Përse Edi Rama lajkaton gratë e fyen burrat...?

Opinione

Përse Edi Rama lajkaton gratë e fyen burrat...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 28 prill 2025 Në ora: 09:22
Xhevat Mustafa

Gjatë javëve të para të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025 është bërë e qartë dhe është kuptuar se në “strategjinë” pa strategji të vërtetë dhe serioze të Edi Ramës, më tepër individuale se sa partiake, parësor kanë qenë takimet dhe kuvendimet gju më gju me kontigjentet femërore, me gra e vajza të të tri brezave. Në mosha të reja e pensioniste. Të punësuara e shtëpiake jo nga qejfi dhe për të bredhur si turiste në vende të tjera apo tek familjet e fëmijëve emigrantë, por nga papunësia; beqare, të martuara e të divorcuara; me apo pa fëmijë... Me detyra partiake, qeveritare, shtetërore e krejt punonjëse të thjeshta nëpër ministrira e në administratë, në arsim e kulturë; shëndetësi; në hipoteka e kasastra; në OSHEE dhe UKT, në gjykata e prokurori...!

Pra, jo pak edhe nga ato që janë të punësuara në institucione, ligjërisht të depolitizuar, me statusin e nëpunësit civil e publik, të ndaluar de jure për të mos marrë pjesë në veprimtari të mirëfillta partiake, në takimet me kandidatë për deputetë dhe me kryetarët...! Nejse, nga ky këndvështrim ligji është shkelur së pari nga “Maliqi” e pastaj nga femrat socialiste, me zemër e tesera ose vetëm nga interesi dhe presioni për të ruajtur me çdo çmim e sakrificë vendin e punës! Fatmirësisht, nuk ka të drejtë ligjore të bëjë takime elektorale edhe me vajza e gra të Kosovës! Nuk mund të futet kush në trurin e tij për të gjetur se me cilat epitete do t'i fyente burrat e Prizrenit, të Gjakovës, Pejës, Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt...!?

Në kërkim të arsyes përse Edi Rama gjeti dhe po përdor këtë risi dhe taktikë, domethënë takimet dhe mitingjet me femra, pa qenë në të vërtetë një feminist maniak apo i përgjëruar, duke u treguar “mjaltë” me gratë” e “gojëhelm” me burrat e tyre, së pari mendja të shkon tek fakti se ai e njeh mirë botën femërore, me thesaret e dhuntitë dhe me dobësitë e të këqijat e saj. Kjo nënkupton se edhe ai i ka dëgjuar shumë herët dhe shpesh herë shprehjet popullore se "gruaja ka fut shejtanin në shishe", se "gratë janë më hileqare se burrat", se "gratë janë mendjelehta", “Sherrin e mbjellin gratë dhe e korrin burrat!”, “Femra është mbretëreshë e botës, por skllave e dëshirave”( Balzaku), “Lavdëroje bukurinë e një femre dhe ajo do t’i falë të gjitha fyerjet që i ke bërë”(Pierre Boiste); “Mashkullit ia hedh kushdo, por një femër që ia hedh një femre tjetër është një vepër arti”(John Gay)...Por, edhe se gratë, sidomos në krevatë, ua bëjnë burrave mendjet turli e sallatë...Ka shumë të ngjarë që Edi Rama shpreson dhe i nxit që ta përdorin krevatin, domethënë pushtetin e tyre në këtë ring apo arenë, për t'i bindur burrat, sidomos kur i kanë çyrykë e gjysmakë, të votojnë për Rama- partinë e jo për PD- Salinë...

Një arsye tjetër mund të jetë vetëdija e avantazhit që i ka siguruar strategjia e tij e përgjithshme, sidomos me emigracionin masiv për në vende të Perëndimit nga meshkujt 20- 50 vjeç...Kështu, pavarësisht shifrave të Censusit 2023, në Shqipëri kanë mbetur më shumë femra se sa meshkuj...! Edhe fjalori i përdorur nga dopio kryetari Rama në mitingjet me femrat, karakterizuar nga bollëku i fjalëve banale, të pista, i fyerjeve jo vetëm për liderin e opozitës së vërtetë, Sali Berishën, por edhe për burrat dhe vëllezërit e tyre, edhe më rëndë e pafalshëm, për fëmijët autikë, nga të cilët mund të kenë edhe gra të pranishme në sallë, nuk mund të interpretohet thjeshtë si paaftësi e tij për të përmbajtur vetveten, sidomos gojën. Kjo mund të kuptohet edhe si rikthim i tij në Edi Ramën e rinisë; të pavionit të Spitalit Neuro- Psikiatrik Nr 5 në Tiranë apo të spitaleve francezë; të "orgjive fjalareske" në bisedat më këmbë në trotuaret para Institutit të Lartë të Arteve, Hotel "Dajtit", “15 katëshit”... apo në trotuare të Parisit...?! Ndoshta, kur ua përçmoi dhe fyu burrat grave në fytyrë apo sy më sy, jo pa dashje apo nga dehja, mund të mendohet se ishte i bindur se përveç tij nuk kishin mbetur më BURRA...në Shqipëri???

Ndoshta ka menduar dhe thënë kështu duke pasur bindjen se shumicën e BURRAVE të Bulqizës e krejt Dibrës, të Gjirokastrës, Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit..., nën hundën e tij apo kur ai ka qenë në gjumë të rëndë, si pas një dehjeje nga një shishe verë 33 mijë euro shishja ose pas një doze të fortë, i kishin marrë ose vdekja, ose emigracioni për në Itali, Gjermani, Francë, Belgjikë, Holandë, Angli, vendet nordike, Kanada, Amerikë..., ose për shumë orë kafenetë dhe qofteritë...!? Por, duke u thelluar në analizë mendja na shtyn të mendojmë se për llogari e interesa elektorale, për të rrëmbyer me çdo kusht, rrugë, mënyrë, faturë mandatin e katërt, në marrëveshje dhe me miratimin e Lindës, gruas së krevatit, për të mos u ngatërruar me Lindën e dytë apo të qeverisë, Edi Rama është këshilluar apo i ka shkuar ndërmend që të aktrojë para tufave me gra socialiste një Edi Rama krejt tjetër! Domethënë, krejt të ndryshëm nga ai që i ka lemerisur nga historitë e publikuara apo nga përfoljet për disa gra që kishin përjetuar martesa e bashkëjetesa më të zgjatura e më kohëshkurtra me atë!

Domethënë, të vetëreklamohej para grave si një ëngjëll apo si një mashkull zemërpulë apo shpirtlepur! Përse jo, edhe me një dozë më të fortë romeoje e donzhuanizmi se sa othelloizmi? Shkrirja e plot grave nga humori dhe fjalori i tij, duke ia falur edhe fyerjet që u bëri burrave të tyre, nënkuptueshëm edhe atyre vetë dhe fëmijëve, e ka bërë me krahë! Edhe më tepër të përgjëruar ndaj tyre, sa Linda mund të ishte ndezur nga xhelozia dhe zemërimi! Por, ai e kishte qetësuar duke iu betuar, se kjo lojë apo kjo komedi do të përfundonte më 10 maj, deri sa t'u rrëmbente votat sa më shumë grave. Më 12 maj nuk do të kishte kohë apo nge t'i kujtonte e jo më t'i takonte në këmbë apo t'i priste në zyrë, për ndonjë hall personal apo familjar! Traditë e moçme fushatash: “dashuri e flaktë” apo përgjërim për votat, deri ditën e zgjedhjeve dhe harresë e përçmim të nesërmen dhe gjatë 4 viteve, deri në ditën e zgjedhjeve të ardhshme...Linda e kishte mirëkuptuar! Bile, ishte lumturuar kur kishte kuptuar, se ndryshe nga sa përflitej gojë më gojë nëpër lokale, lulishte, nëpër media e rrjete sociale, i shoqi nuk po shfaqte më shenja shqetësuese nga koka e mendja, sa të ishte e domosdoshme përkujdesja në spitale...! Në të kundërt, po e bindte se ishte bërë shejtan- budalla! Bile, aq i zgjuar sa të bënte si vetja shumë meshkuj e femra nga partia dhe elektorati i saj si dhe jo pak pushtetarë e diplomatë të lartë ndërkombëtarë...! Por, edhe sikur disa nga ato gra mitingjesh, sidomos të reja e të bukura, të tërboheshin deri aty sa “ta përdhunonin” në një dhomë hoteli, ajo do t'ia falte për hirë të fitores më 11 maj...! katër vjetëve të tjerë në pushtet do të fitonin të dy, domethënë familjarisht, përfshirë edhe Olsin dhe njerëzit e saj më të afërt të familjes prindërore, sa nuk mund të llogaritej dot me saktësi as nga një makinë llogaritëse e një kalkulator kompjuteri, laptopi, tableti, celulari... Prandaj, një akt i padëshiruar e për një interes madhor tradhëtie bashkëshortore, nuk do të kishte aq shumë rëndësi, forcë, peshë...sa t'u prishte atyre si çift dashurinë dhe harmoninë familjare e raportet shoqërore, qetësi e gjumë! As të shqetësonte fort apo lehtë “babain dhe vëllain për shpirt”, Xhorxh dhe Alex Soros...!

Duke e dashur dëshpërimisht apo marrëzisht fitoren më 11 maj sa ai apo edhe më shumë se ai, Linda i kishte dhuruar katër puthje. Të parën në ballë, të dytën e të tretën në secilën faqe e të katërtën në buzë! Puthjet e saj, edhe pse jo fort të nxehta, e kishin flakëruar nga lumturia Edi Ramën! Pas këtyre “dhuratave” bujare ai ishte nisur më me energji dhe optimizëm, si pas një doze, për takime të reja me vajzat dhe gratë e qyteteve të tjerë! Natyrisht, për t'ua fyer edhe atyre vëllezërit dhe burrat miqësisht e me humor, sa të mos u mbetej fort hatëri e sa të hakmerreshin ndaj tij, duke mos e fotografuar me kamerat e celularëve, për ta pasur si “kujtimet më me vlerë” në albume e kujtesë...! Por, edhe që të ndjenin keqardhje që nuk kishin pasur fatin të kishin për bashkëshort një burrë si Edi Rama, si i cili, të dytë, sidomos për pjellori truri, për t'u bërë keq kujtdo që i prish plane e punë si dhe për zemër guri dhe potencë BURRI..., "nuk ban ma nana"!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat