., ta ndërgjegjësojnë që të ngrihet kundër tyre e për jetën, lirinë, mirëqenien, dinjitetin e vet, për Shqipëri e Komb..,!?                                                                                                                                                                      Nuk është e lehtë të merret me mend se si e ka përjetuar kryeministri Edi Rama veçanërisht pjesën kur gjatë debatit në televizion, ku ishin të ftuar edhe presidenti, kryeministri, dy ministra dhe shefi i sigurisë kombëtare, futen në studio dhe arrestojnë kryeministrin, si kryet dhe tutorin e korrupsionit në vend??? Ndoshta ka menduar se fatmirësisht në Shqipëri nuk kanë lindur akoma president, ministra, prokurorë e gjyqtarë, që të urdhërojnë e kryejnë në një studio televizive, në kabinetin kryeministror, në sarajin familjar, në plazh, në një podium partiak apo qeveritar...arrestimin e tij!? Duke e përmbyllur, me një dozë figuracioni e grotesku: nëse Zelenski u bë i famshëm e i suksesshëm, edhe përtej Ukrainës si presidenti Kolobordko në serialin komik “Shërbëtori i popullit”, Edi Rama ynë si kryeministër prej 11 vitesh, ngjashëm edhe si Haxhi Qamili, edhe si Enveri, është bërë masivisht i urryer, i frikshëm, i padurueshëm...në “kryeveprën” e tij të vetme, “serialin tragjik”, “Pronari i popullit”, që e mbylltë sa parë me fund të lumtur, me sikterrisjen e tij qeverisëse dhe politike e pa kthim...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat