Ra “ky mort” dhe u pamë!

Opinione

Ra “ky mort” dhe u pamë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 8 shtator 2024 Në ora: 16:33
Sali Berisha

Kur Edi Rama dhe Hashim Thaçi u investuan fuqishëm për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë e ndarjes së Kosovës, liderët e Kosovës e madje të tjerë në Shqipëri e në rajon kërkuan ndihmën e Sali Berishës për ta parandaluar diçka të tillë. Njëri pas tjetrit u ngjitën në katin e 14 të godinës së COIN pranë TVSH-së, ku kishte zyrën deputeti Sali Berisha, thuajse të gjithë politikanët e rëndësishëm të Kosovës, përfshirë Albin Kurtin, Vjosa Osmanin, Kadri Veselin, përfaqësues të LDK-së, Ramush Haradinajn e të tjerë. Edhe vetë protagonisti i ndarjes së Kosovës, Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të vendit, kërkoi të takohej e të bisedonte me Sali Berishën. Por Berisha nuk e pranoi në takim.

Asokohe Sali Berisha ishte thjesht një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ishte më as president, as kryeministër i vendit të tij. Nga drejtimi i Partisë Demokratike kishte dhënë dorëheqje së paku 5 vite më parë. Megjithatë politika shqiptare, sidomos ajo në Kosovë, e shihte atë si institucion të veçantë e të besueshëm, tek i cili duhej gjetur mbështetje. Dhe Berisha nuk e kurseu mbështetjen e tij për ta kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në Ballkan. Sigurisht që ai kishte bërë llogari në këtë qëndrim. E dinte se së paku Gjermania dhe Britania e Madhe ishin kundër ndryshimit të kufijve. E dinte gjithashtu se në SHBA tek disa segmente të politikës dhe administratës së saj, nuk do të pritej mire qëndrimi i tij. Megjithatë u investua fuqishëm për të parandaluar një copëtim tjetër të trojeve shqiptare, si dhe shpërbërjen përfundimtare të shtetit të Kosovës.

Liderët e Kosovës kërkuan këshillën dhe mbështetjen e Berishës, sepse e dinin se vetëm ai mund të vepronte me zemër për Kosovën dhe kombin. Këtë e përforcoi edhe njëherë para pak ditësh një prej politikanëve më të njohur në Kosovë, Fatmir Limaj, kur tha se në momentin që Berishës, atëherë kryeministër, iu bë e njohur data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai u emocionua aq shumë sa vetëm thoshte “u krye, u krye” dhe derdhte lot gëzimi. Dashuria për Kosovën e zotit Berisha është e njohur. Dhe duhet thënë se pikërisht dashuria për atdheun e për Kosovën u bë shkak i ndëshkimit të tij. U shpall non-grata nga Anthony  Blinken, sekretar i Shtetit Amerikan. Sepse për çdo Fuqi të Madhe, përjashtuar Austro-Hungarisë në rastin e Shqipërisë, patriotët dhe atdhedashësit janë të padëshirueshëm. Sado aleat i ngushtë të jetë një fuqi e madhe, qoftë kjo dhe SHBA-të, nuk duan që aleati i tyre të drejtohet nga njerëz me integritet, dinjitet, patriotë dhe atdhedashës. Këta nuk binden në çdo gjë e për çdo gjë.

„Morti“ erdhi më 29 maj 2021 me shpalljen non-grata të Sali Berishës dhe u shfaq si një stuhi më 9 shtator të atij viti, kur Lulzim Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, partisë që Berisha e kishte themeluar. Kanë kaluar tri vite nga ajo kohë. Nesër është pikërisht dita e tre vjetorit të vendimit absurd dhe të paprecedentë në shërbim të Edi Ramës, Sorosit dhe McGonigalëve nga ana e Lulzim Bashës. Të një vendimi të marrë nga ai vetë, por nën ndikimin e aktorëve anti-Berishë. Pa pyetur as kryesinë, as Këshillin Kombëtar, asnjë forum të partisë e pa e vënë në dijeni më së pari vetë Sali Berishën. Dhe në ditët e para „të këtij morti“ pati entusiazëm të madh te kundërshtarët brenda e jashtë partisë së Sali Berishës. Por ai nuk u dorëzua. Nuk u mposht. Nuk u gjunjëzua! Qëndroi! Më 8 janar 2022 e sulmuan me gaz lotsjellës Bizhgat që sot u rikthyen për dhunë kundër opozitës. E goditën me grusht në mes të bulevardit. E sulmuan me helmin e gjarprit me emër ish-Sigurimi i Shtetit, pa ndërprerje. E arrestuan pa akuzë, pa fakte e pa prova. Nuk ia dhanë deri para pak muajsh as vulën, as fondet, as siglën e partisë. Sali Berisha nuk u zmbraps. Miqtë e tij i thane me sinqeritet që të krijonte një parti tjetër. Ai nuk pranoi. Dhe fitoi. Tani lufton me idealizëm, edhe pse 80 vjeç, për ta çliruar Shqipërinë nga shteti-mafie e kriminal.

Por, edhe pse ai ia arriti të mbijetojë, edhe pse atij vazhdojnë t’ia njohin meritat si atdhetar e patriot i padiskutueshëm, ata që i shkuan në zyrë në vitin 2018 për të kërkuar derman, pikërisht këta nuk kanë guxuar ta takojnë, të bisedojnë dhe ta mbështesin atë në kauzën e vet. “Morti” që u krijua me shpalljen non-grata na ndihmoi që të shohim njëri-tjetrin dhe të dallojmë se kush ka e kush jo dinjitet e integritet për të thënë të vërtetën e për të qenë mirënjohës në jetën e tij poliitike. Nuk flas për ata politikanë shqiptarë në rajon që janë pozicionuar p.sh pro Open Balkan dhe inciativave të tjera serbe të çiftit Rama-Vuçiq. E kam fjalën për ata që mendojnë dhe besojnë njësoj si edhe Sali Berisha. Pikërisht këta, që në ditët më të vështira për Kosovën gjetën mbështetjen e pakursyer të Sali Berisha, pikërisht këta janë ata që prej tri vitesh heshtin, nuk ndihen, nuk duken, nuk flasin, nuk përmenden më. Sikur të ketë rënë murtaja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat