Pas vdekjes së presidentit historik të Kosovës dhe themeluesit të LDK-së, si Kosova ashtu edhe LDK-ja e ndjejnë mungesën e tij. LDK, e cila u themelua nga disa intelektualë të kohës, pas vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës u përça që në Kuvendin e parë pa të. Ndryshe, në “Kuvendin e karrigeve”, nga LDK-ja ishin larguar shumë aktivistë për të formuar pastaj Lidhjen Demokratike Dardane.
Mirëpo, pas një kohe, shumica e këtyre ishin kthyer përsëri në LDK, ndërsa LDD-ja nuk ekziston më. Ky është një nga gabimet fatale të LDK-së, që vazhdoi me dy gabime të tjera fatale, nga të cilat LDK-ja edhe sot vuan pasojat. Gabimi i dytë ishte koalicioni me PDK-në në 2014, nga e cila marrëveshje Hashim Thaçi u bë president.
Duket se Isa Mustafa e kishte kuptuar se morali në politikë në Kosovë nuk është i rëndësishëm për të fituar vota. Ky koalicion u krijua për interesa meskine dhe nuk ka asgjë të justifikueshme në këtë punë. Koalicioni ishte rezultat i dy njerëzve, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, dhe “ndërhyrja ndërkombëtare ka qenë minimale". Kjo ndodhi që Isa të bëhej kryeministër duke tradhtuar besimin e qytetarëve nga fushata se "kurrë s’do bëjmë koalicion me PDK-në".
Gabimi i tretë fatal ishte prishja e koalicionit me VV-në, rrjedhimisht rrëzimi i qeverisë në kohë pandemie, në një periudhë kur krejt bota u vazhdonte mandatin qeverive në luftë me COVID-19. Pavarësisht se Isa Mustafa kishte dhënë tri arsye për marrjen e këtij vendimi, sipas tij ato janë: taksa, prishja e raporteve me SHBA-në dhe shkarkimi i Agim Veliut, e vërteta është se pas kësaj qëndronte Thaçi dhe Grenell për të realizuar planin e tyre fatkeq për ndryshimin e kufijve. Rezultati i 14 shkurtit 2021 tregoi shumë qartë se gabimet e LDK-së populli nuk i fal kur e tradhton besimin e tyre.